Buletini informativ 2023 - 4

1. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

(Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme vetëm me titull pronësie)

vendimin nr.00-2023-122(23), datë 24.01.2023, për regjistrimin e pronës dhe pajisjen me certifikatë pronësie, KAGJL vlerëson se regjistrimi i një pasurie të paluajtshme mund të bëhet vetëm mbi bazën e një titulli pronësie. Leja e ndërtimit, e dhënë nga Komiteti Ekzekutiv Vlorë nuk përbën titull pronësie, që të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme, në mënyrë që të nxirret certifikata e pronësisë. /web/23_00_2023_122_15531.doc

(Akt i ligjshëm që kufizon regjistrimin e pronës)

vendimin nr.00-2023-145(27), datë 26.01.2023, për shfuqizimin dhe konstatimin e nulitetit të aktit administrativ të nxjerrë për kufizimin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, KAGJL vlerëson se kufizimet e vendosura nga organi publik për shkak të mbivendosjes së pronës me pronat kufitare, janë rezultat i ushtrimit të drejtë të diskrecionit, si dhe përputhen me qëllimin e ligjit organik të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. /web/27_00_2023_145_14451.doc

(Statusi i funksionarit të kabinetit pranë njësive të vetëqeverisjes vendore)

vendimin nr.00-2023-560(32), datë 31.01.2023, për dëmshpërblimin me paga për shkak të zgjidhjes së marrëdhënies së punës, KAGJL vlerëson se shefi i kabinetit të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Vlorë është funksionar i veçantë politik, që nuk gëzon mbrojtje nga legjislacioni i shërbimit civil apo dispozitat e Kodit të Punës. /web/32_00_2023_560_16612.doc

(Llogaritja e detyrimit tatimor bëhet nga  eksperti në çështjet tatimore)

vendimin nr.00-2023-1737(40), datë 03.02.2023, për anulimin e akteve të administratës tatimore, KAGJL vlerëson se gjykatat nuk kanë kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm të çështjes, pasi nuk kanë caktuar asnjë ekspert për të sqaruar sistemin e autofaturimit dhe vlerësuar masën e TVSH së paguar përmes faturave të paraqitura nga paditësi. Gjykata e apelit duhet të hetojë diferencën, që sjell zbatimi i sistemit të autofaturimit në raport me atë të caktimit të përfaqësuesit tatimor në pagimin e TVSH prej paditësit si person jo rezident tatimor. /web/40_00_2023_1737_16155.doc

(Rishikimi i çmimit të kontratave të lidhura përmes procedurave të prokurimit publik)

vendimin nr.00-2023-376(42), datë 07.02.2023, për detyrimin e organit publik që të paguajë çmimin e rritur të kontratës administrative, KAGJL vlerëson se pala kontraktore në një kontratë publike mund të kërkojë rishikimin e çmimit të kontratës, si pasojë e ndryshimit të rrethanave që vijnë nga miratimi i ndonjë akti normativ, vetëm nëse ajo e ka zbatuar aktin normativ dhe zbatimi konkret i tij të ketë ndikuar efektivisht në realizimin e kontratës dhe ky ndikim të jetë përballuar nga pala kontraktore. /web/42_00_2023_376_15644.doc

(Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve)

vendimin nr.00-2023-1273, datë 30.03.2023, KAGJL sqaron se në administratën doganore mosmarrëveshjet lidhur me nëpunësit civilë zgjidhen nga gjykata administrative, ndërsa për punonjësit administrativë nga gjykatat civile. /web/00_2023_1273_16092.doc

vendimin nr.00-2023-1343, datë 04.04.2023, për përmbushjen e detyrimit kontraktor institucionit publik, sipas çmimit të ripërllogaritur të kontratës së qirasë, KAGJL sqaron se marrëdhënia juridike e krijuar midis palëve është një marrëdhënie juridiko-civile që nuk synon përmbushjen e ndonjë interesi publik dhe kompetenca për shqyrtimin e saj i përket gjykatës civile. /web/00_2023_1343_kompetence_16256.doc

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

(Gjyqtari kompetent në sigurimin e provës)

vendimin nr.589, datë 13.04.2023, KPGJL sqaron se kompetenca lëndore/funksionale për shqyrtimin e kërkesave penale (të bashkuara në një çështje) për sigurimin e provës, i përket gjyqtarit, i cili shqyrton kërkesat e paraqitura gjatë hetimit paraprak. /web/00_2023_589_17037.doc

(Juridiksioni gjyqësor për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”)

vendimin nr.679, datë 18.04.2023, KPGJL vlerëson se në rast se “Neglizhenca në trajtimin mjekësor” ka sjellë si pasojë vdekjen e personit, ajo cilësohet krim. Për rrjedhojë, shqyrtimi i pushimit të procedimit penal për këtë vepër penale i përket juridiksionit gjyqësor. /web/00_2023_679_17341.doc

(Moslegjitimimi i personit të kallëzuar)

vendimin nr.125, datë 20.04.2023, KPGJL thekson se personat e kallëzuar nuk kanë pozitë procedurale në çështjet me objekt kundërshtimin e vendimi të mosfillimit të procedimit penal. Si të tillë ata nuk legjitimohen si pjesëmarrës as në gjykimin e çështjes dhe as në ankimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal. /web/125_00_2023_714_17062.doc

(Mosparaqitja në gjyq e palës kërkuese sjell vazhdimin e gjykimit)

vendimin nr.131, datë 25.04.2023, KPGJL sqaron se procesi gjyqësor i ankimit ndaj vendimit të pushimit të një vepre penale që ndiqet kryesisht nuk mund të pushohet për mosparaqitje të palës kërkuese. /web/131_00_2023_681_17063.doc

(Kushtet e mos/lejimit të ekstradimit)

vendimin nr.139, datë 25.04.2023, KPGJL thekson se mosdhënia e garancisë nga shteti kërkues i ekstradimit se personi i kërkuar nuk do të ndiqet, nuk do të dënohet dhe as do t’i dorëzohet një shteti tjetër për një vepër penale që ka ndodhur para kërkesës për dorëzim dhe që është e ndryshme nga ajo për të cilën është dhënë ekstradimi, përbën kusht të mjaftueshëm për moslejimin e ekstradimit dhe mospranimin e kërkesës për ekstradim. /web/139_00_2023_980_17213.doc

(Përgjegjësia penale e personit juridik)

vendimin nr.800(154), 16.05.2023, KPGJL arsyeton mbi autonominë e përgjegjësisë penale të personit juridik, në raport me atë të personit fizik, duke vendosur se personi juridik është përgjegjës për vepër penale të kryer “në emër” dhe ”në dobi” të tij, edhe nëse personi që ka kryer veprën penale nuk është dënuar për të. /web/154_00_2023_800_17663.doc

(Kompetenca e gjykatës për kërkesat për shuarjen e masës së sigurimit)

vendimin nr.1020, datë 20.06.2023, KPGJL vlerëson se kërkesa për shuarjen e masës së sigurimit do të shqyrtohet nga gjykata në të cilën ndodhen aktet, në momentin e paraqitjes së saj. /web/00_2023_1020_copy_1_17652.doc

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

(Kërkesat për shpronësimin e të njëjtës pronë përbëjnë gjë të gjykuar)

vendimin nr.00-2023-841(111), datë 08.03.2023, për kërkesat e paraqitura pas hyrjes së fuqi të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës, për njohjen, kthimin apo kompensimin e pjesës së patrajtuar më parë të pronës, e drejta e pronësisë së përfituar nga vendimet e mëparshme të formës së prerë përbën gjë të gjykuar. Për kthimin fizik të një pjese të pronës së shpronësuar e të njohur me vendim të mëparshëm gjyqësor duhet të përcaktohen vetëm sipërfaqet e lira. /web/111_00_2023_841_16305.doc

(Pasojat ndaj padisë kur e drejta pozitive nuk ekziston dhe e drejta është e pabazuar)

vendimin nr.00-2023-1937(136), datë 15.03.2023, KCGJL vlerëson se në rastin kur pretendimi nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore apo nuk ekziston e drejta pozitive e pretenduar që mbështet kërkimet e kërkesëpadisë, gjykata vendos pushimin e gjykimit sepse ndodhemi para një padie që nuk mund të ngrihet, ndërsa kur një pretendim nuk gjen mbështetje ligjore, padia rrëzohet. /web/136_00_2023_1937_16580.doc

(Përjashtimi i trashëgimtarëve ligjore nga trashëgimia dhe mosrespektimi i rezervës ligjore)

vendimin nr.00-2023-1002(161), datë 27.03.2023, për njohjen trashëgimtar nga testamenti dhe regjistrimin e pasurisë së paluajtshme nga trashëgimia, KCGJL thekson se përjashtimi nga trashëgimia mund të bëhet si në mënyrë të shprehur, duke përcaktuar nominalisht personat që do të përjashtohen, ashtu dhe në mënyrë të heshtur nëpërmjet përcaktimit të rrethit të trashëgimtarëve testamentarë, duke mos përfshirë personat që do të përfitonin nëse do të zbatohej trashëgimia ligjore. Mosrespektimi i rezervës ligjore sjell pavlefshmërinë e pjesshme të testamentit. /web/161_00_2023_1002_16798.doc 

(Afati i parashkrimit të padisë së dëmit jashtëkontraktor, kur paguan siguruesi)

vendimin nr.00-2023-1135(169), datë 27.03.2023, për shumën e paguar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit për dëmin material që i është shkaktuar mjetit nga aksidenti i ndodhur, KCGJL vlerëson se ndodhemi përpara institutit të shpërblimit të dëmit jashtëkontraktor, për të cilin afati i ngritjes së padisë është 3 vjet. Për nisjen e afatit të parashkrimit të padisë në këtë rast duhet marrë në konsideratë dita kur paditësi (byroja) i ka paguar detyrimin ligjor personit të tretë. Personi i dëmtuar nga përdorimi i mjetit motorik ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit nga fondi i kompensimit. /web/169_00_2023_1135_16383.doc

(Kushtet e ekzistencës së padisë pauliana në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm)

vendimin nr.00-2023-1261(177), datë 29.03.2023, për kundërshtimin e veprimeve të debitorit në dëm të kreditorit gjatë fazës së ekzekutimit, KCGJL shprehet se “padia pauliana” është mjeti juridik që ligji i njeh kreditorit për sigurimin e përmbushjes së detyrimit. Ekzistenca e kësaj padie kushtëzohet në mënyrë kumulative nga disa kushte. /web/177_00_2023_1261_16834.doc

(Natyra dhe të drejtat që burojnë nga kontrata e sipërmarrjes)

vendimin nr.00-2023-1272(176), datë 29.03.2023, për përmbushjen e detyrimit kontraktor, për kalimin e pronësisë së apartamentit, KCGJL vlerëson se kontrata e sipërmarrjes nuk është një kontratë formale,  për rrjedhojë mungesa e formës shkresore për këtë veprim të dyanshëm juridik, nuk përbën shkak që ajo të mos cilësohet e tillë. Marrëdhënia juridike e krijuar ndërmjet palëve kontraktore është një marrëdhënie juridiko-civile, që materializohet në momentin e realizimit të sendit objekt i kontratës së premtimit të shitjes. Transferimi i së drejtës së pronësisë bëhet sapo sendi pranohet se ekziston, si dhe me pagimin e çmimit të tij dhe jo kur palët e konfirmojnë atë formalisht përmes kontratës së shitjes. /web/176_00_2023_1272_16833.doc

(Pezullimi i afatit të parashkrimit të padisë për të miturit)

vendimin nr.00-2023-1535(210), datë 12.04.2023, për detyrimin për t’i paguar palës shpërblimin e dëmit jopasuror, së bashku me kamatat ligjore KCGJL shprehet se, në zbatim të Kodit Civil, afati i parashkrimit të padisë së të miturit pezullohet, kur i mituri nuk ka përfaqësues ligjor. Mungesa e zotësisë për të vepruar nga i mituri dhe ajo e përfaqësuesit të tij ligjor përbëjnë pamundësi objektive për ushtrimin e të drejtës së padisë prej tij, ç`ka justifikon edhe pasivitetin e të miturit. /web/210_00_2023_1535_17033.doc

2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

(Cenim i aksesit në gjykatë për shkak të zbatimit të gabuar të afatit të ankimit kushtetues individual gjatë periudhës tranzitore)

çështjen Zajmi kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 83907/17, vendim i datës 20.06.2023, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi mungesa e përcaktimeve të qarta në ligj për llogaritjen dhe nisjen e afatit 4-mujor (pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe zbatimit të tij në periudhën tranzitore), për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese, bie ndesh me parashikueshmërinë dhe qartësinë që duhet të ketë ligji në zbatim të parimit të sigurisë juridike. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225318

(Cenim i të drejtës për t’u mbrojtur dhe dëgjuar në Gjykatën e Lartë)

çështjen Lazaris kundër Shqipërisë, kërkesa nr.48806/06, vendim i datës 20.06.2023, për cenimin e të drejtës për akses në gjykatë, si dhe të drejtës për t’u mbrojtur e dëgjuar, GJEDNJ vlerëson se pretendimet e kërkuesit janë të bazuara, pasi mungesa e njoftimit për të marrë pjesë në seancën gjyqësore përpara Gjykatës së Lartë, bie ndesh me garancitë e procesit të rregullt ligjor që ofron neni 6 i KEDNJ, të drejtën për t`u dëgjuar e mbrojtur, si dhe parimin e barazisë së armëve. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225313

(Cenim i parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm)

çështjen Zeqo dhe Seat SHPK kundër Shqipërisë, kërkesat me nr. 61445/12 dhe 53157/15, vendim i datës 22.06.2023, për cenimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesat janë të bazuara, pasi vonesa për më tepër se 9 vjet e 5 muaj për përfundimin e gjykimit nga shkalla e parë deri në Gjykatën e Lartë është e pajustifikueshme dhe cenon parimin e gjykimit në afat të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225322

çështjen Mulla kundër Shqipërisë, kërkesa me nr. 72348/11, vendim i datës 06.07.2023, për cenimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi vonesa për më tepër se 7 vjet e 5 muaj për përfundimin e gjykimit në shkallët e gjyqësorit vendas është e pajustifikueshme dhe cenon këtë parim. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225658

çështjen Hamitaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 11254/1, vendim i datës 20.07.2023, për cenimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe mjetit efektiv të ankimit, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi vonesa për më tepër se 6 vjet e 3 muaj për përfundimin e gjykimit në shkallët e gjyqësorit vendas është e pajustifikueshme dhe cenon këtë parim. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225885

(Mospranim i pretendimit për cenimin e aksesit në gjykatë)

çështjen Dea 7. Co kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 65320/09, vendim i datës 27.06.2023, për cenimin e aksesit në gjykatë, për kundërshtimin e detyrimit tatimor, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, respektivisht mjetin juridik administrativ përpara se t`i drejtohej gjykatës kompetente. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-226128

(Shkelje e parimit të gjykimit të drejtë gjatë procesit të vetting-ut për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë)

çështjen Thanza kundër Shqipërisë, kërkesa me nr. 41047/19, vendim i datës 04.07.2023, për kundërshtimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë në përfundim të procesit të vetting-ut, GJEDNJ vlerëson se pamundësia e kërkuesit për t`u njohur me dokumentacionin dhe informacionin e klasifikuar ku provoheshin lidhjet e tij me persona të krimit të organizuar, i ka cenuar të drejtën për t`u mbrojtur dhe parimin e një gjykimi të drejtë, pasi nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është mbajtur qëndrim formalist në vlerësimin e komponentit të figurës. Sa i takon cenimit të së drejtës për jetë private dhe familjare, GJEDNJ nuk gjeti shkelje. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225653

(Cenim i të drejtës për ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm)

çështjen Elgakoti SHPK dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesat me nr. 63986/10 dhe 5 të tjerë, vendim i datës 06.07.2023, për mosekzekutimin e vendimit të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesat janë të bazuara, pasi ekzekutimi i tyre është bërë i pjesshëm dhe me vonesë. GJEDNJ thekson se kur kërkuesi ka përfituar pagën dhe rikthimin në detyrë me vendim gjyqësor të formës së prerë, atij duhet t`i jepet paga e plotë e indeksuar (me rritjet e pësuara sipas nenit 120 të Kodit të Punës), së bashku me sigurimet shoqërore e shëndetësore. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225657

(Cenim i privimit të lirisë, tejzgjatje e paarsyeshme e afatit të paraburgimit)

çështjen Muçaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 37814/10, vendim i datës 11.07.2023, për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, gjykimit të drejtë, si dhe tejzgjatjen e paarsyeshme të paraburgimit (3 vjet e 2 muaj e 13 ditë), GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi gjykatat më të ulëta nuk kanë marrë në konsideratë kërkesat për vendosjen e ndonjë mase më të butë sigurimi, ndërkohë që hetimi për veprën penale kishte përfunduar dhe kishte kaluar një kohë e gjatë. Vonesat e gjykimit të shkaktuara nga përfaqësuesi i bashkëtëpandehurit tjetër, nuk janë shkaqe që justifikojnë tejzgjatjen e paarsyeshme të afateve të paraburgimit për kërkuesin. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225758

(Cenim i të drejtës për proces të rregullt ligjor dhe i parimit të barazisë së armëve)

çështjen Yzeiraj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 70455/10, vendim i datës 11.07.2023, për cenimin e parimit të barazisë së armëve, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi gjykatat vendase nuk kanë arsyetuar mbi kërkesat e parashtruara nga i pandehuri për marrjen e provave të reja dhe thirrjen e dëshmitarëve që mund të provonin pafajësinë e tij. Prezenca e dëshmitarëve ishte thelbësore për fajësinë e të pandehurit dhe mosmarrja e saj në konsideratë, e ka vendosur atë në një pozitë të pabarabartë me prokurorët për të kundërshtuar akuzat. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225759

3. Aktivitete të Gjykatës së Lartë

Në datat 20-21.07.2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe Drejtorja e Kabinetit të Gjykatës së Lartë znj. Arta Vorpsi morën pjesë në punimet e Kongresit Botëror të Ligjit, të organizuar nga Fondacioni Botëror i Ligjit në New York, SHBA.

4. Formulari i applikimit elektronik

Për marrjen e dokumenteve në mënyrë elektronike, informacion mbi çështjen, si dhe për datën e gjykimit të çështjes, Gjykata e Lartë mundëson tashmë për çdo përdorues të saj formularin e aplikimit elektronik. /web/Informacione_kontakti_2_1.php

5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc

6. Vizitat në Gjykatën e Lartë

Në Gjykatën e Lartë është i mirëpritur çdo i interesuar (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) për të marrë pjesë në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke bërë më të prekshme veprimtarinë e saj të përditshme. Kjo mundësohet përmes një aplikimi të thjeshtë elektronik, duke plotësuar hapësirat (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php

Kontakt:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al

Email: Ida.Vodica@gjykataelarte.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte