1. Përbërja e Gjykatës së Lartë
Me dekretin nr. 250, datë 27.09.2023, të Presidentit të Republikës z. Valbon Çekrezi, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Gjatë viteve 1988 - 1992 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Pas përfundimit të studimeve, emërohet gjyqtar në Gjykatën Rrethit Gjyqësor Elbasan, detyrë që e ka mbajtur deri në vitin 1993. Gjatë periudhës 1993 - 1995 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit dhe ka drejtuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Librazhd, e më pas atë të Elbasanit, deri në vitin 2001. Në shkurt të vitit 2001 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës, funksion të cilin e ka ushtruar deri në shtator të vitit 2023. Përgjatë viteve 2012 - 2016 ka qenë anëtar i Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ndërsa përgjatë periudhës 1996 - 2001 është angazhuar në mësimdhënie si pedagog i së drejtës civile dhe procedurale civile pranë Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Elbasanit. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete trajnimi kombëtare e ndërkombëtare në fushën e së drejtës.
2. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
(Akt administrativ i ligjshëm tatimor, gjobë e ligjshme tatimore, punonjës i padeklaruar)
Në vendimin nr.00-2023-1876(173), datë 11.05.2023, për anulimin e gjobës së vendosur nga organet e administratës tatimore, KAGJL çmon se akti administrativ për vendosjen e gjobës është plotësisht i ligjshëm, pasi paditësi ka pasur detyrimin ligjor që të deklaronte punonjësit një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, ç`ka nuk e ka kryer. /web/173_00_2023_1876_18078.doc
(Mospranimi i sigurimit të padisë kur cenohet në thelb veprimtaria verifikuese e organit administrativ)
Në vendimin nr.00-2023-2494(175), datë 11.05.2023, për paligjshmërinë e sekuestrimit të pajisjeve nga organet e hetimit tatimor, KAGJL çmon se gjykata nëpërmjet sigurimit të padisë, nuk mund të ndalojë paraprakisht organin tatimor që të ushtrojë kompetencat e veta për të vlerësuar ekzistencën e shkeljeve tatimore, duke i “ngrirë” burimin e provës, nëse nuk ndodhemi para rasteve të dukshme të pavlefshmërisë absolute. /web/175_00_2023_2494_17307.doc
(Nuk ka cenim të parimit të paanësisë kur gjyqtari vendos njësoj për çështje të ngjashme)
Në vendimin nr.00-2023-2222(192), datë 01.06.2023, ku shqyrtohet parimi i gjykatës së paanshme, KAGJL shprehet se kur një gjyqtar vendos në mënyrë të njëjtë për çështje të ngjashme nuk do të thotë se ai automatikisht e ka paragjykuar çështjen. Zgjidhja e çështjeve të ngjashme në të njëjtën mënyrë, jo vetëm nuk cenon paanshmërinë e gjykatës, por përkundrazi është tregues i qëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore. /web/192_00_2023_2222_17759.doc
(Mungesa e nënshkrimit të vendimit në njërën prej faqeve nuk sjell pavlefshmërinë e tij)
Në vendimin nr.00-2023-2431(209), datë 08.06.2023, KAGJL vlerëson se gjykata e apelit nuk mund të prishë vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të kthejë çështjen për rigjykim, për shkak se në njërën prej faqeve të vendimit mungon siglimi i trupës gjyqësore, përderisa ligji nuk e detyron gjyqtarin apo trupën gjykuese që të “dorëshkruajë” vendimin në çdo faqe dhe nuk e konsideron as shkelje të rëndë për pavlefshmëri gjykimi. /web/209_00_2023_2431_18188.doc
(Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës së mësuesve
Vendim Njësues)
Në vendimin nr.00-2023-3406(258), datë 07.07.2023, KAGJL vlerësoi se gjykata kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve që lindin nga marrëdhënia e punësimit të mësuesve në sistemin arsimor publik parauniversitar është gjykata administrative, pasi marrëdhënia e tyre e punës rregullohet me ligj të posaçëm, /web/258_00_2023_3406_18680.doc
(Ligji për të drejtën e autorit nuk gjen zbatim për veprat e bëra gjatë ushtrimit të detyrës)
Në vendimin nr.00-2023-3337(264), datë 11.07.2023, për pagimin e punës së kryer për veprën artistike, KAGJL çmon se punimet e paditësit si stilist janë kryer në kuadër të qenies së tij anëtar i grupit të punës dhe jo si stilist i jashtëm, i cili e shet këtë vepër si të produkt të tijin. Për pasojë, punët e kryera nga paditësi nuk gjejnë mbrojtje sipas legjislacionit për të drejtën e autorit. /web/264_00_2023_3337_18819.doc
(Vlera provuese e gjetjeve të auditit dhe proporcionaliteti i dënimit administrativ në raport me shkeljen)
Në vendimin nr.00-2023-3380(291), datë 14.09.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të largimit nga shërbimi civil, KAGJL çmon se gjykata e apelit nuk ka kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm të çështjes, duke mos analizuar si duhet bazueshmërinë e gjetjeve të auditit dhe provat respektive që kanë shërbyer për largimin e nëpunëses nga shërbimi civil për shkelje shumë të rëndë. /web/291_00_2023_3380_19101.doc
(Kriteret dalluese të kontratave publike dhe private, natyra e kontratave të lidhura me Entin Kombëtar të Banesave - Vendim Njësues)
Në vendimin nr.00-2023-3628(302), datë 22.09.2023, KAGJL çmon se dallimi mes kontratës publike dhe private, në funksion të përcaktimit të kompetencës lëndore, bëhet jo nëpërmjet leximit literalisht të kontratës, por nëpërmjet analizës në thelb të përmbajtjes së saj dhe natyrës së mosmarrëveshjes. Objekti, qëllimi dhe normat, që rregullojnë marrëdhënien juridike, duhet të evidentohen qartë si nga palët në proces, ashtu edhe në analizën dhe konkluzionin, që nxjerr gjykata lidhur me këtë çështje. Kontrata e shitjes së banesave sociale është në funksion të një shërbimi publik që ofron shteti nisur nga interesi publik për zbatimin e objektivave sociale të parashikuar në nenin 59, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës dhe i nënshtrohet regjimit juridik të së drejtës publike. Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve në lidhje me këtë lloj kontrate është në kompetencën e gjykatës administrative. /web/00_2023_3628_i_vendimit_302_themel_s_gj_njesues_19138.doc
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
(Çmuarja e provave)
Në vendimin nr.00–2023–1528(141), datë 27.04.2023, KPGJL shprehet se Kodi i Proçedurës Penale nuk jep një hierarki të llojeve të provave në procesin penal, ato nuk kanë një vlerë të paracaktuar, në varësi të llojit të tyre apo të palës që i paraqet. Në këtë kuptim, sistemi procedural penal shqiptar parashikon në themel të tij parimin e barazisë së armëve ndërmjet palëve. Elementi i rëndësishëm në procesin e çmuarjes së provave nuk është lloji apo sasia, por rëndësia provuese e tyre. /web/141_00_2023_1528_18947.doc
(Moskryerja e veprimeve verifikuese nga prokuroria pas daljes së provës së re)
Në vendimin nr.00-2023-890(166), datë 30.05.2023, KPGJL argumentoi se moskryerja e veprimeve verifikuese nga prokuroria lidhur me kallëzimin penal, në kushtet e daljes së një prove të re, që mund të çojë në një përfundim të ndryshëm për zgjidhjen e çështjes, sjell mosrespektimin e rasteve të parashikuara nga ligji për mosfillimin e procedimit penal nga prokurori, duke bërë që hetimi i zhvilluar të mos jetë shterues dhe i gjithanshëm. /web/166_00_2023_890_copy_1_18993.doc
(Vënia në lëvizje e Gjykatës së Lartë në lidhje me çështje të kompetencës)
Në vendimin nr.00–2023–1007, datë 08.06.2023, KPGJL shprehet se kur ankuesi nuk legjitimohet në paraqitjen e ankimit të veçantë (rekursit) para Gjykatës së Lartë, kompetenca lëndore i përket Gjykatës ndaj të cilës i është adresuar ankimi. /web/00_2023_1007_k_18794.doc
(Mosrëndim i pozitës së të pandehurit)
Në vendimin nr.00-2023-1078(191), datë 30.06.2023, KPGJL interpreton se gjykata penale e juridikisonit rishikues nuk mund të deklarojë fajtor të pandehurin e deklaruar si të pafajshëm nga gjykata penale e juridiksionit fillestar (me gjykim të shkurtuar të kërkuar nga i pandehuri), mbi bazën e të njëjtave fakte dhe prova, duke garantuar në këtë rast respektimin e parimit të mosrëndimit të pozitës të të pandehurit. /web/191_00_2023_1078_18943.doc
(Kushtet për vendosjen e masës së sigurisë arrest me burgim; Të qenurit minoritet nuk është kusht për përjashtimin nga përgjegjësia penale)
Në vendimin nr.00-2023-1313(224), datë 25.07.2023, KPGJL arsyeton se pushteti që ligjërisht mban funksioni i të zgjedhurit vendor është i tillë që krijon mundësi praktike të paligjshme për të ndikuar tek dëshmitarët potencialë të faktit penal dhe gjithashtu edhe tek subjekte të tjerë privatë apo publikë për të penguar apo për të kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës Gjykata mban parasysh se provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se edhe në gjykimin dhe dënimin e mëparshëm penal, procedim penal nga i cili ai rezulton të jetë deklaruar fajtor dhe të jetë dënuar përfundimisht me tre vjet burgim, i pandehuri i është shmangur procedimit penal deri në pamundësimin për vite të tëra të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë të dënimit me burgim, duke u passjellë si pasojë edhe shuarja e dënimit penal përmes parashkrimit të ekzekutimit, sipas nenit 68 të KP. Ky fakt do të thotë se subjekti i procedimit penal e ka tendencën dhe mundësinë që t’i shmanget procedimit penal në të gjitha fazat e zhvillimit të tij. Të qenurit përfaqësues i një minoriteti, sikundër pretendohet, nuk mund të përligjë dhe të institucionalizojë shkeljen e ligjit dhe kryerjen e veprimeve kriminale. Këto janë arsye të mjaftueshme për lënien në fuqi të masës së sigurisë. /web/224_00_2023_1313_18446.doc
(Elemente të kualifikimit të veprës penale të mashtrimit)
Në vendimin nr.00-2023-1169(202), datë 06.07.2023, KPGJL vlerëson se vepra penale e mashtrimit, si një moment volutiv i mendimit kriminal, mund të lindë pa filluar, ose kur ka filluar apo pasi subjekti ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me viktimën. Momenti nuk është i rëndësishëm por dallimin e bën sjellja dhe qëllimi që ka pasur autori karshi viktimës, duke analizuar veprimet e tij, i cili mund të ketë pasur mundësi të përmbushë detyrimin, por me veprime me dashje e eviton këtë mundësi. /web/202_00_2023_1169_18491.doc
(Rëndësia e kualifikimit të veprës penale)
Në vendimin nr.00-2023-1378(235), datë 14.09.2023, KPGJL thekson rëndësinë e kualifikimit të veprës penale, pasi ndryshimi i saj nga paragrafi i dytë i nenit 199/a në paragrafin e parë të nenit 199/a të KP duke marrë në konsideratë që akti për ndërtimin pa leje është kryer në një pronë ku i gjykuari ka të drejta pronësie, passjell dhe pasojat në vendimmarrjen e gjykatës për të gjykuarin. /web/235_00_2023_1378_18991.doc
(Gjykata që pushon çështjen është kompetente për kthimin e sendeve të sekuestruara)
Në vendimin nr.00-2023-1533, datë 03.10.2023, KPGJL vendosi se në mosmarrëveshjen e kompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes me objekt kthimin e sendeve të sekuestruara kur çështja penale ndaj kërkuesit është pushuar, kompetente do të jetë gjykata që ka dhënë vendimin e pushimit të çështjes. /web/00_2023_1533_copy_1_19174.doc
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
(Titulli i pronësisë në rastet e bashkimit me përzierje)
Në vendimin nr.00-2023-2345(198), datë 07.04.2023 për rivendikimin e sendit dhe detyrimin për njohjen pronar të truallit me bashkim e përzierje sipas nenit 175 të Kodit Civil, KCGJL thekson se lidhur me ligjshmërinë e titullit të pronësisë secila palë duhet të vërtetojë se është pronar i ligjshëm i ndërtimit, dhe në mirëbesim ka ndërtuar me shpenzimet e tij. Si rregull pronari i ndërtesës me vleftë më të madhe se ajo e tokës të zënë ka detyrimin të shpërblejë vleftën e tokës së zënë ndaj pronarit të truallit. /web/198_00_2023_2345_19035.doc
(Pjesëtimi i kontratës së kredisë si pasuri bashkëshortore në fazën e parë)
Në vendimin nr.00-2023-1621(231), datë 19.04.2023, për pjesëtimin gjyqësor që rrjedh nga regjimi pasuror martesor, KCGJL shprehet se gjatë fazës së parë të pjesëtimit të bashkësisë ligjore, duhet të përcaktohen sendet e përbashkëta që do t’i nënshtrohen pjesëtimit, të drejtat e kreditit që bashkëshortët mund të kenë ndaj të tretëve (duke nënkuptuar pjesën e aktivit të pasurisë), si dhe detyrimet e kreditit që bashkëshortët mund të kenë ndaj të tretëve (pasivi i pasurisë). Kontrata e kredisë, si pjesë e pasivit të bashkësisë ligjore në rastin konkret, duhet të ishte lejuar për t’u pjesëtuar gjatë fazës së parë të pjesëtimit në lidhje me këtë gjykim, dhe në kushtet kur nuk është lejuar nuk mund të jetë objekt diskutimi gjatë fazës së dytë të pjesëtimit. /web/231_00_2023_1621_18884.doc
(Përllogaritja e vlerës së dëmit që i shkaktohet pasurisë së rënduar me servitut)
Në vendimin nr.00-2023-1779(254), datë 26.04.2023, për të drejtat dhe detyrimet midis pronës dominuese e asaj shërbyese në rastet e servituteve të kalimit, KCGJL sqaron se në rastin e rëndimit të pronës me këtë barrë pronësia vazhdon t’i mbetet pronës shërbyese, por vlera e saj bie si pasojë e përdorimit. Dëmi që i shkaktohet pasurisë është diferenca e dëmit që i shkaktohet pronës nga përdorimi si rrugë kalimi, në raport me vlerën e shpenzimeve që realizohen për të siguruar rrugë të tjera kalimi dhe vështirësitë e krijimit të tyre. /web/254_00_2023_1779_19040.doc
(Dallimi mes afatit të parashkrimit të kushtit penal gjobor dhe atij vlerësues)
Në vendimin nr.00-2023-2583(312), datë 16.05.2023, për përmbushjen e detyrimit që rrjedh nga kontrata e qirasë, KCGJL shprehet se parashikimi i një klauzole kontraktore, ka forcën e ligjit për palët. Kushti penal gjobor për mosekzekutim të detyrimit i parashikuar me marrëveshje të palëve përbën një detyrim që i shtohet detyrimit kryesor. Si një nga mjetet e sigurimit për të garantuar ekzekutimin/përmbushjen e detyrimeve, afati i parashkrimit për kushtin penal gjobor përderisa nuk është i përcaktuar rregullisht në ligj është ai 10-vjeçar sipas nenit 114 të KPC në ndryshim me kushtin penal vlerësues afati sipas nenit 115/a të KC (6 mujor). /web/312_00_2023_2583_19053.doc
(Përcaktimi i juridiksionit në kërkimet si pasojë e zgjidhjes së martesës)
Në vendimin nr.00-2023-2782, datë 31.05.2023, për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit lidhur me kërkimin e lënies së fëmijës për rritje dhe edukim, KCGJL shprehet se kur kemi dy kërkime të ndërvarura juridiksioni lidhur me kërkimin kryesor është përcaktues për juridiksionin e pasojave të zgjidhjes së martesës. Gjykata, që shqyrton kërkesën për divorc ka dhe juridiksionin për të vendosur lidhur me marrëdhëniet prind-fëmijë si pasojë e zgjidhjes së martesës. Si rrjedhim kjo gjykatë nuk ka të drejtë t’i transferojë juridiksionin e saj gjykatës tjetër të vendqëndrimit të fëmijës në rastin konkret gjykatës në shtetin e huaj, që është objekt përpara gjykatës shqiptare. h ttp://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2023_2782_18998.doc
(Rrethi i trashëgimtarëve me zëvendësim dhe rezervë ligjore)
Në vendimin nr.00-2023-3267(399), datë 20.06.2023, për pavlefshmërinë absolute të testamentit, KCGJL shprehet se kur asnjë prej trashëgimtarëve me zëvendësim nuk ka qenë i mitur në kohën e çeljes së trashëgimisë, disponimi me testament është i vlefshëm. Cilësinë e trashëgimtarit rezervatarë sipas nenit 361/2 të Kodit Civil e kanë vetëm ata që trashëgojnë me zëvendësim, që janë pikërisht fëmijët e fëmijëve dhe jo pasardhësit e fëmijëve të fëmijës së trashëgimlënësit të paravdekur sikurse janë paditësit. /web/399_00_2023_3267_19132.doc
(Masa e dëmshpërblimit jopasuror në rastet e vdekjes nga aksidenti)
Në vendimin nr.00-2023-3247(435), datë 05.07.2023, për dëmin jashtëkontraktor të shkaktuar nga humbja e jetës së viktimës nga aksidenti, KCGJL shprehet se dëmshpërblimi që mund të përfitojnë familjarët në rast të vdekjes së personit në aksident nuk mund të kalojë maksimumin e dëmshpërblimit të përcaktuar për secilin nga llojet e dëmshpërblimeve, konkretisht të dëmshpërblimit jopasuror të akorduar në rastet e aksidenteve rrugor. Ligji parashikon se vlerat maksimale për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror janë në varësi të llojit të dëmit të pësuar. Të gjitha këto vlera zbatohen duke mbajtur në konsideratë personin e dëmtuar drejtpërdrejt nga aksidenti dhe për rrjedhojë bëhet ndarja e këtyre vlerave midis familjarëve për secilën figurë, pa kaluar kufirin maksimal të mbulimit dhe jo të jepet vlera maksimale e dëmshpërblimit prej secilit prej familjarëve sikurse është vepruar në rastin konkret nga gjykatat e faktit. /web/435_00_2023_3247_19133.doc
(Lidhja mes kontratës së dorëzanisë dhe marrëveshjes së sigurimit në gjykimin për pavlefshmërinë e veprimeve përmbarimore)
Në vendimin nr.00-2023-3626(477), datë 19.07.2023, për të kundërshtuar veprimet përmbarimore, KCGJL shprehet se ligji nr.8537/1999 bën rregullim të ndryshëm të kontratës së dorëzanisë nga marrëveshja siguruese duke i konsideruar këto dy kontrata të veçanta e të pandërvarura nga njëra-tjetra. Qëndrimi i gjykatave se marrëveshja siguruese ka siguruar kontratën e dorëzanisë ka dalë në deformim të fakteve të provuara në gjykim, pasi nuk është administruar si provë kontrata e dorëzanisë së paditësave, gjë që bëhet më tepër e domosdoshme në kushtet kur ligji bën rregullime të ndryshme. /web/477_00_2023_3626_19172.doc
3. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
(Mospranim i pretendimit për shkeljen e aksesit në gjykatë)
Në çështjen Gazulli kundër Shqipërisë, kërkesa nr.11674/17, vendim i datës 12.09.2023, për cenimin e aksesit në gjykatë dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi nuk ka ngritur pretendime përpara gjykatave kombëtare se pagesa e detyrimit doganor në masën 40% është me karakter ndëshkues dhe joproporcional. Për pasojë, kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit dhe GJEDNJ nuk ka konstatuar ndonjë shkelje të parimit të proporcionalitetit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228176
(Cenim i të drejtës së aksesit në gjykatë, për shkak të nxjerrjes së çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor mbi bazën e imunitetit diplomatik)
Në çështjen Nuraj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 35703/17, vendim i datës 10 tetor 2023, për cenimin e të drejtës për akses në gjykatë, për shkak të nxjerrjes së mosmarrëveshjes së punës në ambasadën e huaj jashtë juridiksionit gjyqësor, GJEDNJ çmon se ka shkelje të aksesit në gjykatë, pasi kërkuesja ishte punonjëse administrative/sekretare, nuk ushtronte detyra diplomatike qeveritare, nuk kishte përkthyer materiale konfidenciale dhe nuk ishte njohur me materiale sensitive, me qëllim që të përjashtohej juridiksioni gjyqësor prej imunitetit diplomatik. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-228014
4. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë
Në datën 10 tetor 2023 u zhvillua mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në fjalën e tij përshëndetëse Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi theksoi nevojën e rikthimit të besimit tek sistemi i drejtësisë si sfida më thelbësore, jo vetëm e gjyqtarëve, por edhe e anëtarëve të Këshillit. Tre anëtarët e zgjedhur në KLGJ janë znj. Emona Muçi, znj. Gentiana Muçaj, si dhe z. Markelian Koça.
5. Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt janar – shtator 2023
Kolegji Administrativ ka dhënë 2059 vendime, nga të cilat 1977 janë vendime themeli, 29 kompetence/juridiksioni, si dhe 53 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.
Kolegji Civil ka dhënë 1823 vendime, nga të cilat 1723 janë vendime themeli, 40 kompetence/juridiksioni, si dhe 60 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.
Kolegji Penal ka dhënë 1539 vendime, nga të cilat 850 janë vendime themeli, 667 kompetence/masa sigurimi, si dhe 22 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.
Në total për muajt janar – shtator 2023 janë dhënë 5421 vendime gjyqësore.
6. Formulari i aplikimit elektronik
Për marrjen e dokumenteve në mënyrë elektronike, informacion mbi çështjen, si dhe për datën e gjykimit të çështjes, Gjykata e Lartë mundëson për çdo përdorues të saj formularin e aplikimit elektronik. /web/Informacione_kontakti_2_1.php
7. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc
8. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.