DREJTËSIA NË KOHË SFIDASH

109 vite më parë etërit themelues të shtetit ideuan, me miratimin e Kanunit të Zhurisë, ngritjen e sistemit të drejtësisë shqiptare. Sfida të panumërta kanë qenë bashkudhëtare të këtij procesi. Pothuajse në çdo periudhë të ringritjes dhe të konsolidimit të shtetit, drejtësia shqiptare është gjendur përballë sfidave, por edhe presionit që karakterizon një shoqëri në zhvillim, të cilës i është dashur të kalojë nga mosekzistenca e shtetit të së drejtës te modeli i shtetit që i kërkon njerëzve të kuptojnë ligjin, t’i besojnë dhe të mbështeten tek ai.

Problematika të shumta kanë vijuar ta shoqërojnë sistemin, të cilat nuk ishin vetëm të drejtësisë, por të të gjithë pushteteve. Reformat apo përpjekjet e ndërmarra në vite dhe, në veçanti, ato të pas viteve 90, me qëllimndalimin e gërryerjes përherë e më të thellë të sistemit të drejtësisë nga korrupsioni, paaftësia profesionale dhe varësia politike, kanë rezultuar të pasuksesshme. Reforma në drejtësi e vitit 2016, e konsideruar si më e thella, por edhe më dramatikja,sa i takon pasojave që solli, ishte dhe mbetet sfida e radhës. Arritjet e saj kanë qenëtë dukshme dhe të ndjeshme, megjithëse nevojitet kohë, maturi dhe durim për t’i parë tërësisht të realizuara. Sidoqoftë, riformatimi i sistemit të drejtësisë ka nisur një rrugëtim të gjatë, nga i cili nuk ka kthim pas.

Në ndërmarrjen e reformave të mëdha, ato që tërheqin më tepër vëmendjen janë pengesat, vështirësitë dhe pasiguritë, ndonjëherë edhe më të shumta nga sa pritej. Një gjë e tillë është e kuptueshme, pikërisht, për shkak të lidhjes së pandashme që ekziton mesdrejtësisë dhe sfidave. Kjo lidhje mes tyre nuk lind nga një reformë që ndërmerret apo nga miratimii një pakete ligjore në një moment të caktuar, por për arsye se vetëdrejtësia është sfidë.

Në periudhën që përjeton drejtësiashqiptare po përballet sërish me vështirësi, të vjetra, të trashëguara ndër vite , por edhe të reja e të panjohura. Numri në rritje i çështjeve gjyqësore kundrejt numrit në ulje të gjyqtarëve, vonesa në gjykim, mos ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë, praktika e ndryshme gjyqësore për çështje të ngjashme, niveli i diskutueshëm profesional, etik dhe moral i gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe pandëshkueshmëria e tyre kërkojnë zgjidhje tërësore dhe strategjike. Rrjedhimisht, edhe efekti i tyre në zbatim kërkon kohën e nevojshme dhe, përkëtë arsye, suksesi ose dështimi është vështirë të vlerësohet objektivisht dhe në kohë të shkurtër.

Nga ana tjetër, sfidat e reja me të cilat ndeshet drejtësia e sotme shqiptare, por dhe më gjerë, janë të kushtëzuara nga dukuri të caktuara sociale, politike, si edhe teknologjike. Kështu, krizat ekonomike, ndryshime të forta në sistemin qeverisës që shoqërohet me politika tejet konservatore ose liberale, pandemia dhe çështjet e drejtësisë të lidhura me të, revoltat sociale që çojnë në ndryshime radikale, zbatimi i inteligjencës artificiale, përdorimi i kriptomonedhave, rregullimi ligjor i statusit të personave me gjini të papërcaktuar, eutanazia, etj., janë çështje që imponojnë gjetjet e zgjidhjeve.

Të gjitha këto sfida, të vjetra dhe të reja, pavarësisht dallimeve në shkaqet që i krijon ato, kanë të përbashkët nevojën për t’i përballuar me masa të përshtatshme dhe efektive. Mënyra se si qaset sistemi normativ dhe institucional ndaj pengesave, vështirësive dhe problemeve që paraqiten në një fushë dhe moment të caktuar janë vendimtare për suksesin ose dështimin.

Besoj fort se pavarësisht masave perfekte (nëse ka të tilla), faktori kryesor vendimtar për suksesin në arritjen e qëllimit ështënevoja për ndryshimin e mentalitetit. Nëse aimbetet i pandryshuar, çdo reformë është e destinuar të dështojë. Sado cilësor dhe bashkëkohor të jetë kuadri ligjor, suksesi në zbatim do të varet nga njeriu dhe qasja intelektuale e tij ndaj konceptit të drejtësisë në frymën e ligjit.

Të japësh drejtësi duhet më parë të sfidosh veten, perceptimin që ke për realitetin, të drejtën dhe të gabuarën, ligjin dhe moralin, të minimizosh sa më shumë ndjeshmëritë që mund të çojnë në vlerësime subjektive, por njëkohësisht të mos humbësh ndjenjën humane kurduhet t’i japësh frymë ligjit. Përshtatja e mentalitetit njerëzor me zhvillimet e reja ligjore, sociale, politike edhe teknologjike është sfida e madhe që ka sot, jo vetëm drejtësia, por e gjithë shoqëria njerëzore.

Vështirësitë me të cilat përballemi kërkojnë angazhimin dhe kontributin e secilit prej nesh, si individë dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, duke mbajtur në vëmendje interesin e qytetarëve që duan drejtësi.Në këtë drejtim, çdo gjyqtar duhet tëdalë tej qasjeve formaliste që nuk i shërbejnë as drejtësisë, as qytetarëve. Zbatimi strikt i procedurave ligjore nuk garanton në çdo rast efektivitet në gjykim. Procedura është në funksion të së drejtës materiale, prandaj nuk ka asnjë arsye, ligjore apo njerëzore që një çështje e pagjykuar prej vitesh të zvarritet edhe më shumë, vetëm për shkak formaldhe pa asnjë ndikim në zgjidhjen e konfliktit.

Ne të gjithë, në rolin që kemi si dhënës të drejtësisë ndeshemi me konflikte gjyqësoretë tilla, që presin prej vitesh në mjediset e gjykatave. Prandaj, le të vendosemi për një çast në vendin e qytetarëve dhe të provojmë, sa mundemi, të njëjtat ndjeshmëri.

Qytetarët dhe institucionet publike duhet të ndryshojnë konceptin për zgjidhjen e konflikteve. Në një botë që ecën me ritmin e shpejtë të zhvillimit të teknologjisë në çdo fushë, lindja dhe zgjidhja e konflikteve nuk mund të mbetet pas dhe të trajtohet ende me qasje klasike. Një gjë e tillë nuk kërkon as reformë ligjore, as masa të tjera teknike. Ato janë të pranishme, por thjesht duhen shfrytëzuar. Asnjë sistem gjyqësor në botë nuk ka kapacitetet për të zgjidhur me efektivitet, shpejt dhe drejt çdo konflikt njerëzor ose institucional, sado reforma moderne të ndërmerren. Rreziku që gjykatat të kthehen në mënyrë permanente në arkiva të çështjeve gjyqësore që nuk marrin përgjigje në kohë është i pranishëm dhe real. Kjo prirje jo vetëm nuk ndihmon në dhënien e drejtësisë në kohë, gjë që ul më shumë besimin e publikut, por krijon premisa për shtimin e konflikteve sociale dhe politike, zgjidhja e të cilave më pas është e vështirë të amortizohet nga sistemi i drejtësisë.

Sfida kryesore për gjyqësorin shqiptar është dhe mbetet kthimi i besimit të publikut tek sistemi.Gjyqësori e përmbush misionin e tij në mënyrë efektive vetëm kur publiku krijon besim se, gjykatat, edhe kur gabojnë, veprojnë krejtësisht të pavarura. Kjo do të thotë besim në një gjyqësor të pavarur, të ndershëm dhe të paanshëm, besim në standardet etike të gjyqtarit, besim se gjyqtari nuk shpreh pikëpamjet personale, besim se gjyqtarët nuk janë palë e interesuar në proces dhe se nuk janë duke luftuar për pushtetin e tyre, por për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Realizimi i këtij besimi do të thotë se, publiku e njeh legjitimitetin e vendimeve gjyqësore, edhe në qoftë se ai nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre.

I orientuar nga tema e këtij eventi të rëndësishëm, por edhe nga ndjeshmëria si gjyqtar për të bërë më të mirën në shërbim të drejtësisë, u përqendrova tek sfidat e sistemit të drejtësisë. Ato janë të shumta, por gjithësesi jo të pakapërcyeshme. Nuk kanë qenë të pakta sfidat as kur u caktua 10 maji i vitit 1913, si dita e miratimit të Kanunit të Zhurisë, aktit kryesor që i dha kuptim kësaj date. Megjithatë ja ku jemi, shumë kohë më pas, duke reflektuar për sfidat qëkemi dhe ato që na presin. Vështirësitë do jenë përherë të pranishme, ajo që duhet të ndryshojë është mënyra se si përballemi me to. Le të bëjë secili nga Ne më të mirën dhe suksesi do të shfaqet.

Jam besimplotë se sistemi i drejtësisë, sot e në të ardhmen, ka dhe do të ketë kapacitete njerëzore dhe intelektuale që dinë dhe duan që drejtësia të bëhet dhe të duket. Pavarësisht se drejtësia nuk është në ditën e saj më të mirë, shpresat për ndryshim nuk duhen humbur. Brezat e rinj të magjistratëve do të sjellin më shumë vitalitet dhe një qasje tëre, dy cilësiqë, së bashku me motivimin e duhur, krijojnë garancinë për një drejtësi më të mirë, më të prekshme. Prandaj, të gjithë ne, të tregojmë sa më shumë forcë, durim, këmbëngulje, mendje të kthjellët dhe mendje të hapur në detyrën tonë për t’i dhënë publikut drejtësinë e munguar.

Prof. As. Dr. Sokol Sadushi

Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë

sadushi

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte