"Garantimi i njësimit, qëndrueshmërisë dhe njohjes së praktikës gjyqësore"
Përvoja shqiptare
nga
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë
Ass.Prof.Dr.Sokol Sadushi
I nderuar President Mehmet Akarca,
Të dashur kolegë,
Së pari, më lejoni t’Ju falenderoj për ftesën e pjesëmarrjes në këtë Konferencë Ndërkombëtare në Ankara. Për mua është kënaqësi e veçantë që marrë pjesë për herë të parë si drejtues i Gjykatës së Lartë shqiptare në një aktivitet të tillë të jashtëzakonshëm, i cili zhvillohet në një kohë të pazakontë për të gjithë njerëzimin. Ju lutem, më lejoni t’Ju uroj ngrohtësisht për kurajon që patët për të organizuar një aktivitet të tillë pavarësisht sfidave me të cilat po përballemi të gjithë!
Dëshiroj të them disa fjalë mbi çështjen se si Gjykata e Lartë shqiptare planfifikon të kontribuojë në sigurimin e njësimit dhe qëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore, si dhe ta bëjë atë të njohur mes profesionistëve të së drejtës.
Shqipëria ka një sistem gjyqësor të ngritur në formën e piramidës, në majë të së cilës qëndron një gjykatë e lartë me kompetenca rishikimi në të gjitha fushat e së drejtës, e orgnaizuar në tri kolegje: administrative, civile dhe penale.
Roli i Gjykatës së Lartë si “Gjykatë Kasacioni” parashikohet nga neni 141 i Kushtetutës, ku sanksionohet se Gjykata e Lartë shqyrton çështje lidhur me kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas ligjit. Pra, gjykimi kasacional nënkupton shfuqizimin e një vendimi gjyqësor mbi bazën e një mjeti ligjor. Gjykata nuk mund të vendosë zgjidhjen e ndryshme të çështjes duke marrë prova të reja, por ka të drejtë vetëm ta kthejë për gjykim çështjen në gjykatën kompetente, vendimi i së cilës shfuqizohet.
Gjykata e Kasacionit shqyrton dhe analizon ligjin dhe rrethanat e çështjes vetëm për aq sa i nevojitet asaj për të interpretuar ligjin ose një koncept të së drejtës, pa bërë një shqyrtim të ri të fakteve dhe provave. Në këtë kuptim, funksioni i Gjykatës së Lartë sot është të kontrollojë nëse ligji është interpretuar dhe zbatuar në mënyrë korrekte nga gjykatat më të ulta, vendimi i të cilave kundërshtohet. Gjykata e Lartë nuk ka si thelb të veprimtarisë së saj shqyrtimin e fakteve dhe të provave në një çështje konkrete, por në raste të caktuara kjo mund të bëhet vetëm në lidhje dhe për aq sa ndihmon Gjykatën të interpretojë ligjin e zbatueshëm.
Ky rol specifik i Gjykatës së Lartë shqiptare u parashikua strikt në ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të reformës më të fundit në sistemin e drejtësisë në 2016, e cila solli pasoja në të gjithë sistemin gjyqësor në disa drejtime: organizative, funksionale dhe procedurale. Kjo reformë erdhi si nevojë e domosdoshme pas mungesës së suksesit të reformave të mëparshme, të cilat nuk arritën të përmirësonin cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, si dhe nuk arritën të parandalojnë korrupsionin në sistem, pavarësisht masave të marra për këtë qëllim.
Si rezultat i kësaj reforme i gjithë kapitulli i Kushtetutës mbi pushtetin gjyqësor u rishikua, duke shtuar për herë të parë një Aneks mbi vlerësimin kalimtar të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë për tri kritere: pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. Pasoja e këtij procesi deri sot është: mbi 50% e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar nga detyra më së shumti për shkak se nuk justifikuan pasuritë e tyre me burime të ligjshme të të ardhurave. Si rezultat i procesit të rivlerësimit (vetting) Gjykata e Lartë mbeti me 2 gjyqtarë (nga 19 gjyqtarë që kishte para reformës), gjë që impononte fillimin e një procesi emërimi të gjyqtarëve të rinj. Tre gjyqtarë të rinj u emëruan në Mars 2020, pak pas shpalljes së pandemisë. Pas më shumë se një viti 6 gjyqtarë të tjerë ndoqën të parët. Janë ende 9 gjyqtarë për t’u emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në muajt që vijnë.
Një nga gjetjet e analizës që i parapriu reformës ishte dhe mungesa e qëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore. Ka disa shkaqe që çuan në një situatë të tillë: tendenca e Gjykatës së Lartë për të vendosur në themel të çështjes megjithëse kjo ishte dhe mbetet kompetencë e gjykatave më të ulta, ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, mungesa e profesionalizmit të gjyqtarëve, etj.
Me hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor post-reformë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë shqiptare kishin detyrimin të adresonin menjëherë çështjen e njësimit të praktikës gjyqësore, gjë e cila do të parandalonte shtimin e mëtejshëm të backlogut në këtë Gjykatë. Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Lartë ndërmorri disa hapa të shpejtë dhe të nevojshëm si më poshtë:
(i) Propozimi i ndryshimeve ligjore procedurale që prekën:
Ø Uljen e numrit të gjyqtarëve të trupës gjykuese për të vendosur njësimin e praktikës gjyqësore;
Ø Ndryshimin e rregullave që i krijojnë mundësinë GJL të gjykojë pa seancë publike me pjesëmarrjen e palëve. Kjo është një arritje në funksion të efikasitetit duke mbajtur parasysh numrin e lartë të çështjeve të prapambetura në GJL;
Ø Qartësimi i të gjitha llojeve të vendimeve që merr GJL si gjykatë kasacioni. Me pak fjalë, ky ndryshim synon listën e vendimeve që ka të drejtë të marrë GJL me qëllim moskthimin e çështjeve tek gjykatat më të ulta për rigjykim kur nuk është e nevojshme. GJL ka të drejtë ta zgjidhë çështjen vetë nëse nuk kërkohet që të rishikohen/rivlerësohen provat dhe faktet ndryshe nga gjykatat e ulta.
(ii) Qenia më aktive e GJL në lidhje me marrjen e vendimeve njësuese pas ndryshimeve ligjore. Për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve në GJL, janë marrë vetëm disa vendime të tilla, të cilat duken se janë pritur mirë nga publiku.
(iii) Rritja e burimeve kërkuese dhe analizuese nëpërmjet krijimit të Qendrës së Dokumentacionit, një njësi që do të ketë si fokus analizën e praktikës gjyqësore të vetë GJL për të parandaluar vendimet kontradiktore të paneleve të ndryshme vendimmarrëse në këtë Gjykatë, por edhe të njohjes me vendimet e gjykatave ndërkombëtare si p.sh GJEDNJ, si dhe të informojë gjyqtarët mbi zhvillimet e fundit në këtë drejtim.
(iv) Rritjen e mjeteve të kërkimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë për përdoruesit profesionistë me qëllim njohjen sa më të mirë dhe të shpejtë të tyre me praktikën e saj.
(v) Komunikimin e vazhdueshëm me Gjykatat e Larta Europiane për të marrë përvojë.
(vi) Sigurimi i dialogut të vazhdueshëm me gjykatat më të ulëta dhe profesionistët e tjerë të së drejtës për t’i sjellë ata më afër me procesin vendimmarrës në Gjykatën e Lartë, por edhe për të kuptuar më mirë prej tyre çështjet që mund të paraqesin nevojë për njësimin e praktikës gjyqësore.
Duke qenë se koha është mjaft e kufizuar nuk do të ndalem në hollësi, duke shpresuar që do të kemi mundësi në një aktivitet tjetër në të ardhmen e afërt për të shkëmbyer më tej mendimet mbi këtë çështje të rëndësishme.
Ju falemnderit për vëmendjen!
Ankara, 2 Shtator 2021