Fjala e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori.

Fjala e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Z. Xhezair Zaganjori.

Tiranë, më 23.07.2015

Të nderuar kolegë e të ftuar,

Jemi mbledhur sot këtu, në këtë ceremoni, për të përuruar ambientet e reja të punës që i shtohen godinës së Gjykatës së Tiranës. Përshtatja dhe modernizimi i këtyre ambienteve në 13 salla të reja gjykimi do t’u krijojë më shumë hapësirë gjyqtarëve, stafit administrativ si dhe publikut. Ajo që është e veçantë por dhe e rëndësishme është fakti se këto ambiente u përshtatën me fondet e realizuara kryesisht nga vetë gjykata, dhe mendoj se në këtë aspekt duhen përshëndetur dhe vlerësuar përpjekjet, angazhimi dhe vendosmëria e drejtuesve të kësaj gjykate për konkretizimin e nismës së marrë. Ky, në gjykimin tim, përbën një shembull dhe eksperiencë shumë pozitive për t’u përvetësuar dhe për t’u zbatuar edhe nga drejtuesit e gjykatave të tjera.

Konstruksioni i gjykatave të reja apo rikonstruksonit të atyre ekzistuese, sipas standardeve bashkëkohore, është një proces të cilit i është kushtuar një vëmendje dhe rëndësi e veçantë nga strukurat përgjegjëse shtetërore. Dhe kjo jo pa qëllim. Krijimi i kushteve të nevojshme infrastrukturore përbën premisa bazë për mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Realizimi i aktivitetit të gjykatës në godina me infrastrukturë bashkëkohore, ka impakt të drejtpërdrejtë e të dukshëm në përmirësimin e kushteve të punës, zhvillimin e proceseve gjyqësore me solemnitet dhe transparencë të plotë, si dhe përmbushjen e të gjitha shërbimeve gjyqësore që i sigurohen publikut në gjykatë.

Sikurse jeni dhe vetë dëshmitare, kushtet fizike të punës në shumë gjykata në përgjithësi nuk janë në nivelin e dëshiruar. Ndonëse ka patur mjaft përmirësime në këtë drejtim, qoftë nëpërmjet financimit nga buxheti i shtetit apo partnerët ndërkombëtarë, ende ka gjykata të cilat nuk kanë ambiente të përshtatshme pune, pa salla gjykimi të mjaftueshme, ku shumë herë seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve, duke penguar në këtë mënyrë transparencën dhe efikasitetin e gjykatave. Kjo situatë pa dyshim ndikon negativisht në administrimin eficient dhe cilësor të shërbimeve gjyqësore ndaj publikut.

Gjykata është një ndërtesë publike dhe si e tillë ajo është përfaqesimi fizik i këtij institucioni në sytë e publikut. Në çdo qytet ajo është simboli më i lartë i autoritetit shtetëror, ku formësohet ndjenja e komunitetit për rendin dhe drejtësinë dhe ku krijohet kultura ligjore qytetare lidhur me rrugën dhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Për këtë qëllim, ambientet e gjykatës jo vetëm duhet të jenë të përshtatshme dhe komforte, por ato duhet që të reflektojnë në të njëtjën kohë pavarësinë, dinjitetin si dhe rëndësinë që kanë në sistemin tonë gjyqësor. Është e vetëkuptueshme që qytetarët të mos gëzojnë respektin e mjaftueshëm për gjykatat dhe për ligjin, nëse ata përballen me ambiente që nuk i pergjigjen staturës dhe pozicionit të saj të rëndesishëm institucional, pra si vendi ku jepet drejtësia.

Një gjykatë e ndërtuar në përputhje me standardet arkitekturore e urbanistike, me ambiente komode, funksionale, me salla gjykimi dhe zyra të bollshme dhe të mirëdizenjuara, ka aftësinë që të ngjallë tek publiku parimin e rëndësishëm të një gjykate të hapur, të integritetit, solemnitetit dhe seriozitetit, si dhe të sigurojë aksesin e lehte dhe sigurinë e nevojshme për qytetarët, duke mundësuar në të njëjtën kohë lehtesimin e ndërveprimit dhe komunikimit të gjyqtarëve dhe stafit administrativ me publikun dhe operaroreët e tjerë juridike.

Tashmë kemi hyrë në një fazë të rëndësishme, ku sistemi gjyqësor po i nënshtrohet reformave të thella, të cilat do të synojnë përsosjen e mëtejshme të veprimarisë së tij, duke e shndërruar atë në një sistem modern, eficent, transparent dhe të besueshëm. Përmirësimi i mëtejshem i organizimit dhe i funksionimit të sistemit gjyqesor, në funksion të rritjes së pavarësisë së tij si dhe të eficencës së punës në administrimin e drejtësisë, sipas standardeve të vendeve evropiane, është në fokus të veçantë të grupevë te punës të ngritur në kuadër të reformës, komponent i së cilës është synuar të jetë edhe modernizimi infrastrukturor i gjykatave.

Pritshmëritë tona, por dhe të publikut për realizimin me sukses të kësaj reforme dhe impaktit të saj në sistemin gjyqësor, janë të mëdha dhe në këtë kuadër edhe kontributet tona si gjyqtarë duhet të jenë maksimale, të koordinuara dhe të mirëstudiuara.

Nuk më mbetet tjetër, veç të përshëndes dhe përgëzoj drejtuesit e gjykates për punën e bërë dhe t’i uroj trupës gjyqësore të kësaj gjykate punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e detyrës në ambientet e reja.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte