MISIONI: Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë kujdeset për informimin e publikut dhe medias, brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me veprimtarinë e gjykatës në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Transparenca dhe publiciteti mbi veprimtarinë e Gjykatës së Lartë duhet të jetë në fokus të veprimtarisë së kësaj drejtorie dhe të drejtuesit të saj. Ky mision duhet të kryhet duke u bazuar në krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve profesionale dhe etike me publikun, si dhe kujdeset për komunikimin e përditshëm me të gjithë përdoruesit e gjykatës në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit. Shërbimet e marrëdhënieve me publikun kryhen duke respektuar parimin për të drejtën e informimit, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, privatësinë dhe të dhënave personale, reputacionin dhe prezumimin e pafajësisë. Gjithashtu, në mbajtjen e marrëdhënieve me gjykatat homologe ose anëtarësinë në organizata ndërkombëtare ruhet në çdo rast reciprociteti dhe respekti ndaj partnerëve dhe politikave kombëtare dhe institucionale sipas rastit.
QËLLIMI I PËRGJITHSHËM I POZICIONIT TË PUNËS: Shërbimet e Drejtorisë në përgjithësi dhe të Drejtorit në vecanti synojnë të garantojnë zbatimin e të drejtës së informimit mbi veprimtarinë e gjykatës në funksion të transparencës që Gjykata duhet të tregojë, duke garantuar në të njëjtën kohë edhe të drejtën për ruajtjen e të dhënave personale. Drejtori i kësaj njësie mban parasysh prezantimin me dinjitet dhe korrektësi të të gjithë veprimtarisë së Gjykatës, brenda dhe jashtë vendit duke u bazuar në parimet e parashikuara në Ligjin për Pushtetin Gjyqësor dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e informimit, si dhe orientimet dhe udhëzimet e gjyqtarit të medias dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për publicitetin dhe informimin sipas rastit. Gjithashtu, drejtori bën përpjekje të vazhdueshme që të bëjë sa më të njohur Gjykatën në raport me gjykatat dhe institucionet relevante ndërkombëtare.
DETYRAT KRYESORE: Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë ushtron këto kompetenca: Përgjigjet për caktimin e pikës së kontaktit për të informuar publikun sipas orarit të miratuar nga Këshilli i Gjykatës, sqaron të interesuarit (përfituesit e gjykatës) dhe, sipas rastit, bashkëpunon me njësinë përkatëse kompetente të Gjykatës për zgjidhjen e çështjes ose përgatitjen e përgjigjes; Vepron si koordinator në përputhje me ligjin për kompetencat e koordinatorit për të drejtën e informimit; Kujdeset për hartimin në kohë dhe me cilësi të përgjigjeve me shkrim ndaj kërkesave, ankesave dhe deklarimeve të shtetasve, pas konsultimit me nëpunësin civil gjyqësor përgjegjsë në Gjykatë; Kujdeset për mbajtjen dhe ruajtjen e regjistër të veçantë ku shënohen të gjitha veprimtaritë e ndërmarra: data, subjekti që ankohet, shkurtimi i kërkesës ose ankesës dhe mënyra e veprimit nga Sektori; Përgatit dokumente strategjikë dhe/ose politikë të gjykatës në lidhje me mënyrën e zhvillimit të mëtejshëm dhe përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe komunikimit me publikun për të siguruar njëtrajtshmëri dhe mosdiskriminim në trajtimin e të interesuarve (përfituesve) si dhe në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit; Gjithashtu, me propozimin e përgjegjësit të sektorit të marrëdhënieve me jashtë harton, planifikon dhe kujdeset për realizimin e bashkëpunimeve të Gjykatës me gjykata të huaja partnere ose në organizata rajonale, europiane dhe ndërkombëtare, sipas rastit; Kujdeset që publikut t’i sigurohet informacion faktik rreth vendimeve gjyqësore dhe për korrigjimin e gabimeve të mundshme mbi faktet për çështje të caktuara; Përgatit çdo dokument tjetër që i kërkohet nga Kancelari, gjyqtari i medias.