1. Përbërja e Gjykatës së Lartë
Gjykatës së Lartë i shtohet edhe një gjyqtar, znj. Enkelejda Metaliaj, e cila u emërua me dekretin nr. 78, datë 06.06.2023, të Presidentit të Republikës. Prej vitit 1995 deri në vitin 2000 ajo ka ushtruar detyrën e ndihmësgjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më tej, në vitet 2000 - 2010 ka ushtruar detyrën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ndërsa gjatë periudhës 2010 - 2016 ka ushtruar detyrën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga viti 2016 e deri në emërimin e saj në Gjykatën e Lartë ka ushtruar detyrën si gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ku në dy vitet e fundit ka shërbyer edhe si zëvendëskryetare e kësaj gjykate.
2.Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
(Kriteret për përjashtimin e subjektit nga detyrimi i TVSH)
Në vendimin nr.00-2023-53(7), datë 19.01.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të organeve tatimore, KAGJL, pasi shpjegon dallimin midis pavlefshmërisë absolute dhe relative të aktit administrativ, vlerëson se subjekti nuk përjashtohet nga TVSH pasi transporti i udhëtarëve nuk përbën furnizim apo shërbim të tillë që subjekti të përfitojë nga ky lehtësim. /web/7_00_2023_53_14230.doc
(Detyrimi i organit publik për të ekzekutuar menjëherë vendimin gjyqësor)
Në vendimin nr.00-2023-713(9), datë 19.01.2023, për pagimin e pagës si nëpunës civil gjyqfitues dhe njohjen e vjetërsisë në shërbimin civil, KAGJL vlerëson se kur një palë ka fituar një të drejtë me një vendim gjyqësor dhe pala gjyqhumbëse është organ publik, nuk është e nevojshme nisja e një procedure përmbarimore nga gjyqfituesi, por organi publik duhet të ekzekutojë vetë vendimin, duke vepruar në mirëbesim me urdhërimet e vendimit gjyqësor. Kur gjykata urdhëron rikthimin në detyrë të një nëpunësi civil, është detyrim ligjor i palës së paditur dhe është pjesë e qenësishme e ratios së vendimit gjyqësor, që gjyqfituesi të vendoset në të njëjtat kushte që ishte para se të largohej padrejtësisht nga puna. Kjo qartësisht nënkupton edhe dhënien e pagës për gjithë periudhën që pa të drejtë është larguar nga puna. /web/9_00_2023_713_15180.doc
(Afati për kundërshtimin e aktit administrativ të lirimit nga shërbimi civil për shkak të ristrukturimit)
Në vendimin nr.00-2023-93(12), datë 19.01.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të lirimit nga shërbimi civil, KAGJL vlerëson se, për shkak të njohurive që gëzon nëpunësi civil mbi mjetet e ankimit dhe parashikimeve të ligjit organik, afati për të kundërshtuar aktin e përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil, për shkak të ristrukturimit, është 45 ditë nga njoftimi i tij dhe jo nga përfundimi i efekteve financiare të dëmshpërblimit. /web/12_00_2023_93_15748.doc
(Korrigjimi i të dhënave në regjistrat themeltarë të fakultetit)
Në vendimin nr.00-2023-94(13), datë 19.01.2023, për korrigjimin e të dhënave në regjistrat themeltarë të fakultetit, KAGJL vlerëson se kur regjistrat themeltarë të fakultetit janë në përdorim, krijuesi i tyre mund të ndërhyjë dhe të saktësojë të dhënat e shënuara në të, ndërsa kur janë plotësuar përfundimisht, ata janë të pandryshueshëm nga krijuesi i tyre, e si të tillë duhen shërbyer besnikërisht me origjinalin, pa komente ose interpretime. /web/13_00_2023_94_15749.doc
(Padi që nuk mund të ngrihet)
Në vendimin nr.00-2023-99(14), datë 19.01.2023, për nxjerrjen e certifikatës nga dokumenti hipotekor, KAGJL sqaron se ndodhemi përpara një padie që nuk mund të ngrihet, për sa kohë që nuk është kundërshtuar urdhri i përbashkët i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ish-Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me të cilin janë pezulluar veprimet e organit publik mbi pasuritë që kërkohet lëshimi i certifikatës. /web/14_00_2023_99_15750.doc
(Gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve)
Në vendimin nr.00-2023-324, datë 07.02.2023, KAGJL sqaron se marrëdhëniet e punës së punonjësve të zyrave arsimore rregullohen sipas Kodit të Punës dhe kompetente për gjykimin e tyre është gjykata civile. /web/00_2023_324_k_14624.doc
Në vendimin nr.00-2023-346, datë 14.02.2023, KAGJL sqaron se pjesa e padisë për ndryshimin e aktit normativ nënligjor është në kompetencën funksionale të Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa pjesa e padisë mbi pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore duhet të gjykohet nga gjykata administrative e shkallës së parë. /web/00_2023_346_k_15126.doc
Kolegji Penal Gjykatës së Lartë
(Miratimi i mbrojtësit të caktuar nga familjarët)
Në vendimin nr.347, datë 23.02.2023, KPGJL thekson se miratimi në seancë gjyqësore nga ana e të gjykuarit mbi vullnetin e familjes për caktimin e mbrojtësit, pavarësisht të metave fillestare, konsiderohet pëlqim plotësisht i ligjshëm. /web/58_00_2023_347_15449.doc
(Kriteret për ndryshimin e masës së sigurimit)
Në vendimin nr.375, datë 23.02.2023, KPGJL sqaron se kriteri "sjellja e mirë e të dënuarit" nuk mjafton për pranimin e kërkesës së tij për transferim nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme. /web/59_00_2023_375_15888.doc
(Ligjshmëria e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale)
Në vendimin nr.436(74), datë 16.03.2023, KPGJL vendos se gjykata mund të rikualifikojë të njëjtin fakt që është përshkruar në kërkesën për gjykim, por jo një fakt të ri, që nuk i është njoftuar të pandehurit, pasi cenohet e drejta e të pandehurit për proces të rregullt ligjor. /web/74_00_2023_436_16876.doc
(Elementet e falsifikimit të dokumenteve me dashje që sjell pasoja)
Në vendimin nr.406(76), datë 21.03.2023, KPGJL vlerëson se kur në veprimet/mosveprimet e paligjshme të të gjykuarit përmbushet elementi i anës objektive dhe subjektive (fajit në formën e dashjes), për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, nëpërmjet paraqitjes së të dhënave të pavërteta për masën disiplinore të largimit nga puna, e duke sjellë si pasojë një përfitim të padrejtë (plotësimi i kritereve në aplikimin për gjyqtar në KPA), atëherë përmbushen kushtet për mbajtjen e përgjegjësisë penale të autorit. /web/76_00_2023_406_16504.doc
(Kompetenca e GJKKO për gjykimin e veprave me qëllime terroriste)
Në vendimin nr.499, datë 23.03.2023, KPGJL vlerëson se përfshirja në kompetencën lëndore të gjykatave të posaçme e “Veprave me qëllime terroriste” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ligjvënësi me këtë ndërhyrje ka pasur në vëmendje qëllimin e normës kushtetuese (neni 135/2) për të kategorizuar brenda juridiksionit penal të posaçëm ato vepra penale që janë në të njëjtin nivel për nga rëndësia dhe natyra e tyre. /web/00_2023_499_16006.doc
(Kohëzgjatja e cilësisë së të qenit i pandehur)
Në vendimin nr.991(94), datë 28.03.2023, KPGJL arsyeton se personi që merr një herë cilësinë e të pandehurit e ruan atë deri në marrjen e një vendim përfundimtar, që i jep fund procesit apo gjykimit. Cilësia e të pandehurit rimerret ipso jure kur prishet vendimi i pushimit, apo kur vendoset rigjykimi i çështjes që ka përfunduar më parë me një vendim të formës së prerë. /web/94_00_2023_991_17256.doc
(Vendimi i prokurorit për mosfillimin e procedimit penal tej afatit)
Në vendimin nr.948(104), datë 30.03.2023, KPGJL vendos se marrja e vendimit të mosfillimit të procedimit nga prokurori përtej afatit 15 ditor të përcaktuar në ligj përbën një devijim në ushtrimin e funksionit të prokurorit, e për rrjedhojë, një vendim i tillë shënon abnormitetin e vendimmarrjes së tij. /web/104_00_2023_948_17004.doc
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
(Afati i ankimit kundër veprimeve përmbarimore)
Në vendimin njësues civil nr.00-2022-4586(392), datë 26.10.2022, për përcaktimin e afatit të ankimit kundër vendimit të gjykatës që ka shqyrtuar ankimin ndaj veprimeve përmbarimore. KCGJL shprehet se neni 610 i KPC lejon ankim të veçantë, brenda një afati 5 ditor, ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka disponuar mbi ankimin kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor. Ankimi i veçantë, i parashikuar në nenin 610 të KPC, është mjeti me të cilin goditet si vendimi për pezullimin e veprimeve përmbarimore ashtu edhe vendimi që disponon përfundimisht mbi kundërshtimin e veprimit përmbarimor. /web/392_00_2022_4586_15860.doc
(Veprimet juridike për fitimin e pronësisë me parashkrim fitues me titull)
Në vendimin njësues civil nr.00-2022-4596(393), datë 26.10.2022, ku trajtohet kuptimi dhe vlefshmëria e veprimit juridik për fitimin e pronësisë me parashkrim fitues me titull, KCGJL shprehet se “me veprimet juridike që kanë për qëllim kalimin e pronësisë” kuptohen vetëm veprimet juridike sipas përkufizimit të dhënë në nenin 79 të Kodit Civil, duke përjashtuar nga zbatimi i kësaj dispozite çdo titull tjetër të ndryshëm që përmban fitimin e një të drejte pronësie. Jo çdo shkelje e ligjit që shkakton pavlefshmëri absolute të veprimit juridik përfshihet në konceptin e veprimit “të ndaluar nga ligji”, por vetëm ato veprime juridike absolutisht të pavlefshme, në kundërshtim me një normë urdhëruese/ndaluese të ligjit që mbron një interes publik, në përputhje me kriteret e parashikuara në nenet 92 dhe 677 të Kodit Civil. /web/393_00_2022_4596_17564.doc
(Zgjidhja e kontratës kolektive)
Në vendimin nr.00-2023-233(43), datë 01.02.2023, për zgjidhjen e kontratës kolektive të punës, KCGJL shprehet se zgjidhja e kontratës kolektive është një rast i veçantë i ndërprerjes së marrëdhënies së punës për të cilën nuk diskutohet, bisedohet apo negociohet me vetë punëmarrësin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me sindikatën e punonjësve që mbron në mënyrë të përgjithshme interesat e të gjithë punonjësve të prekur. /web/43_00_2023_233_16281.doc
(Provat në mosmarrëveshjet e palëve që kanë marrëdhënieve gjinore të afërta)
Në vendimin nr.00-2023-621(51), datë 01.02.2023, për përmbushjen vullnetare të detyrimit me kërkesë të kreditorit, KCGJL vlerëson se nuk duhet ngatërruar instituti i formës së veprimit juridik me efekt pavlefshmërie me atë që kërkohet për efekt provueshmërie. Kur palët ndërgjyqëse kanë marrëdhënie gjinore të afërta me njëri-tjetrin, veç provave me dëshmitarë, mund të paraqesin edhe prova të tjera shkresore. /web/51_00_2023_621_16027.doc
(Dëmshpërblimi në zgjidhjen e kontratës së punës me afat të caktuar dhe të pacaktuar)
Në vendimin nr.00-2023-465(59), datë 15.02.2023, për pavlefshmërinë e kontratës së punës, KCGJL shprehet se rastin e zgjidhjes së kontratës përpara përfundimit të afatit kontraktor punëmarrësit i lind e drejta të kërkojë pagën deri në përfundim të afatit kontraktor, ndërsa në rastin e zgjidhjes së kontratës pa afat, pa respektuar afatin e njoftimit, punëmarrësit i lind e drejta në bazë të të njëjtit paragaraf të kërkojë pagën korresponduese të afatit të njoftimit, në qoftë se shkaku i zgjidhjes së kontratës është i pajustifikuar. Kur midis palëve kanë qenë të lidhura disa kontrata të njëpasnjëshme jo më pak se tre vjet mosripërtëritja e kontratës së fundit nga punëdhënësi vlerësohet si zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar. Punëmarrësit i lind e drejta për të kërkuar dëmshpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit, si dhe dëmshpërblim për dëmin moral, deri në 1 vit pagë. /web/59_00_2023_465_15378.doc
(Raportet personale midis avokatit dhe palës nuk përbëjnë shkak për rivendosjen në afat të ankimit)
Në vendimin nr.00-2023-678, datë 22.02.2023, për rivendosjen në afat të ankimit, për faktin se avokati që ka përfaqësuar palën nuk i ka njoftuar brenda afatit ligjor 5 ditor që ta paraqesin ankimin vetë, KCGJL shprehet se instituti i rivendosjes në afat është një mjet i jashtëzakonshëm juridik. Ai përdoret kur pala humbet afatin procedural të ankimit të vendimit për shkaqe që nuk varen prej saj. Problemet e komunikimit midis avokatit dhe palës apo raportet ndërpersonale midis tyre nuk përbëjnë shkak për rivendosje në afat të ankimit. /web/00_2023_678_17131.doc
(Rishikimi i vendimit gjyqësor pavarësisht ekzekutimit të tij)
Në vendimin nr.00-2023-2057(91), datë 01.03.2023, për rishikimin e vendimit gjyqësor, KCGJL vlerëson se kur vendimi nuk është i formës së prerë (përfundimtar) ndaj tij nuk mund të ushtrohet rishikimi si mjet i jashtëzakonshëm pa përfunduar më parë gjykimi i rekursit. Jo çdo vendim i ekzekutueshëm është i formës së prerë, si dhe jo çdo vendim i formës së prerë është i ekzekutueshëm. /web/91_00_2023_2057_16846.doc
3. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
(Cenim i aksesit në gjykatë për shkak të llogaritjes së gabuar të afatit 4-mujor të ankimit kushtetues individual)
Në çështjen Supergrav SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa nr.20702/18, vendim i datës 9 maj 2023, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi llogaritja e afatit 4-mujor për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese, gjatë periudhës kalimtare të hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore për këtë qëllim, duhet të niste që nga data që kërkuesi merr dijeni për vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë dhe jo nga data e shpalljes së vendimit prej kësaj gjykate. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-224794
(Mospranim i pretendimit për cenimin e të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm)
Në çështjen Kote kundër Shqipërisë, kërkesa nr.40730/11, vendim i datës 17 maj 2023, për cenimin e të drejtës për t`u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm dhe cenimin e të drejtës për të pasur një mjet efektiv ankimi në këtë drejtim, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi gjykimi i çështjes brenda periudhës prej 3 vitesh e 8 muajsh në të tria shkallët e gjykimit nuk bie ndesh me parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225396
(Mospranim i pretendimit për diskriminimin e fëmijëve të minoritetit rom lidhur me të drejtën për arsim)
Në çështjen Avdiu kundër Shqipërisë, kërkesa nr.49516/17, vendim i datës 23 maj 2023, për diskriminimin racor të fëmijëve të minoritetit rom, në kuadër të së drejtës për arsim, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi autoritetet vendase kanë marrë masat e duhura për të ndaluar diskriminimin, duke zbatuar detyrime konkrete pozitive. Ndërkohë sa i përket dëmshpërblimit për efekt të diskriminimit, GJEDNJ vlerësoi se kërkuesit nuk kishin shteruar mjetet efektive të ankimit sipas legjislacionit të brendshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225553
(Mospranim i pretendimit për cenimin e parimit të gjykatës së paanshme)
Në çështjen Dalvy kundër 47 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (përfshi Shqipërinë), kërkesa nr.61548/21, vendim i datës 23 maj 2023, për cenimin e parimit të paanësisë dhe pavarësisë së gjykatës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi pretendime të këtilla nuk janë parashtruar përpara Tribunalit Administrativ të Këshillit të Evropës dhe se mënyra e organizimit dhe funksionimit të tij nuk përbënte shkak për të shkelur këto dy parime. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225554
(Mospranim i pretendimit për cenimin e aksesit në gjykatë, të drejtës për mjet efektiv ankimi dhe gjykimit në afat të arsyeshëm)
Në çështjen 2001 SHPK kundër Shqipërisë, kërkesa me nr. 56080/19, vendim i datës 30 maj 2023, për cenimin e aksesit në gjykatë, mosgjykimin në afat të arsyeshëm dhe cenimin e të drejtës për mjet efektiv ankimi, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225626
(Mospranim i pretendimit për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese)
Në çështjen Haka kundër Shqipërisë, kërkesa me nr. 34712/18, vendim i datës 30 maj 2023, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese për shkak të llogaritjes së afatit 4-mujor për ankimin kushtetues individual, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi ankimi është depozituar jashtë afatit ligjor, marrë në konsideratë edhe momentin që jurisprudenca kushtetuese u qartësua në këtë drejtim. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225625
(Cenim i aksesit në gjykatë për shkak të zbatimit të gabuar të afatit të ankimit kushtetues individual gjatë periudhës tranzitore)
Në çështjen Kola kundër Shqipërisë, kërkesa nr.70656/17, vendim i datës 13 qershor 2023, për cenimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi mungesa e përcaktimeve të qarta në ligj për llogaritjen dhe nisjen e afatit 4-mujor (pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe zbatimit të tij në periudhën tranzitore) për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. GJEDNJ ka orientuar kërkuesin edhe për të rihapur çështjen pranë Gjykatës Kushtetuese. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-225219
4. Aktivitete të Gjykatës së Lartë
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e Ditës së Drejtësisë, e cila përkon me 110 vjetorin e krijimit të Gjykatës së Lartë, në datat 4 dhe 5 maj 2023 në mjediset e brendshme dhe të jashtme të saj u prezantua ekspozita me piktura dhe dokumente arkivorë mbi gjyqësorin.
Në datën 10 maj 2023 Gjykata e Lartë, me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri dhe Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, organizoi konferencën ndërkombëtare “Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë, nga identiteti kombëtar tek vlerat universale", . Në konferencë morën pjesë gjyqtarë, akademikë dhe personalitete të tjera, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përveç fjalimeve dhe përshëndetjeve nga organizatorët dhe të ftuarit në këtë konferencë, pjesë e aktiviteteve promovuese për Ditën e Drejtësisë ishte botimi i dy materialeve me vlerë të veçantë si “Paraqitje e shkurtër e krijimit dhe organizimit të Gjykatës së Lartë (ribotim i freskuar)” dhe “Vendime të Gjykatës së Lartë - 110 vjet përvojë gjyqësore”, si dhe një dokumentar historik për 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë. Dokumentarin mund ta shihni të plotë në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=snn2EShDQ8s
Në vijim të aktiviteteve për Ditën e Drejtësisë dhe 110-vjetorit të Gjykatës së Lartë, në datën 17 maj 2023 në mjediset e Galerisë Kalo u hap ekspozita “Drejtësia”, me piktura dhe vepra arti të punuara nga studentët e Akademisë së Arteve.
Në kuadër të zhvillimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, një delegacion i përbërë nga anëtarët e Gjykatës së Lartë Asim Vokshi, Arbena Ahmeti, Sokol Ngresi dhe Darjel Sina, zhvilloi një takim dypalësh me përfaqësuesit e Këshillit të Shtetit Grek në Athinë më 18 maj 2023.
Në datën 25 maj 2023 Gjykata e Lartë priti një grup studentësh të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Në datën 29 maj 2023, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, Kryetari i Kolegjit Civil, Artur Kalaja dhe gjyqtari Asim Vokshi pritën delegacionin e Republikës së Kosovës, të kryesuar nga z. Albert Zogaj, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Sallahu, Zëvendësministër i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Fejzullah Rexhepi, gjyqtar i Gjykatës Supreme të Kosovës, Isuf Jahmurataj, kryesues i grupit të punës për Kodin e Procedurës Civile, ekspertët Alban Krasniqi dhe Idlir Peçi, si dhe znj. Franciska Zhitja Imeri, gjyqtare në Gjykatën Komerciale të Republikës së Kosovës.
Në datën 30 maj 2023, Gjykata e Lartë priti “Klubin Studentor” të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në kuadër të praktikës mësimore, pas përfundimit të ciklit të leksioneve.
Në datën 2 qershor 2023, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe gjyqtarët Ilir Panda e Ervin Pupe pritën në një takim Kryetarin e Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Republikës së Francës z. Christophe Straudo dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani.
Në datën 23 qershor 2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mori pjesë në konferencën e përbashkët të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë “Harmonizimi i legjislacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian”.
Në datën 27 qershor 2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mori pjesë në seminarin e titulluar “Shërbimet dhe të drejtat sociale”, të zhvilluar nga Shoqata e Gjykatave të Larta Administrative në Evropë (ACA).
5. Statistika
Kolegji Administrativ ka dhënë 1652 vendime, nga të cilat 1595 janë vendime themeli, 23 kompetenca/juridiksioni, si dhe 34 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.
Kolegji Civil ka dhënë 1349 vendime, nga të cilat 1275 janë vendime themeli, 27 kompetenca/juridiksioni, si dhe 47 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.
Kolegji Penal ka dhënë 1129 vendime, nga të cilat 585 janë vendime themeli, 530 kompetenca/masa sigurimi, si dhe 14 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.
Në total për muajt janar - maj 2023 janë dhënë 4130 vendime gjyqësore.
Për muajt prill 2020 - qershor 2023 janë dhënë 20 970 vendime gjyqësore. /web/qershor_2023_1_17628.pdf
6. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc
7. Riorganizimi i gjykatave administrative në vend
Në zbatim të pikës 1, të nenit 1, të vendimit nr. 271, datë 25.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.07.2023 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë riorganizohet, duke zëvendësuar Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Shkodër dhe Korçë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/05/25/271/b358f543-2418-4517-b753-beb7cfc82751
Në zbatim të pikës 1, të nenit 1, të vendimit nr. 272, datë 25.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.07.2023 nis funksionimin Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë, duke zëvendësuar Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe Gjirokastër. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/05/25/272/47b9ad5e-5a5d-4e98-bd85-90fa949dab4c
8. Vizitat në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Kjo mundësohet përmes një aplikimi të thjeshtë elektronik, duke plotësuar hapësirat (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php
Kontakt:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;
Email: Ida.Vodica@gjykataelarte.gov.al ;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.