REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 04.06.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Me datë 3-4 qershor 2021 u mbajtën online punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Eksperiencat ndërkombëtare dhe praktikat e avancuara të përzgjedhjes, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve”, ku Gjykata e Lartë ka marrë pjesë si një nga partnerët në projektin “Portreti i një gjyqtari”, i cili financohet nga Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia përmes Fondit të Granteve të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) dhe të Granteve të Norvegjisë për Bashkëpunim Rajonal. Partnerët e tjerë të përfshirë në zbatimin këtij projekti janë: Gjykata e Lartë e Lituanisë, Universiteti Mykolas Romeris (Vilnius, Lituani), Universiteti Metropolitan i Pragës dhe Universiteti i Oslos.

Projekti “ Portreti i një Gjyqtari”- një model shumëdimensional i kompetencave që duhen matur gjatë procedurave për përzgjedhjen, vlerësimin dhe promovimin e gjyqtarëve, synon zhvillimin e një modeli shumëdimensional për përzgjedhjen, vlerësimin dhe promovimin e gjyqtarëve. Gjykata e Lartë mbështetet për pjesëmarrjen e saj në këtë projekt nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si struktura më e lartë kushtetuese e krijuar për të mbikëqyrur ndryshimet e reja sa i përket reformës në drejtësi dhe për të garantuar një funksionim më të mirë të gjyqësorit në Shqipëri.

Gjatë konferencës janë zhvilluar diskutime mbi sistemet e ndryshme të karrierës gjyqësore, sfidat, praktikat dhe metodat e avancuara, pritshmëritë e publikut për gjyqtarët si profesionistë dhe personalitete, si dhe ekuilibrin e efikasitetit të rekrutimit kundrejt procedurave të krijuara në mënyrë teknokratike me qëllim transparencën dhe objektivitetin.

Në ditën e parë që i është dedikuar përzgjedhjes dhe vlerësimit të gjyqtarëve, gjatë fjalës e mirëseardhjes ka përshëndetur Znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pasi janë paraqitur prezantime mbi tematika të ndryshme si: zhvillimi i modelit shumëdimensional, kriteret dhe procedurat për rekrutimin e gjyqtarëve dhe perspektivën evropiane të emërimit të tyre, Znj. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Eksperte e Lartë pranë projektit ka njohur pjesëmarrësit me gjetjet e studimit krahasues mbi përzgjedhjen e gjyqtarëve në rajonin e Ballkanit. Gjithashtu, tematikë që ka paraqitur interes ka qenë edhe vlerësimi i kompetencave personale dhe sociale (matja e personalitetit të gjyqtarit) në funksion të garantimit të besimit të publikut tek sistemi gjyqësor.

Gjatë ditës së dytë u trajtua tema e promovimit të gjyqtarëve profesionistë në drejtimin e gjykatave, ku është diskutuar mbi rishikimin e kompetencave drejtuese, rekrutimin e drejtuesve të gjykatave me aftësi të larta menaxheriale dhe perspektivat e tjera krahasuese.

Gjatë diskutimit të zgjedhjes së menaxherëve më të mirë nga gjyqtarët profesioniste, Kryetarja e KLGJ-së Znj. Naureda Llagami përmes fjalimit të saj, ka ofruar konceptualizimin e ideve novatore mbi zgjedhjen e drejtuesve të gjykatave dhe pritshmëritë për ta, duke u ndalur mbi mësimet e nxjerra nga përvoja shqiptare e reformës në drejtësi dhe nevojat lidhur me problematikat dhe sfidat e ndryshme të transformimit të lidershipit në kohët moderne.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte