Buletini informativ 2023 - 7

1. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

1. Detyrimet financiare ndaj punonjësve realizohen vetëm mbi bazën e vendimit gjyqësor (Fjalë kyçe: Akt administrativ i pavlefshëm, mbajtje page, detyrim financiar)

vendimin nr.00-2023-2210(195), datë 01.06.2023, për konstatimin e pavlefshëm të aktit administrativ, KAGJL vlerëson se shkresa për arkëtimin e shumave monetare pas gjetjeve të auditit nuk përbën një akt absolutisht të pavlefshëm, por një njoftim që nuk krijon asnjë pasojë juridike për palën paditëse, pasi nuk është më punonjës pranë palës së paditur dhe është e pamundur që t`i mbahet paga. Kur ndaj punonjësve ekzistojnë detyrime financiare, organi publik ka detyrimin që t`i drejtohet gjykatës për të provuar këto detyrime dhe jo të veprojë në mënyrë të njëanshme e arbitrare. /web/195_00_2023_2210_17761.doc

2. Gjykata kompetente për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës në ndërmarrjet me kapital shtetëror (Fjalë kyçe: Kompetencë lëndore, gjykata kompetente, ndërmarrje me kapital shtetëror, marrëdhënie pune)

vendimin nr.00-2023-2197(200), datë 01.06.2023, KAGJL çmon se paditësi ka ushtruar detyrën pranë një ndërmarrjeje me kapital shtetëror në pronësi të organit të vetëqeverisjes vendore, por që ka personalitet juridik të pavarur nga bashkia dhe për rrjedhojë kompetenca për gjykimin e mosmarrëveshjes së punës i përket gjykatës civile. /web/200_00_2023_2197_18187.doc

3. Llogaritja e periudhës tatimore për detyrimet tatimore që burojnë nga marrëveshjet/kontratat koncesionare e/të miratuara me ligj (Fjalë kyçe: Detyrim tatimor, tatim-fitimi, periudhë tatimore, vit ushtrimor, koncension)

vendimin nr.00-2023-2429(220), datë 15.06.2023, KAGJL vëren se sipas kontratës së miratuar me ligj, koncesionari përjashtohet nga tatim-fitimi për 5 vite të plota ushtrimore, pas vitit të tretë, duke filluar llogaritja e viteve 90 ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes. Sipas Gjykatës, periudha tatimore është një koncept bazë që lidhet me veprimtari tatimore deklaruese, llogaritëse, rishikuese, etj. të subjekteve tatimore dhe në kuptim të ligjit organik për tatimin mbi vlerën e shtuar kjo periudhë fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor të çdo viti kalendarik. /web/220_00_2023_2429_18044.doc

4. Ndërprerja e marrëdhënieve të punës së policëve bashkiakë bëhet sipas Kodit të Punës (Fjalë kyçe: Marrëdhënie pune, polic bashkiak, ligj i zbatueshëm)

vendimin nr.00-2023-2717(231), datë 22.06.2023, KAGJL çmon se policët bashkiakë emërohen dhe shkarkohen nga kryetari i bashkisë. Ndonëse policët bashkiakë gëzojnë mbrojtje të njëjtë ligjore me punonjësit e policisë së shtetit, ligji organik për Policinë e Shtetit nuk gjen zbatim për rastet e largimit nga detyra të policëve bashkiakë dhe në këto kushte, zgjidhja e marrëdhënies së tyre të punës bëhet mbështetur në dispozitat e Kodit të Punës. /web/231_00_2023_2717_18047.doc

5. Ndërgjyqësia e detyrueshme në gjykimet e nisura nga nëpunësit civilë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (Fjalë kyçe: Ndërgjyqësi e detyrueshme, palë e paditur, nëpunës i lartë drejtues, Trupë e Nivelit të Lartë Drejtues, Departamenti i Administratës Publike)

vendimin nr.00-2023-2560, datë 22.06.2023, KAGJL çmon se në proceset gjyqësore të nisura nga nëpunësit civilë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, për kundërshtimin e lirimit nga pozicioni i rregullt drejtues, Departamenti i Administratës Publike përfshihet tek ndërgjyqësit e detyrueshëm si palë e paditur. /web/00_2023_2560_18174.doc

6. Rekursi haptazi i pabazuar është sjellje abuzive dhe dënohet me gjobë (Fjalë kyçe: Rekurs haptazi i pabazuar, sjellje abuzive, gjobë, titull ekzekutiv)

vendimin nr.00-2023-3253, datë 03.07.2023, KAGJL çmon se rekursi haptazi i pabazuar është i papranueshëm nga Gjykata e Lartë dhe përbën sjellje abuzive të palës me të drejtat në proces. Rekursi haptazi i pabazuar mund të shoqërohet me gjobë të paankimueshme në gjykatën më të lartë dhe është titull ekzekutiv. /web/00_2023_3253_18678.doc

7. Kërkesë për rivendosjen në afat të ankimit i bashkëlidhet edhe ankimi – Vendim njësues (Fjalë kyçe: Rivendosje në afat, e drejta e ankimit)

vendimin nr.00-2023-4279(259), datë 07.07.2023, KAGJL çmon se në kuptim të neneve 152 dhe 458 të Kodit të Procedurës Civile, në të gjitha gjykimet administrative ku paraqitet një kërkesë për rivendosjen në afat të ankimit, kërkuesi ka detyrimin që t’i bashkëlidhë kërkesës edhe aktin procedural të ankimit, për të cilin kërkohet rivendosja në afat. /web/259_00_2023_4279_19828.doc

8. Parashkrimi i padisë për dëmin jashtëkontraktor në gjykimin administrativ dhe civil (Fjalë kyçe: Dëm jashtëkontraktor, shpërblim dëmi, parashkrim i padisë, proces civil, proces penal)

vendimin nr.00-2023-3348(275), datë 26.07.2023, KAGJL çmon se përgjegjësia civile e organeve shtetërore në gjykimin administrativ është më e gjerë se përgjegjësia civile e subjekteve private në gjykimin civil. Organet publike nuk përgjigjen vetëm kur cenohen interesat e ligjshme të palëve të treta, por edhe kur nga veprimet apo mosveprimet e ligjshme të tyre u shkaktohet një dëm i pabarabartë subjekteve të cilëve u drejtohen ato apo kur veprimtaria e organit paraqet rrezik të vazhdueshëm ndaj personave të tretë. KAGJL vëren se parashkrimi i padisë për kërkimin e shpërblimit të dëmit jashtëkontraktor nis nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar atë, dy kushte kumulative këto. Për shkak se përcaktimi i kohës së marrjes dijeni për faktin dhe personin/organin që ka shkaktuar dëmin është një çështje e cila lidhet me dinamika të ndryshme, KAGJL vlerëson se nuk mund të arrihet në një përfundim të unifikuar nëse në çdo rast duhet pritur përfundimi i hetimit/gjykimit penal, për të ngritur padi për shpërblim dëmi jashtëkontraktor ndaj organeve publike, në rastet kur për ngjarjen që ka shkaktuar dëmin civil janë çelur edhe hetime penale. /web/275_00_2023_3348_18670.doc

9. Mosmarrëveshjet e punës së administratorëve të fakulteteve publike zgjidhen nga gjykata administrative (Fjalë kyçe: Kompetencë lëndore, gjykatë administrative, administrator, fakultet publik, marrëdhënie pune)

vendimin nr.00-2023-3140, datë 27.07.2023, KAGJL çmon se mosmarrëveshjet e punës së administratorëve të fakulteteve publike gjykohen nga gjykatat administrative, pasi marrëdhënia e tyre e punës rregullohet nga ligji i posaçëm për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. /web/00_2023_3140_18945.doc

10. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është shkak për rishikimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë (Fjalë kyçe: Rishikimi i vendimit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shkak i rishikimit)

vendimin nr.00-2023-3470, datë 14.09.2023, KAGJL çmon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të dhëna në favor të palës nuk mund të shërbejnë si shkak për rishikimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë në kuptim të nenit 494 të Kodit të Procedurës Civile. Rrethana apo prova e vlefshme për rishikim duhet të ekzistojë gjatë gjykimit të themelit, por nuk duhet të dihet nga palët dhe të jetë thelbësore për zgjidhjen e çështjes. /web/00_2023_3470_19100.doc

11. E drejta e punonjësit të policisë së shtetit për rikthim në detyrë (Fjalë kyçe: Punonjës i Policisë së Shtetit, nëpunës civil, marrëdhënie pune, rikthim në detyrë)

vendimin nr.00-2023-4056, datë 19.10.2023, KAGJL çmon se në zbatim të vendimeve njësuese civile të Gjykatës së Lartë nr.31/2003 dhe nr.7/2011 dhe ligjit të posaçëm nr. 9749/2007 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, e drejta e policëve për rikthim në detyrë nuk gëzon mbrojtje ligjore. Me hyrjen në fuqi të ligjit nr.153/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, që rezulton i zbatueshëm edhe për shkak të vendimit nr.5/2014 të Gjykatës Kushtetuese, punonjësi i policisë është nëpunës civil dhe ndaj tij gjen zbatim ligji i ri, për aq sa nuk parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm. /web/00_2023_4056_mp_19916.doc

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

1. Momenti i llogaritjes së afatit të parashkrimit të dënimit (Fjalë kyçe: Afati i parashkrimit të dënimit, ekzekutim vendimi)

vendimin nr.00-2023-993(181), datë 13.07.2023, KPGJL çmon se momenti i fillimit të ecjes së afatit të parashkrimit të dënimit të dhënë për të pandehurin nuk llogaritet nga data kur është lëshuar urdhri i ekzekutimit të vendimit, por nga data kur vendimi i dënimit ka marrë formë të prerë. Dënimi i dhënë duhet të konstatohet i shuar, kur nga momenti që vendimi ka marrë formë të prerë deri në datën kur është paraqitur kërkesa në gjykatë ka kaluar afati 20 vjet i parashkrimit të ekzekutimit të këtij vendimi. /web/181_00_2023_993_copy_1_19761.doc

2. I dënuari ndalohet të emërohet në një funksion publik në zbatim të ligjit nr. 138/2015, të ndryshuar ( Fjalë kyçe: Integritet, funksionar publik, shkak ndalues, dënim penal, deklarim i rremë, deklarim i pasaktë, formular vetëdeklarimi, fshehje e të dhënave)

vendimin nr.00-2023-1569(215), datë 24.07.2023, KPGJL arsyeton se, në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i dënuari ndalohet që të zgjidhet ose emërohet në organet e zgjedhura shtetërore, institucionet e pavarura dhe atyre të krijuara me ligj të administratës publike etj. Deklarimi i pasaktë në formularin e vetëdeklarimit të çdo dënimi të formës së prerë përbën paraqitje të rrethanave të rreme në kuptim të ligjit penal. /web/215_00_2023_1569_19487.doc

3. Konstatimi i shuarjes/zëvendësimit të masës së sigurimit bëhet në prezencë të palëve, duke respektuar kontradiktoritetin (Fjalë kyçe: Kontradiktoritet, shuarje mase sigurimi, zëvendësim mase sigurimi)

vendimin nr.00-2023-1329(222), datë 25.07.2023, KPGJL arsyeton se gjykimi i konstatimit të shuarjes dhe zëvendësimit të masës së sigurimit duhet të realizohet duke respektuar kontradiktoritetin e palëve, të cilët, nëse e çmojnë, paraqesin provat përkatëse dhe kundërshtojnë ato të paraqitura nga pala tjetër. /web/222_00_2023_1329_19240.doc

4. Diskrecioni i gjykatës në përfitimin e uljes së dënimit (Fjalë kyçe: Ulje dënimi, masë përfitimi, diskrecion i gjykatës)

vendimin nr.00-2023-1326(228), datë 25.07.2023, KPGJL arsyeton se, sipas ligjit të posaçëm, e drejta për të kërkuar uljen e dënimit ka një kufi deri në 90 ditë dhe gjykata ka diskrecion për të përcaktuar saktë masën shpërblyese të dënimit të pavuajtur brenda këtyre kufijve. /web/288_00_2023_1326_19654.doc

5. Shqyrtimi i kërkesës për pushimin e çështjes dhe caktimin e masës mjekësore (Fjalë kyçe: Gjyqtar i seancës paraprake, masë mjekësore, caktim i masës mjekësore, pushim gjykimi)

vendimin nr.00-2023-1333, datë 28.07.2023, KPGJL vlerëson se gjyqtari i seancës paraprake nuk mund të pushojë çështjen dhe caktojë masa mjekësore ndaj personit nën hetim, pasi një gjë e tillë duhet t`i kërkohet gjyqtarit të themelit nga prokurori. Në funksion të zgjidhjes së konfliktit të kompetencës, Kolegji çmon se gjyqtari i seancës paraprake duhet të kthejë çështjen tek prokurori për të bërë të mundur ushtrimin e ndjekjes penale përmes paraqitjes së kërkesës për gjykimin e çështjes dhe për caktimin e masës mjekësore. /web/00_2023_1333_k_19223.doc

6. Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit nuk përfshin publikimet në rrjete sociale (Fjalë kyçe: Riprodhim i veprës së tjetrit, rrjet social, përgjegjësi civile)

vendimin nr.00–2023–1416(237), datë 14.09.2023, KPGJL shprehet se nuk përbën vepër penale “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit” publikimi i videogramit në rrjetin social “Facebook” (sepse nuk bën pjesë në kategorinë e veprave të autorëve që merren në mbrojtje nga ligji penal). Publikuesi i videogramit mund të përgjigjet civilisht për shkelje të të drejtës së autorit, nëse provohet. /web/237_00_2023_1416_19746.doc

7. Përgjegjësia e të gjykuarit për të dhënat e identitetit të tij (Fjalë kyçe: Shmangja nga hetimi/gjykimi)

vendimin nr.00-2023-1407, datë 14.09.2023, KPGJL arsyeton se është detyrimi i të gjykuarit që të deklarojë para autoriteteve të huaja të dhëna të sakta në lidhje me identitetin, adresën e tij dhe mbrojësin e zgjedhur, në mënyrë që njoftimet të depozitohen në këto adresa. Në rast mosdeklarimi të saktë, nuk mund të pretendohet për "vënie në diskutim të identitetit të të gjykuarit" dhe "gjykim në mungesë". /web/00_2023_1407_copy_1_19442.doc

8. Vlera e dëshmisë gjatë hetimeve paraprake lidhet me besueshmërinë e dëshmitarit (Fjalë kyçe: Vlera e dëshmisë, prova, hetime paraprake)

vendimin nr.00–2023–1419(239), datë 14.09.2023, KPGJL çmon se në procesin e identifikimit të cilësisë dhe vlerës së provës që përftohet nga dëshmitë/thëniet e personave të marra në gjykim, që nuk përputhen me deklarimet e dhëna prej tyre në një fazë tjetër të procesit penal, pasi thëniet kontradiktore “asgjësojnë njëra-tjetrën”, duke goditur besueshmërinë e personit dhe bërë dëshminë e tij si “të pavërtetë”, por jo domosdoshmërisht anasjelltas, pra kjo nuk ka efektin e bërjes së thënieve gjatë hetimeve paraprake, si “të vërteta”. /web/239_00_2023_1419_19437.doc

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

1. Shuarja e dorëzanisë – Vendim njësues (Fjalë kyçe: Dorëzania, shuarja e dorëzanisë, titull ekzekutiv, urdhër ekzekutimi, padi, debitor, kreditor, mjet procedural, afat parashkrimi, afat prekluziv)

vendimin nr.4411(106), datë 02.03.2023, KCGJL vlerëson se për aktet që përmbajnë detyrime në të holla dhe që sipas nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile janë tituj ekzekutivë, kërkesa e kreditorit për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit është e barazvlefshme, përsa i përket efekteve juridike që sjell, me padinë e ngritur sipas nenit 600 të Kodit Civil. Për aktet që janë tituj ekzekutivë mjeti procedural me të cilin dorëzanësi mund të kërkojë shuarjen e dorëzanisë është padia për pavlefshmërinë e këtij titulli. Afati 6 (gjashtë) mujor i përcaktuar në nenin 600 të Kodit Civil është një afat parashkrimi dhe jo prekluziv. Kontrata e dorëzanisë fillon të japë efektet e parashikuara në ligj që në momentin e lidhjes së saj dhe cilësia e debitorit dhe dorëzanësit barazohet në momentin që detyrimi bëhet i kërkueshëm. Si rregull, kreditori mund t’i drejtohet si debitorit ashtu edhe dorëzanësit. Cilësia e dorëzanësit me atë të debitorit barazohen vetëm për pjesën e detyrimit, radhën e ekzekutimit dhe ndarjen e detyrimit mes disa dorëzanësve bëhet ashtu si palët mund të kenë përcaktuar në kontratën e dorëzanisë. /web/106_00_2023_4411_19957.doc

2. Kundërshtimi i veprimeve tjetërsuese me keqbesim të debitorit (Fjalë kyçe: Shlyerje detyrimi, tjetërsim pasurie, e drejta regresit ndaj debitorit, padia pauliana)

vendimin nr.00-2023-4188(431), datë 05.07.2023, për pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit, KCGJL shprehet se personi hipotekues që shlyen detyrimin për llogari të debitorit me sendin e tij, si rezultat i një procedurë të detyrueshme ekzekutimi, ose për të mbrojtur sendin e tij nga shitja, fiton të drejtën e kreditorit përballë debitorit. Hipotekuesi e shlyen detyrimin vetëm me pasurinë e vendosur si garanci. Për rrjedhojë, personi i tretë hipotekues gëzon të drejtën e regresit ndaj debitorit dhe ka të drejtë që të kundërshtojë veprimet tjetërsuese në pakësim të pasurisë së tij. /web/431_00_2023_4188_19978.doc

3. Kushtet për përcaktimin e përgjegjësisë civile sipas neneve 609 dhe 622 të Kodit Civil (Fjalë kyçe: Dëmi jashtëkontraktor, përgjegjësi civile, lidhje shkakësore)

vendimin nr.00-2023-3264(492), datë 26.07.2023, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KCGJL shprehet se ekzistenca e përgjegjësisë civile sipas nenit 622 të Kodit Civil provohet nga lidhja shkakësore mes dëmit dhe sjelljes së personit që e ka shkaktuar atë. Përgjegjësia civile në rastin e veprimtarive të rrezikshme për nga natyra e tyre prezumohet, pavarësisht nëse janë kryer apo jo veprime të kundërligjshme me apo pa faj. Ndërkohë, neni 609 i Kodit Civil përcakton se, për pranimin e përgjegjësisë civile jashtëkontraktore, duhet të vërtetohet lidhja shkakësore materiale ndërmjet sjelljes (veprimit a mosveprimit) së paligjshme me faj dhe dëmit të shkaktuar. /web/492_00_2023_3264_19474.doc

4. Gjykimi i kërkesave për masë sigurimi kur gjyqtari heq dorë (Fjalë kyçe: Masë sigurimi, heqje dorë e gjyqtarit, papajtueshmëri e gjyqtarit)

vendimin nr.00-2023-3133, datë 26.07.2023 për kundërshtimin e vendimit të ndërmjetëm për marrjen e masës së sigurimit të padisë, KCGJL shprehet se pavarësisht të metave ose shkeljeve procedurale të konstatuara në zhvillimin e procesit gjyqësor apo interpretimit të ligjit, çështja me objekt sigurim padie duhet të shqyrtohej në themel nga gjykata e shkallës së dytë pa e kthyer për rigjykim, duke garantuar respektimin e procesit të rregullt ligjor, si në procedurë ashtu dhe në marrjen e vlerësimin e provave. Kërkesa për heqje dorë nuk e përjashton automatikisht gjyqtarin nga shqyrtimi i kërkesave të ngutshme, si në rastin e masave të sigurimit. /web/00_2023_3133_18996.doc

5. Gjykata kompetente për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit (Fjalë kyçe: Urdhër ekzekutimi, kompetencë tokësore, titull ekzekutiv)

vendimin nr.00-2023-3114, datë 26.07.2023, për përcaktimin e kompetencës tokësore, KCGJL shprehet se shqyrtimi i kërkesave për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit bëhet pa praninë e palëve. Çështja e kompetencës tokësore nuk mund të vihet në diskutim nga gjykata, për sa kohë nuk ka palë kundërshtare që të prapësojë në këtë drejtim. /web/00_2023_3114_18834.doc

6. Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për njohjen e vjetërsisë në punë dhe llogaritjen e masës së pensionit (Fjalë kyçe: Kompetencë lëndore, mosmarrëveshje administrative, njohje e vjetërsisë në punë, llogaritja e pensionit)

vendimin nr.00-2023-3653, datë 13.09.2023, për kompetencën lëndore, KCGJL çmon se kur paditësi kërkon njohjen e vjetërsisë në punë dhe detyrimin e organit publik që t’i llogarisë masën e pensionit, mosmarrëveshja është administrative dhe duhet të gjykohet nga gjykata administrative. /web/00_2023_3653_k_19768.doc

7. Kushtet për çeljen e procedurës së falimentimit (Fjalë kyçe: Procedurë falimentimi, kushtet e falimentimit, shoqëri tregtare, paaftësi paguese, status pasiv)

vendimin nr.00-2023-3644(500), datë 13.09.2023, për çeljen e procedurës së falimentit, KCGJL thekson se paaftësia paguese e shoqërisë tregtare nuk është shkaku i vetëm për hapjen e procedurës së falimentimit. Për këtë qëllim, ligji ka parashikuar dhe një serë kushtesh të tjera si: (1) Periudha 2-vjeçare e shoqërisë tregtare me status pasiv; (2) rezultate me humbje për tre vjet rresht; (3) moskryerja e veprimtarisë tregtare për dy vjet, etj. /web/500_00_2023_3644_19910.doc

8. Pamundësia për përmbushjen e detyrimit për ushqim (Fjalë kyçe: Legjitimitet aktiv, detyrim për ushqim, radha e detyrimit)

vendimin nr.00- 2023-3457(507), datë 20.09.2023, KCGJL shprehet se nëna që ka kujdestarinë e fëmijës pas zgjidhjes së martesës dhe/ose kujdestari ligjor i fëmijës së mitur gëzojnë legjitimitetin aktiv që të kërkojnë pagimin e detyrimit për ushqim për llogari të fëmijës. Kur personat e ngarkuar për dhënien e detyrimit për ushqim nuk janë në gjendje që ta japin, detyrimi u kalon tërësisht ose pjesërisht personave që janë në radhë të mëpasshme sipas nenit 192 të Kodit të Familjes. /web/507_00_2023_3457_19433.doc

9. Ligji i zbatueshëm në vendimmarrjen për ushtrimin e të drejtës prindërore (Fjalë kyçe: Zgjidhje martese, detyrim ushqimor, e drejta prindërore, interesi më i lartë i fëmijës)

vendimin nr.00-2023-3458(512), datë 20.09.2023, për zgjidhjen e martesës dhe lënien e fëmijës për rritje dhe edukim, KCGJL vlerëson se për rregullimin e pasojave të martesës gjykata e apelit duhej të mbante parasysh kërkesat e ligjit për të drejtën ndërkombëtare private, ligjin italian dhe atë shqiptar që rregullojnë marrëdhëniet familjare. Kur ngrihen kërkime për ushtrimin e të drejtës prindërore, gjykata mban gjithnjë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës dhe kur palët ngrenë pretendime për zbatimin e gjësë së gjykuar, sepse konflikti është zgjidhur me vendim të një gjykate të huaj dhe gjykata duhet të hetojë dhe t`u japë zgjidhje këtyre pretendimeve. /web/512_00_2023_3458_19435.doc

10. Kushtet për ripërtëritjen e kontratës së qirasë (Fjalë kyçe: Kontratë qiraje, ripërtëritje kontrate, detyrim kontraktor, përmbushje detyrimi kontraktor)

vendimin nr.00-2023-3698, datë 27.09.2023, KCGJL shprehet se ripërtëritja e kontratës bëhet nëse përmbushen kushtet në kuptim të nenit 821 të Kodit Civil dhe kur palët në heshtje vazhdojnë marrëdhënien juridike. Posedimi në vazhdim i sendit nga qiramarrësi edhe pas përfundimit të afatit të kontratës nuk mund të konsiderohet si përtëritje e saj, sepse në thelb mungon vullneti i palëve, për sa kohë që disa muaj para përfundimit të afatit nuk është paguar qiraja dhe nuk ka pasur komunikim shkresor mes palëve. /web/00_2023_3698_19904.doc

2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

2.1 Aksesi në gjykatë për gjykimin në mungesë (Fjalë kyçe: Akses në gjykatë, e drejta për t`u mbrojtur, gjykim në mungesë)

çështjen Rroku kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 51830/16, vendim i datës 19.09.2023, për cenimin e aksesit në gjykatë dhe të drejtës për t`u mbrojtur, GJEDNJ çmon se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi i gjykuar në mungesë, i është fshehur drejtësisë, ka hequr dorë nga garancitë dhe të drejtat që ofron neni 6 i KEDNJ, si dhe nuk është paraqitur në gjykatë. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228436

2.2 Aksesi në gjykatë për gjykimin në mungesë (Fjalë kyçe: Gjykim në mungesë, kërkesë abuzive)

çështjen Gjokeja kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 68393/17, vendim i datës 19.09.2023, për gjykimin në mungesë, GJEDNJ çmon se kërkuesi nuk ka paraqitur informacion të mjaftueshëm për çështjen në Gjykatë dhe për rrjedhojë ndodhemi para një kërkese abuzive. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228437

2.3 Moszbatimi i vendimit të arbitrazhit (Fjalë kyçe: Moszbatim vendimi, vendim arbitrazhi)

çështjen Albanian Wrestling Federation dhe Bezhani kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 11485/11, vendim i datës 19.09.2023, për moszbatimin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit, GJEDNJ çmon se përpara gjykatave kombëtare apo tribunalit të arbitrazhit nuk është ngritur për shqyrtim ligjshmëria e zgjedhjeve të federatës apo njohja e tyre nga autoritetet shtetërore, e për pasojë kërkesa është e papranueshme sepse nuk janë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228435

2.4 Arsyetimi i vendimit dhe e drejta e pronës (Fjalë kyçe: Parimi i arsyetimit të vendimit, e drejtë prone)

çështjen Prima SHPK dhe Kozmai kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 33813/07, vendim i datës 19.09.2023, për shkeljen e parimit të arsyetimit të vendimit dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ shprehet se kërkesa është e papranueshme, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë është i arsyetuar edhe pse nuk shprehet në mënyrë të detajuar për llogaritjen e afateve të parashkrimit të kërkesëpadisë. Gjithashtu, vendimet e gjykatave kombëtare janë të bazuara në legjislacionin e brendshëm dhe anulimi i lejes së ndërtimit nuk përbën shkelje të së drejtës së pronës. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228434

2.5 Prezumimi i pafajësisë dhe ndalimi i tortures (Fjalë kyçe: Prezumim i pafajësisë, torturë)

çështjen Beccetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 53488/15, vendim i datës 29.09.2023, për shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe ndalimin e torturës, GJEDNJ shprehet se, edhe pse njëri nga kërkuesit është paraqitur me pranga në duar në gjykatë gjatë zhvillimit të seancës, nuk ndodhemi përpara ndalimit të torturës. Kërkuesit duhet të kishin ngritur pretendime civile për dëmet në këtë drejtim dhe për pasojë kërkesa është e papranueshme, pasi nuk kanë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. Për sa i përket cenimit të prezumimit të pafajësisë, kërkesa është e papranueshme dhe parakohshme, pasi ajo mund të ngrihet dhe shqyrtohet ende përpara gjykatave kombëtare. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228562

2.6 Aksesi në gjykatë kur refuzohet kërkesa nga Gjykata Kushtetuese (Fjalë kyçe: Akses në gjykatë, refuzim kërkese, Gjykata Kushtetuese)

çështjen Prodhim Veshje SHA nr. 2 kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 34649/14, vendim i datës 17.10.2023, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, parimit të paanësisë dhe parimit të arsyetimit të vendimit nga Gjykata e Lartë, GJEDNJ, pasi risjell në vëmendje çështjen Marini kundër Shqipërisë, çmon se refuzimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, pa një vendim përfundimtar pranimi apo rrëzimi, për shkak të barazisë së votave në vendimmarrje (mungesës së kuorumit vendimmarrës), ka cenuar aksesin e kërkuesit në gjykatë. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228149

2.7 Kufizimi i të drejtës për të votuar i të dënuarve për krime të rënda (Fjalë kyçe: E drejta e votës, ndalim për të votuar, i dënuar për krim të rëndë, proporcionalitet)

çështjen Myslihaka dhe pesë të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 68958/17, vendim i datës 24.10.2023, për kufizimin e të drejtës së të dënuarve për krime të rënda për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, GJEDNJ shprehet se kërkesa është e papranueshme, duke marrë parasysh rrezikshmërinë që paraqesin veprat penale që kanë kryer kërkuesit ndaj vlerave shoqërore. Për rrjedhojë, kufizimi i të drejtës së tyre të votës mbetet proporcional. GJEDNJ vëren se, zbatimi i kufizuar i ligjit të dekriminalizimit në këto raste ka qenë proporcional, duke mos dëmtuar procesin zgjedhor. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228353

2.8 Detyrimi pozitiv i shtetit për të drejtën e jetës në gjykimet penale (Fjalë kyçe: E drejtë e jetës, hetim penal joefektiv, detyrim pozitiv i shtetit)

çështjen Durdaj dhe tre të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 63543/09, vendim i datës 07.11.2023, për cenimin e të drejtës së jetës dhe mungesën e një hetimi penal efektiv, GJEDNJ shprehet se kërkesa është e bazuar, pasi shteti nuk ka përmbushur detyrimet e tij pozitive për të garantuar pjesëmarrjen e kërkuesve në proceset penale të nisura për shpërthimin e datës 15.03.2008 në Gërdec, ku familjarët e tyre kanë humbur jetën. Për pasojë, ka pasur cenim të së drejtës së jetës në aspektin procedural. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228670

3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datën 16 tetor 2023 Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë së bashku me Gjykatën e Lartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizuan takimin me temë "Harmonizimi i praktikës gjyqësore". Ky takim u zhvillua në Pogradec dhe bëri bashkë gjyqtarë të Gjykatave të Larta të të dyja vendeve. Të ftuar ishin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga Gjykata e Lartë e Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, përfaqësues të Këshillit të Evropës, etj.

Në datën 17 tetor 2023 Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë zgjodhi si Kryetar të Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi.

Në datat 18 – 20 tetor 2023 Kryetari i Gjykatës z. Sokol Sadushi dhe gjyqtarët z. Ilir Panda, z. Artur Kalaja, z. Ervin Pupe, z. Sander Simoni e znj. Margarita Buhali zhvilluan një vizitë studimore në Republikën Federale të Gjermanisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me strukturat homologe. Gjyqtarët u njohën me praktikat dhe përvojat më të mira të institucioneve gjyqësore në landin e Bavarisë.

Në datën 3 nëntor 2023 u mbajt një takim midis gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të gjykatave të apelit dhe shkallës së parë Tiranë, ku u diskutua për vendimmarrjet e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, si dhe për njësimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore.

4. Statistika

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt janar – tetor 2023

Kolegji Administrativ ka dhënë 2297 vendime, nga të cilat 2203 janë vendime themeli, 34 kompetence/juridiksioni, si dhe 60 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.

Kolegji Civil ka dhënë 2149 vendime, nga të cilat 2035 janë vendime themeli, 45 kompetence/juridiksioni, si dhe 69 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.

Kolegji Penal ka dhënë 1770 vendime, nga të cilat 1074 janë vendime themeli, 671 kompetence/masa sigurimi, si dhe 25 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.

Në total për muajt janar – tetor 2023 janë dhënë 6261 vendime gjyqësore.

5. Formulari i Aplikimit Elektronik

Për marrjen e dokumenteve në mënyrë elektronike, informacion mbi çështjen, si dhe për datën e gjykimit të çështjes, Gjykata e Lartë mundëson për çdo përdorues formularin e aplikimit elektronik. /web/Informacione_kontakti_2_1.php

6. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc

7. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte