REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 21.03.2018

NJOFTIM PËR MEDIAN

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë organizoi të mërkurën, datë 21.03.2018, aktivitetin me temë: “Dilema Kushtetuese: Përqasje mbi zhvillimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”.

Organizimi i këtij aktiviteti u bë i mundur me mbështetjen e fondaciont Hanns Siedel Stiftung.

Krijimi i urave të komunikimit ndërmjet gjyqtarëve të shkallëve të ndryshme të pushtetit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër edhe të prokurorëve, avokatëve dhe studiuesve të së drejtës, si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe i mendimeve për ndryshimin apo unifikimin e qëndrimeve mbi çështje të ndryshme të procesit të rregullt ligjor, diktoi nevojën e organizimit të këtij aktiviteti nga Gjykata e Lartë, duke e ilustruar këtë edhe me promovimin e librit “Dilema Kushtetuese II”, të gjyqtarit Florjan Kalaja.

Duke qenë se ky libër, prej 9 kreresh, në të gjitha çështjet që trajton përpiqet të përqasë zhvillimet e ndryshme ndërmjet jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ky event u konceptua gjithashtu të krijojë edhe një hapësirë debati dhe forumi ndërmjet praktikantëve dhe studiuesve të së drejtës, të cilët ishin të pranishëm në këtë aktivitet.

Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast, Kryetari i Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori, duke vlerësuar botimin e ri të gjyqtarit Kalaja, theksoi se nevoja për zhvillimin e debatit mbi vendimet e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese i shërben jo vetëm rritjes se transparencës, eficencës dhe besimit të publikut tek drejtësia, por mbi të gjitha është në shërbim të rritjes së përgjegjshmërisë dhe parandalimit të arbitraritetit në marrjen e vendimeve gjyqësore nga të gjitha shkallët e gjykimit. Nga ana tjetër ky debat ndikon pozitivisht në realizimin e misionit nomofilaktik të Gjykatës së Lartë, si një parim shumë i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me garantimin e sigurisë juridike dhe barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, debate të tilla duhet të jenë edhe më intensive, të drejtpërdrejta e shkencore për të mundësuar garantimin e një drejtësie sa më efektive. Z. Zaganjori, gjatë fjalës së tij, u ndal veçanërisht në debatin mbi ngërçin e krijuar për shkak të shfuqizimit të paragrafëve 5 dhe 6 të nenit 278 të Kodit Penal, problemeve që ndeshi në praktikë si dhe në vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë. Ai u ndal gjithashtu edhe në rëndësinë që paraqet disiplinimi i çështjeve mbi parashkrimin fitues pa titull pronësie, pasi në praktikën shqiptare është vërejtur një shpërdorim në masë i këtij instituti, veçanërisht me pronat publike.

Të ftuar në këtë aktivitet, për të mbajtur një falë përshëndetëse mbi temën dhe librin e z. Kalaja, ka qenë dhe ish-anëtari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut Z. Kristaq Traja dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës Z. Sokol Sadushi.

Mbi problemet e trajtuara në librin “Dilema Kushtetuese II”, autori i këtij punimi Z. Florian Kalaja, i cili aktualisht kryen funksionin e ndihmës magjistratit në Gjykatën e Lartë, në mënyrë të detajuar, u shpreh se ky libër është projekt i një periodiku komentar doktrinar dhe jurisprudencial i së drejtës në përgjithësi, por trajtuar dhe analizuar në këndvështrimin e së drejtës kushtetuese.

Të pranishmit e ftuar në këtë aktivitet, paraqiten vlerësimet e tyre mbi punimin “Dilema Kushtetuese II” si dhe i drejtuan pyetje panelit të gjyqtarëve mbi çështje të ndryshme që kishin të bënin me praktikën gjyqësore dhe ato që shtrohen për trajtim në këtë botim.

Item 1
 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte