KLODIAN KURUSHI

Anëtar i Gjykatës së Lartë

Klodian KURUSHI u lind më 24 tetor 1975 në Tiranë. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tiranë në vitet akademike 1994–1998.

Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet akademike 1998–2001 (brezi i dytë), duke kryer stazhin profesional si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës 2000–2001.

Në vitet 2010–2012 ka kryer studimet pas universitare në nivelin “Master Shkencor” pranë Institutit të Studimeve Evropiane, Universiteti Tiranë, dega Legjislacion. Ai ka marrë gradën shkencore “Doktor” në shkencat juridike në profilin e së Drejtës së Procedurës Penale.

Në periudhën shtator 2001–nëntor 2005 ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Gjatë periudhës kohore 21.11.2005–18.12.2019 ka ushtruar detyrën e Gjyqtarit pranë Gjykatës së Shkallës së parë “Për Krimet e Rënda” Tiranë. Më datë 19.12.2019 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit dhe të Zv.Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë “Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” Tiranë.

Është autor i disa shkrimeve në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe pjesëmarrës dhe referues në disa Konferenca Shkencore në fushën e të drejtës penale dhe të procedurës penale. Është bashkëautor në hartimin e Komentarit Elektronik për Kodin e Procedurës Penale financuar nga Bashkimi Evropian dhe dorëzuar Shkollës së Magjistraturës.

Me dekretin Nr.12033 të Presidentit të Republikës, datë 19 mars 2021 emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte