Buletini informativ 2023 - 5

1. Përbërja e Gjykatës së Lartë

Me dekretin nr.185, datë 03.08.2023 të Presidentit të Republikës, znj. Vojsava Kola, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Lartë. Znj. Kola lindi më 06.07.1982. Ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 2005 dhe studimet pranë Shkollës së Magjistraturës në vitin 2008. Përgjatë periudhës tetor 2007 - mars 2013 ka ushtruar detyrën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, ndërsa gjatë periudhës mars 2013 - nëntor 2016 detyrën si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga nëntori i vitit 2016 deri në gusht të vitit 2023 ka ushtruar detyrën e gjyqtares pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

2. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

(Efektet e mbivendosjes së pronave për regjistrimin e tyre)

vendimin nr.00-2023-1509(116), datë 04.04.2023, për detyrimin e kadastrës për të regjistruar titullin e pronësisë, KAGJL sqaron se refuzimi i regjistrimit të pronës vetëm për shkak të mbivendosjes nuk është i përligjur. Në rastet kur mbivendosja e pronave pengon regjistrimin e pronës, duhet nisur një proces gjyqësor ose administrativ për zgjidhjen e saj dhe që ky proces të realizohet i plotë, duhet të saktësohet pjesa e mbivendosur e pronës, me të gjitha të dhënat e identifikueshme të saj, përfshi pronarin dhe titujt e pronësisë. /web/116_00_2023_1509_16525.doc

(Ligjshmëria e aktit të revokimit të lejes minerare)

vendimin nr.00-2023-1242(117), datë 04.04.2023, për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ për revokimin e lejes minerare, KAGJL vlerëson se akti nuk është nul, pasi kontrolli është kryer nga struktura përgjegjëse në përputhje me legjislacionin e veprimtarive minerare dhe revokimi i lejes minerare është kryer sipas dispozitave të ligjit organik. /web/117_00_2023_1242_17614.doc

(Afati i ankimit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv dhe pezullimin e veprimeve përmbarimore)

vendimin nr.00-2023-1441(120), datë 06.04.2023, për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv dhe pezullimin e veprimeve përmbarimore, KAGJL vlerëson se afati i ankimit ndaj vendimeve të dhëna nga gjykata e shkallës së parë për çështje themeli si pavlefshmëria e titullit ekzekutiv është i përgjithshëm 15-ditor, ndërsa ai për kërkesat procedurale siç është pezullimi i veprimeve përmbarimore është i veçantë, 5-ditor. /web/120_00_2023_1441_16071.doc

(Kushtet e përjashtimit të TVSH në import)

vendimin nr.00-2023-1899(149), datë 02.05.2023, për detyrimin e administratës tatimore që të përjashtojnë paditësin nga TVSH në import, KAGJL vlerëson se përjashtimi lejohet me plotësimin e dy kushteve kumulative: vlera e makinerive dhe pajisjeve që importohen për realizimin e kontratave të investimeve duhet të jetë mbi 50 milion lekë dhe lista e makinerive e pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin, procedura e përjashtimeve dhe kriteret përkatëse të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. /web/149_00_2023_1899_16935.doc

(Përfitimi i njëkohshëm i pagesës kalimtare dhe dëmshpërblimit për largim të paligjshëm nga detyra)

vendimin nr.00-2023-2209(196), datë 01.06.2023, për dëmshpërblimin për largimin nga detyra dhe dhënien e pagesave kalimtare, KAGJL çmon se nuk ka ndalim ligjor që gjykata të disponojë në favor të paditësit për të dyja këto kërkime. Përveç dëmshpërblimit me paga për largim të paligjshëm nga puna, paditësi gëzon edhe të drejtën për trajtim me pagesë kalimtare, pasi nuk ka kryer vepër penale apo përjashtuar nga policia e shtetit me masë disiplinore. /web/196_00_2023_2209_17762.doc

(Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve)

vendimin nr.00-2023-2952, datë 11.07.2023, për shfuqizimin e vendimit të universitetit privat për pezullimin nga studimet me një semestër dhe shpërblimin e dëmit jopasuror, KAGJL çmon se pjesa e objektit të padisë për shpërblimin e dëmit duhet të gjykohet nga gjykata civile, ndërsa shqyrtimi i masës disiplinore duhet të bëhet nga gjykata administrative. /web/00_2023_2952_k_18313.doc

(Gjykimi për sigurimin e padisë bëhet nga çdo gjykatë e zakonshme, pavarësisht kompetencës tokësore ose lëndore të çështjes së themelit)

vendimin nr.00-2023-3466, datë 31.07.2023, Kolegji Administrativ vlerëson se gjykimi për sigurimin e padisë është një proces i shpejtë, ku gjykata nuk shqyrton dhe vlerëson të gjitha provat në mënyrë të hollësishme për të parë nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e kërkuesit. Ligjvënësi ka legjitimuar përgjithësisht çdo gjykatë me juridiksion të zakonshëm, që për shkak të karakterit emergjent që shfaqin këto lloj kërkesash, t`i marrë në shqyrtim, pavarësisht kompetencës tokësore apo lëndore të gjykatës për shqyrtimin e padisë, që përcaktohet në momentin e paraqitjes së saj në gjykatë. Gjykata e apelit jo vetëm nuk e ka gjykuar kërkesën, por ka caktuar për gjykim kërkesën aksesore të themelit të çështjes, në një kohë të mëvonshme dhe ka “liruar” veten nga detyrimi për gjykim, duke vlerësuar se s’ka më padi për gjykim, se ka humbur kompetenca e saj për shkak të kalimit të një ore. /web/00_2023_3466_kompetence_18817.doc

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

(Vlera e dëshmisë indirekte në procesin penal)

vendimin nr.00-2023-1193(140), datë 26.04.2023, KPGJL vlerëson se dëshmitë indirekte, si prova të marra gjatë hetimit të veprës penale "Vrasje me paramendim", rilexohen në gjykatë, duke qenë se nuk mund të përsëriten më për shkak të rrethanave të paparishikueshme (vdekja e dëshmitarëve gjatë gjykimit të çështjes). /web/140_00_2023_1193_18434.doc

(Legjitimiteti i KLSH për të paraqitur ankim)

vendimin nr. 00-2023-889(165), datë 30.05.2023, KPGJL vlerëson se Kontrolli i Lartë i Shtetit, pavarësisht se në proces nuk paraqitet me cilësinë e viktimës nga vepra penale, për shkak të funksionit kushtetues dhe rëndësisë që paraqet si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar që mbikëqyr administrimin e fondeve publike, gëzon legjitimitet formal të paraqesë ankim, në çdo rast ku në proces mban cilësinë e kallëzuesit. /web/165_00_2023_889_18774.doc

(E drejta për tu dëgjuar në procesin penal)

vendimin nr 00-2023-1386(182), datë 15.06.2023, KPGJL çmon se e drejta e një personi të akuzuar, për të qenë i pranishëm në seancën dëgjimore që zhvillohet ndaj tij, është thelbësore për një proces të drejtë ligjor. Kjo e drejtë përfshin jo vetëm praninë fizike, por edhe aftësinë për të dëgjuar dhe ndjekur procedimet, për të kuptuar provat dhe argumentet, për të orientuar përfaqësuesit ligjorë dhe për të dhënë fakte. /web/182_00_2023_1386_18609.doc

(Kompetenca e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për pranimin/kthimin e akteve)

vendimin nr.00-2023-1061, datë 22.06.2023, KPGJL vlerësoi se disponimi i prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm për deklarimin e moskompetencës lëndore, në rastet kur ajo përcakton si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme, nuk është akti përfundimtar që shënon përfundimin e kompetencës së saj mbi procedimin, pasi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka kompetencën përfundimtare për të miratuar ose jo këtë qëndrim, nëpërmjet pranimit ose kthimit të akteve, gjatë fazës së hetimit paraprak. /web/00_2023_1061_k_18056.doc

(Raste të lejimit të ekstradimit)

vendimin nr.00-2023-1099(195), datë 30.06.2023, KPGJL vlerëson se ekstradimi lejohet edhe në ato raste kur gjykatat e huaja e kanë dënuar të pandehurin për vepra penale të ndryshme, duke përfshirë në këtë rast dhe vendimin “mosidentifikim i personit të kërkuar në gjykim". /web/195_00_2023_1099_18429.doc

(Pushimi i çështjes si pasojë e parashkrimit)

vendimin nr.00-2023-1199(205), datë 11.07.2023, KPGJL çmon se legjitimimi i qëndrimit të prokurorit për pushimin e çështjes, për shkak të parashkrimit të procedimit penal, kërkon si kusht të domosdoshëm hetime të plota dhe të kompletuara për faktin penal të kallëzuar. /web/205_00_2023_1199_18631.doc

(Ekzistenca e kushteve për zëvendësimin/revokimin e masës së sigurimit)

vendimin nr.00-2023-1246(220), datë 24.07.2023, KPGJL vlerëson se në shqyrtimin e kërkesave për zëvendësimin/revokimin e masave të sigurimit, gjykatat duhet të analizojnë ekzistencën e kushteve dhe kritereve sipas neneve 228 dhe 229, të Kodit të Procedurës Penale, që kanë shërbyer për caktimin e masës, duke arsyetuar mbi rrethanat dhe shkaqet që mund të kenë sjellë zbutje të nevojave të sigurimit apo mbi përshtatshmërinë e masës me faktin dhe rëndësinë e tij. /web/220_00_2023_1246_18510.doc

(Qëndrimi jashtë afateve nën masën e sigurimit për efekt të ekstradimit)

vendimin nr.00–2023–1230, datë 13.07.2023, KPGJL çmon se vendimmarrja e gjykatave konsiderohet e paarsyetuar kur nuk argumentohet në rastin kur ekstradimi është pezulluar dhe ligji nuk ka parashikuar se çfarë ndodh me masën e sigurimit “arrest me burg” të caktuar për efekt ekstradimi, veçanërisht kur subjekti qëndron për efekt të kësaj mase jashtë afateve të parashikuara nga ligji i brendshëm për gjykimin e rasteve të ekstradimit. /web/00_2023_1230_th_18102.doc

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

(Shpërblimi për vjetërsi në punë në rastin e zgjidhjes së marrëdhënies së punës me marrëveshje)

vendimin nr.00-2023-1822(232), datë 19.04.2023, për vlefshmërinë e marrëveshjes së ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, KCGJL shprehet se ajo përbën një mënyrë të ligjshme të shuarjes së marrëdhënies juridike të punës, që mbron edhe të drejtat e punënarrësit. Kur marrëdhënia e punës përfundon me marrëveshje, punëmarrësit i lind e drejta për të kërkuar shpërblim për vjetërsi në punë, njëlloj si në rastin e zgjidhjes së kontratës nga punëdhënësi pa shkaqe të arsyeshme apo në mënyrë të menjëhershme e të pajustifikuar, me kushtin që kohëzgjatja minimale e vjetërsisë në punë të jetë të paktën tre vjet. /web/232_00_2023_1822_17276.doc

(Shpërblimi i dëmit jopasuror nuk kërkon ekzistencën e fajit)

vendimin nr.00-2023-1970(246), datë 20.04.2023, për shpërblimin e dëmit jopasuror nga aksidenti i shkaktuar, KCGJL çmon se dëmshpërblimi jepet jo vetëm kur ekziston faji nga ana e drejtuesit të mjetit. Togfjalëshi “nga përdorimi i mjetit” i përdorur në ligjin nr. 10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, lidhet me sigurimin e detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj dëmeve të shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit. Nga interpretimi i fjalëpërfjalshëm i normës nuk kërkohet asnjë element tjetër, sikundër mund të jetë “faji” i drejtuesit të mjetit. /web/246_00_2023_1970_17292.doc

(Ndryshimet e njëanshme të kontratës individuale të punës përmes transferimit në një vend tjetër pune)

vendimin nr. 00-2023-1731(262), datë 26.04.2023, për zgjidhjen e kontratës së punës, KCGJL shprehet se transferimi i punëmarrësit nga një detyrë në një detyrë tjetër brenda strukturës është i vlefshëm, vetëm nëse bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës apo kontratën e punës. Transferimi nuk është i vlefshëm nëse punëmarrësi nuk bie dakord me të, pasi ai nuk është i detyruar që të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e përgjithshme apo të veçanta të punëdhënësit që ndryshojnë kushtet e kontratës. Ndryshimi i kontratës bëhet me marrëveshje ndërmjet palëve. /web/262_00_2023_1731_18418.doc

(Dhënia e pagës nga punëdhënësi gjatë afateve të njoftimit)

vendimin nr.00-2023-1832(287), datë 11.05.2023, për përfundimin e marrëdhënieve të punës në mënyrë të menjëhershme, KCGJL shprehet se për respektimin e afateve të njoftimit, gjykata duhet të marrë në analizë shkaqet e zgjidhjes së kontratës, të sqarojë natyrën e mosmarrëveshjes, e më pas të shprehet për masën e dëmshpërblimit. Mosrespektimi i afatit të njoftimit, sipas nenit 143 të Kodit të Punës, përcakton nëse kontrata e punës konsiderohet e zgjidhur menjëherë apo jo. Gjatë afatit të njoftimit marrëdhënia e punës vijon. Pagesa gjatë afateve të njoftimit nuk mund të interpretohet si mosrespektim i afateve të njoftimit, pasi shërben si një standard i shtuar në ndihmë të të drejtave të punëmarrësit.  /web/287_00_2023_1832_17713.doc

(Kushtet e shpërblimit të dëmit kur kontrata rezulton e pavlefshme)

vendimin nr.00-2023-1888(302), datë 11.05.2023, për përmbushjen e detyrimit për shërbimin e kryer nga pala paditëse, KCGJL çmon se përgjegjësia për shpërblimin e dëmit buron edhe nga një kontratë e pavlefshme që ka krijuar besueshmëri për vlefshmërinë e saj tek pala e dëmtuar, me plotësimin e tre kushteve: Dijenia apo mundësia objektive për marrjen dijeni për pavlefshmërinë e kontratës nga pala ndaj të cilës kërkohet shpërblimi i dëmit;  Ekzistenca e mirëbesimit të palës së dëmtuar në kryerjen e veprimeve, bazuar në bindjen se burojnë nga një kontratë e vlefshme; Mungesa e fajit të palës së dëmtuar për kryerjen e veprimeve në ekzekutim të një kontrate të pavlefshme. /web/302_00_2023_1888_17716.doc

(Vlera e shortit për ndarjen e pjesëve mes bashkëpronarëve)

vendimin nr.00-2023-2074(326), datë 24.05.2023, për pjesëtimin gjyqësor të sendeve në bashkëpronësi, KCGJL çmon se moskryerja e veprimit procedural të hedhjes së shortit në përcaktimin e pjesës në natyrë të secilit bashkëpronar, kur ekziston mundësia e ndarjes së barabartë, e bën hetimin gjyqësor të paplotë, por jo të pavlefshëm, për sa kohë që kjo e metë e hetimit gjyqësor mund të korrigjohet nga gjykata e apelit. /web/326_00_2023_2074_17889.doc

(Afati i parashkrimit të padisë për dëmet jashtëkontraktore, (mos)pezullimi i afatit të parashkrimit)

vendimin nr.00-2023-2726(414), datë 21.06.2023, KCGJL, pasi shpjegon nocionin e institutit të parashkrimit, vlerëson se afati i parashkrimit për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor (për çdo lloj forme dëmi pasuror apo jopasuror) në aksidentet automobilistike është 3 vjet. Dëmi jopasuror është kategori e veçantë e dëmit jashtëkontraktor dhe rrjedhimisht si pjesë e të njëjtës padi, nuk mund t’i nënshtrohet një afati të ndryshëm parashkrimi. Ndërkohë, instituti i pezullimit të afateve të parashkrimit të padisë është krijuar nga ligjvënësi për të mbrojtur paditësin, që në mënyrë të arsyeshme dhe të justifikuar, gjatë një periudhë të caktuar apo të pacaktuar, është në pamundësi objektive për të ushtruar të drejtën e padisë. Kur paditësi është i mitur, e drejta e padisë duhet të ushtrohet në emër dhe për llogari të tij nga prindërit, e si rezultat nuk mund të pretendohet pezullimi i afatit të parashkrimit të padisë, kur prindërit e tij nuk e kanë ushtruar atë në kohë. /web/414_00_2023_2726_18017.doc

(Ligji i zbatueshëm në kohë për përllogaritjen e masës së dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve)

vendimin nr.00-2023-3102(472), datë 19.07.2023, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KCGJL vlerëson se ligji i zbatueshëm për të përcaktuar masën e dëmshpërblimit në aksidentet automobilistike është ligji që gjen zbatim gjatë kohës kur ndodh ngjarja e paligjshme. Rregullorja nr. 53/2009 e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” zbatohet me efekt prapaveprues edhe për çështjet që janë në shqyrtim nga shoqëritë e sigurimit apo edhe për çështjet që janë në gjykim në momentin e hyrjes në fuqi të saj. /web/472_00_2023_3102_18371.doc

3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datën 21 shtator 2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë  z. Sokol Sadushi së bashku me anëtarët z. Ilir Panda dhe z. Ervin Pupe pritën një delegacion zyrtar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë së Bullgarisë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e sistemit gjyqësor dhe shkëmbimin e eksperiencave. Fokusi i takimit ishte forcimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe rritja e efektivitetit të tij. /web/Takim_me_perfaqesues_te_Keshillit_te_Larte_Gjyqesor_dhe_Prokurorial_te_Bullgarise_26486_1.php

4. Statistika

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt  janar - korrik 2023

Kolegji Administrativ ka dhënë 1842 vendime, nga të cilat 1766 janë vendime themeli, 28 kompetence/juridiksioni, si dhe 48 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.

Kolegji Civil ka dhënë 1653 vendime, nga të cilat 1562 janë vendime themeli, 35  kompetence/juridiksioni, si dhe 56 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.

Kolegji Penal ka dhënë 1386 vendime, nga të cilat 705 janë vendime themeli, 663 kompetence/masa sigurimi, si dhe 18 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.

Në total për muajt janar - korrik 2023 janë dhënë 4881 vendime gjyqësore.

5. Formulari i aplikimit elektronik

Për marrjen e dokumenteve në mënyrë elektronike, informacion mbi çështjen, si dhe për datën e gjykimit të çështjes, Gjykata e Lartë mundëson për çdo përdorues të saj formularin e aplikimit elektronik. /web/Informacione_kontakti_2_1.php

6. Formati i rekursit në Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc

7. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/open court)

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte