• 1
    gjykata e larte
  • 2
    Salle gjyqi
  • 3
    Salla e mbledhjeve te gjyqtareve
  • 4
    Salla e kolegjeve te bashkuara

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 20.10.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Komisioni Evropian (KE) miratoi të martën "Paketën e Zgjerimit 2021", pasi vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor, në proceset e tyre respektive për t'u pranuar si anëtare të Bashkimit Evropian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar reformave themelore, si dhe udhëzimeve të qarta për ecurinë e mëtejshme të tyre.

Raporti një vjeçar, qershor 2020 - qershor 2021, përfshin edhe të dhëna mbi ecurinë e punës në Gjykatën e Lartë, e cila filloi të riplotësohej me tre gjyqtarë në mars 2020, katër në mars 2021 dhe dy në korrik 2021. Aktualisht, Gjykata e Lartë është tërësisht funksionale, ndërkohë që procesi i emerimeve vazhdon deri në plotësimin e saj me 19 gjyqtare. Gjithashtu, në prill 2021 Kuvendi miratoi ndryshimet në dhjetë ligje që synojnë të rrisin efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe kapacitetin e tij për të gjykuar çështje që lidhen me vepra penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lidhur me pjesën e raportit ku jepen vleresimet për Kapitullin 23 "Gjyqësori dhe të drejtat themelore", thuhet se: Gjykata e Lartë ka rritur efikasitetin e saj si rezultat i emërimit të gjyqtarëve të rinj. Kuadri ligjor është forcuar më tej për të siguruar dhënien efikase të drejtësisë. Ne raport konstatohet se Gjykata e Lartë, me nëntë gjyqtarë në detyrë, ka kuorumin e nevojshëm për të kryer funksionet e saj gjyqësore, duke përfshirë edhe shqyrtimin e rekurseve kundër vendimeve të Gjykatave të Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe njësimin e praktikës gjyqësore. Plotësimi i 10 vendeve vakante në Gjykatën e Lartë duhet të vazhdojë me përparësi.
Gjykata e Lartë ka numrin më të lartë të çështjeve të prapambetura, prej 36 288 syresh. Megjithatë, pas emërimeve të reja në Gjykatën e Lartë, shkalla e evadimit të çështjeve u rrit ndjeshëm, me reth 46% në krahasim me vitin 2020. Gjykata e Lartë ka dhënë 3690 vendime në periudhën mars 2020 - qershor 2021. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, Gjykata e Lartë ka dhënë 647 vendime, nga të cilat: 145 janë dhënë nga kolegji administrativ, 241 nga kolegji civil dhe 261 nga kolegji penal.

Vlen të theksohet vëmendja që raporti i ka kushtuar masave të marra nga Gjykata e Lartë në kuadër të miratimit të planit të veprimit për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura dhe rritjen e efikasitetit të gjykimit. Një prej tyre është edhe rekrutimi i një numri më të madh të keshilltarëve ligjorë dhe nëpunësve civile gjyqësorë në ndihmë të vendimmarrjes, përmirësimi i metodave të punës, si edhe rritja e komunikimit dhe transparencës.

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte