Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë

MISIONI: Drejtori i shërbimit të teknologjisë së informacionit siguron mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemin hardware dhe software të Gjykatës. Kjo përfshin sistemin e çdo të dhëne që mban Gjykata, jo vetëm në lidhje me vendimmarrjen e saj por edhe me sigurinë dhe ruajtjen fizike të godinës dhe të punonjësve të saj.

QËLLIMI I POZICIONIT TË PUNËS: Drejtori i Shërbimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë synon të garantojnë mirëfunksionimin e plotë dhe pa pengesa të sistemeve të teknologjisë së informacionit (hardware, software) të Gjykatës si një mjete të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e punës. Gjithashtu, ai përgjigjet edhe për sigurinë e godinës, gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të Gjykatës gjatë kohës që ata gjenden fizikisht brenda saj.

DETYRA KRYESORE: Drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Sigurisë ushtron në veçanti këto kompetenca: Mirëmban sistemin ekzistues të kompjuterave dhe aparaturave të tjera elektronike, duke përfshirë hardware dhe software; Propozon ide dhe strategji lidhur me mjetet dhe teknologjinë e avancuar të informacionit dhe sigurisë në Gjykatë; Bashkëpunon dhe mban lidhje me sektorët e tjerë për përditësimin e të dhënave të sistemit dhe përmirësimin e teknologjisë në Gjykatë, pasi konsultohet me drejtorinë përkatëse në KLGJ; Monitoron, administron dhe mirëmban infrastrukturën kompjuterike dhe informatike në Gjykatën e Lartë me anë të operacioneve periodike për të garantuar funksionimin e tyre normal, përfshirë këtu (por duke mos u kufizuar me to) testimin e pajisjeve, monitorimin, përditësimin, dhe kryerjen e kopjeve rezervë dhe raporteve, etj.; Ofron mbështetje pa vonesë në raste kërkesash për problemet kompjuterike nga stafi i Gjykatës; Mirëmban dhe mbështet infrastrukturën informative të Gjykatës së Lartë: rrjetin e brendshëm kompjuterik (LAN/WAN) dhe siguron komunikimin e të dhënave; Instalon, mirëmban dhe mbështet aplikacione të ndryshme software në Gjykatë; Përgjigjet për përditësimin e informacioneve në faqen zyrtare të Gjykatës, pas përgatitjes së përmbajtjes së tyre nga drejtoritë përkatëse; Harton dhe zbaton politikën e sigurisë informative të Gjykatës duke instaluar, konfiguruar, dhe mirëmbajtur sisteme kundër programeve dashakeqëse, ndërhyrëse (mure mbrojtës, antiviruse, etj.; Ofron udhëzime dhe trajnime për stafin e Gjykatës, sipas nevojës, për përdorimin e programeve që përdoren në Gjykatë; Analizon kërkesat e reja të teknologjisë dhe përpilon analiza konkurruese; Harton dhe monitoron respektimin e standardeve të teknologjisë së informacionit që janë tepër të rëndësishme për integritetin, sigurinë dhe performancën e infrastrukturës teknike të Gjykatës; Mbikëqyr zbatimin dhe performancën e të gjitha nismave që Gjykata ndërmerr në lidhje me teknologjinë; Përgatit në bashkëpunim me Drejtorinë e Administrimit Gjyqësor statistika për qëllime raportimi periodik pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, apo institucione të tjera sipas rastit ose për përdorim të brendshëm të matjes së elementëvë të ndryshëm të administrimit gjyqësor dhe të performancës së Gjykatës dhe nëpunësve civil gjyqësore të saj në tërësi; Përgjigjet së bashku me përgjegjësin e sektorit të sigurisë për funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemit konvencional dhe/ose elektronik/digjital të sigurisë së Gjykatës, si dhe të çdo lloj problemi që lidhet me të; Përgjigjet së bashku me përgjegjësin e sektorit të sigurisë për masat e sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore me pjesëmarrje të palëve, që nga momenti i ardhjes së tyre deri në përfundimin e seancës dhe shoqërimin e tyre jashtë mjedisit të Gjykatës; Merr masa dhe jep udhëzime për sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të Gjykatës gjatë kohës që ato janë brenda mjedisve të Gjykatës, duke urdhëruar shoqërimin nga specialisti i sigurisë të cdo personi të jashtëm në zyrat e Gjykatës, gjatë gjithë kohës që janë në mjediset e saj; Merr masa kur është e nevojshme të asistojnë punonjësit e Drejtorisë së Administrimit Gjyqësor si dhe të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë kur i shërbejnë drejtpërdrejt publikut.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte