E nderuar Znj. Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor,
I nderuar Z. Ministër i Drejtësisë,
Të nderuar drejtues të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë,
Të nderuar përfaqësues të organizmave ndërkombëtare që asistoni në organet e sistemit të drejtësisë,
Të nderuar gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë,
Zonja dhe Zotërinj,
Kënaqësinë e veçantë që të krijon hapja e Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve të të gjitha niveleve, do të dëshiroja ta ndaja me të gjithë Ju, të nderuar gjyqtarë.
Zgjedhja nga rradhët tona e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor që do të zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve u përfundon mandati 3 vjeçar, është arsyeja e prezencës së të gjithëve bashkë, në këtë sallë. Kompetencën kushtetuese për të formatuar në përbërje të plotë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si edhe zgjedhjen e një gjyqtari si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, do të duhet ta përmbush kjo Mbledhje e Përgjithshme e Gjyqtarëve.
Nëse, pas tre viteve të funksionimit të Këshillit kthejmë vështrimin pas, kur u zgjodhën 6 gjyqtarët, me të cilët u arrit për herë të parë konstituimi i një organi qeverisës, krejtësisht i riformatuar në përbërje dhe në kompetenca, gjithsecili e bën një analizë të kësaj përzgjedhje, për të kuptuar stadin në të cilin ndodhemi sot. Mund t’iu kujtohet gjyqtarëve që e ushtruan këtë kompetencë kushtetuese se sa i shumëpritur ishte konstituimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, ashtu si edhe sfidat që po ndërmerrnin anëtarët e zgjedhur për ushtrimin e një detyre të re dhe të ndryshme nga e mëparshmja.
Pas këtij rrugëtimi tre vjeçar vlerësojmë përkushtimin, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe objektivitetin e anëtarëve të Këshillit, në veçanti të 6 gjyqtarëve të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme, për përmbushjen e detyrës së ngarkuar dhe dhënien e legjitimitetit të duhur këtij institucioni kushtetues.
Këshilli i Lartë Gjyqësor u strukturua me objektivin e forcimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, nëpërmjet shkëputjes nga ndikimi i drejtpërdrejtë i institucioneve të tjera dhe, në veçanti, të shmangies së ndikimit nga politika. Te ky organ shpresohej dhe dëshirohej marrja e një roli edhe më të fuqishëm, jo vetëm për shkak të mënyrës së re të formatimit, por edhe të detyrave të ngarkuara, të cilat e mundësojnë konsolidimin e pozitës së trupës gjyqësore.
Jemi të ndërgjegjshëm për kompetencën e legjislativit që i ofron shumicës dhe pakicës parlamentare mundësinë për të ndikuar drejtpërdrejtë mbi përbërjen e Këshillit, nëpërmjet përzgjedhjes së 5 anëtarëve, jo gjyqtarë. Prandaj, merr shumë më tepër rëndësi mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve, si edhe roli që duhet të luajnë institucionet e arsimit të lartë, Shkolla e Magjistraturës, avokatia dhe shoqëria civile për të evidentuar dhe përzgjedhur kandidatët më të spikatur, me qëllim kufizimin e diskrecionit të politikës në këtë proces.
Në respekt të kësaj procedure, pavarësia e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të varet nga ata kandidatë që zgjedh Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Përderisa shumica e Këshillit rezulton të jetë shprehje e vullnetit të trupës gjyqësore është interesi i drejtësisë që duhet të mbizotërojë.
Nëse duam të dimë se si do të jetë në vijimësi veprimtaria e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duhet të vlerësojmë se sa e rëndësishme është kompetenca që Kushtetuta i ka besuar të gjithë gjyqtarëve të Republikës. Kjo është dhe mbetet një përgjegjësi e madhe e kësaj Mbledhje, e parë edhe në një realitet tjetër, që imponon zbatimi i reformës së thellë në drejtësi që kërkon një ridimensionim të rolit të Këshillit.
Sidoqoftë, pa pavarësinë, pa objektivitetin gjyqësor dhe pa besimin e publikut në sistem, nuk realizohet roli që gjyqtari ka në shoqëri. Një gjyqësor i fortë do të thotë, të paktën në parim, garanci më të forta për qytetarët. Por një gjyqësor i fortë premton edhe një institucion qeverisës të besueshëm dhe me legjitimitet në vendimmarrje.
Të gjithë flasim për rolin që duhet të ketë Këshilli i Lartë Gjyqësor, si një ndër organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ashtu si edhe për misionin që duhet të përmbush çdo gjyqtar, si anëtar i tij. Kryerja e detyrës nga një anëtar i Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk lidhet vetëm me pasjen prej tyre të koncepteve për Kushtetutën dhe ligjin, por me vizionin që duhet të krijojnë dhe me synimin që duhet të kenë për t’i dhënë besueshmëri vendimmarrjes së tyre.
Padyshim që askush nga Ne nuk do të donte të qeverisej, të vlerësohej, të promovohej, apo edhe të gjykohej nga anëtarë të këtij Këshilli dhe, për më tepër, nga gjyqtar që nuk mbartin cilësitë më të larta morale dhe profesionale. E njohim gjyqtarin si interpretues dhe kontrollues të legjislacionit, si krijues të jurisprudencës, si mbrojtës të Kushtetutës, por edhe si vendimmarrës në organin qeverisës, që siguron pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor. Në modelin e një gjyqtari duhet të mishërohen profesionalizmi, karakteri i fortë, virtytet e larta morale, korrektësia dhe përballja me të vërtetën për t’i rezistuar çfarëdo sulmi dhe për të arritur cilësinë në vendimmarrje.
Ky është modeli i gjyqtarit, për të cilët kemi kaq shumë nevojë dhe që të tillë, padyshim, kemi mes nesh. Prandaj, nga gjithsecili në këtë sallë kërkohet të përzgjidhet si anëtar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe si anëtar i Këshillit Drejtues në Shkollën e Magjistraturës një model gjyqtari që kupton rëndësinë e funksionit dhe që i shërben arritjes së objektivit për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës. Zgjedhja e kandidaturave më të mira mbetet qëllimi i kësaj Mbledhje të Përgjithshme. Na nevojitet modeli i gjyqtarit që i bën nder organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe që i krijon mundësinë gjyqësorit shqiptar të mos vijojë të etiketohet si joefikas, i prekur nga presioni dhe ndikimi politik, kërcënimet dhe korrupsioni, si dhe jep shpresën për ndërtimin e një sistemi drejtësie të besueshëm, të pavarur, profesional, që gëzon besimin e publikut dhe mundëson integrimin në familjen evropiane.
Ky është momenti për të bërë zgjedhjen e duhur. Dhe kjo zgjedhje ju është besuar juve, të nderuar gjyqtarë.
I uroj suksese Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për të evidentuar dhe për të përzgjedhur më të mirin mes më të mirëve.
Ju faleminderit.