1. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë
(Shkaqet dhe kushtet për rishikimin e vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë)
Në vendimin nr.1, datë 16.12.2022, për rishikimin e vendimit nr. 5/2005 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, KBGJL vlerësojnë se kushtet kumulative që mundësojnë rishikimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë janë: 1) dalja e rrethanave apo provave të reja, 2) rrethanat apo provat e reja të kenë ekzistuar gjatë gjykimit, por nuk diheshin dhe as nuk mund të diheshin nga pala apo gjykata në kohën e gjykimit të çështjes, 3) provat të mos jenë administruar gjatë gjykimit, 4) provat të kenë rëndësi thelbësore për zgjidhjen e çështjes. Mungesa e dijenisë për rrethanën apo provën e re, lidhet me pamundësinë objektive dhe jo subjektive të palës, për të gjetur provat në mbështetje të pretendimeve të tij. Rishikimi është mjet i jashtëzakonshëm dhe përjashtimor prandaj nuk duhet trajtuar si një ankim i fshehur. /web/1_copy_2_15529_15793.doc
(Kompetenca për shqyrtimin e vlefshmërisë së akteve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarëve)
Në vendimin nr.1, datë 20.01.2023, për konstatimin e pavlefshmërisë së aktit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkarkimin e gjyqtarit nga detyra, mbështetur në vendimin nr. 36/2022 të Gjykatës Kushtetuese, KBGJL çmojnë se kompetenca për shqyrtimin e kësaj çështjeje i përket Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. /web/1_majlinda_mancellari_kolegjet_e_bashkuara_14615.doc
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
(Interesi publik si kusht i domosdoshëm për sigurimin e padisë në gjykimin administrativ)
Në vendimin nr.00-2023-25, datë 17.01.2023, për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e aktit administrativ, KAGJL vlerëson se kur shqyrtohen masa të tilla, gjykata duhet të mbajë parasysh moscenimin e rëndë të interesit publik, si dhe balancën mes mirëqenies individuale dhe interesave komunitarë. Masa e sigurimit duhet të jetë proporcionale dhe e justifikuar ligjërisht. Mungesa e analizës së interesit publik apo analizimi vetëm në dobi të njërës prej palëve, sjell zbatim të gabuar të ligjit në gjykime të këtilla. /web/00_2023_25_th_15532.doc
(Kompetenca e gjykatës për mosmarrëveshjet e punës së punonjësve të policisë së shtetit)
Në vendimin nr.00-2023-27, datë 17.01.2023, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës për paditë e ngritura për përfitimin e ndihmës ekonomiko-financiare për dëmtimet gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjësit e policisë, KAGJL vlerëson se, mosmarrëveshja rrjedh nga një marrëdhënie pune që rregullohet me ligj të posaçëm, e për rrjedhojë kompetente nga ana lëndore dhe tokësore është gjykata administrative e shkallës së parë, në territorin ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij. /web/00_2023_27_14131.doc
(Të metat formale të kërkesëpadisë në gjykimin administrativ)
Në vendimin nr.00-2023-703, datë 26.01.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të lirimit nga detyra, KAGJL vlerëson se, kur gjykata ndodhet përpara një kërkesëpadie me të meta formale, duhet t`i japë mundësinë palës që të rregullojë këto të meta. Vetëm kur të metat nuk janë rregulluar nga pala, gjykata mund të vendosë mospranimin e padisë sipas nenit 39 të ligjit për gjykatat administrative. Gjykata Administrative të Apelit nuk mund të vendosë për themelin e gjykimit, nëse gjykata administrative e shkallës së parë nuk e ka gjykuar çështjen në themel, por duhet ta kthejë atë për rigjykim. /web/00_2023_703_15021.doc
(Paligjshmëria e aktit normativ për zgjerimin e zonave të mbrojtura)
Në vendimin nr.00–2023–499(15), datë 20.01.2023, lidhur me shfuqizimin e aktit normativ nënligjor për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar, KAGJL çmon se akti normativ është i paligjshëm, pasi bie ndesh me parimin e proporcionalitetit, si dhe nuk është ndjekur procedura e konsultimit publik dhe ajo e marrjes së vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konkrete. /web/15_00_2023_499_14579.doc
(Ligjshmëria e aktit normativ nënligjor për pagat/shtesat mbi pagë të punonjësve të policisë së burgjeve)
Në vendimin nr.00–2023-381(16), datë 20.01.2023, për shfuqizimin pjesërisht të aktit normativ nënligjor për pagat dhe shtesat mbi pagë të punonjësve të policisë së burgjeve, KAGJL çmon se akti normativ është i ligjshëm nga pikëpamja formale, si dhe nuk sjell trajtim të diferencuar midis vetë punonjësve të policisë së burgjeve dhe atyre të policisë së shtetit. Shtesa për vjetërsi në punë për punonjësit e policisë së burgjeve është e ndërvarur me vitet e qëndrimit në gradë, ndërsa vjetërsia në detyrë sipas aktit nënligjor për këtë kategori punonjësish përfitohet vetëm nga punonjësit me grada policore të ekuivalentuara sipas ligjit për policinë e burgjeve. /web/16_00_2023_381_14382.doc
(Ndërprerja e marrëdhënieve të punës pa respektuar afatin e njoftimit dhe për shkak ristrukturimi)
Në vendimin nr.00-2023-119(22), datë 24.01.2023, për dëmshpërblimin me paga për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, KAGJL çmon se ndërprerja e marrëdhënies së punës është bërë pa respektuar procedurën dhe afatin e njoftimit, që përkon me afatin 3-mujor dhe me periudhën nga momenti i marrjes dijeni të punëmarrësit, deri në ndërprerjen faktike të marrëdhënieve të punës. Ristrukturimi i institucionit shtetëror nuk përbën shkak të justifikuar për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. /web/22_00_2023_119_15530.doc
(Afati i parashkrimit të padisë për kërkimin e përfitimeve financiare të deputetit)
Në vendimin nr.00-2023-918(30), datë 31.01.2023, për pagimin e përfitimeve financiare të deputetit, bazuar në ligjin organik për statusin e deputetit dhe vendimin nr. 44/2011 të Gjykatës Kushtetuese, KAGJL çmon se mosmarrja pjesë e deputetit në seanca plenare apo në mbledhjet e komisioneve pranë Kuvendit, për shkak të qëndrimeve politike të grupimit ku bën pjesë, nuk përbën shkak të papërligjur për t`i ndaluar atij pagesat. Deputeti nuk është i punësuar i Kuvendit të Shqipërisë sipas Kodit të Punës, por një funksionar i lartë politik me status me natyrë të veçantë kushtetuese dhe kësisoj, padia për të kërkuar përfitimet financiare i nënshtrohet afatit të përgjithshëm 10-vjeçar të parashkrimit sipas Kodi Civil. /web/30_00_2023_918_15416.doc
(Garantimi i së drejtës për t`u dëgjuar dhe mbrojtur në zbatim të detyrave të lëna nga gjykata më e lartë)
Në vendimin nr.00-2023-349(54), datë 14.02.2023, për shpërblimin e dëmit dhe fitimin e munguar, KAGJL çmon se kur çështja kthehet për rigjykim nga Gjykata e Lartë në Gjykatën Administrative të Apelit, kjo e fundit duhet t`i përmbahet orientimeve dhe detyrave të lëna nga gjykata më e lartë. Kur Gjykata Administrative e Apelit ngre kryesisht çështje të ligjit, siç është ajo e parashkrimit të padisë, ajo duhet t`u japë palëve mundësinë për t`u dëgjuar dhe mbrojtur, përpara se të vendosë për mosmarrëveshjen objekt gjykimi. /web/54_00_2023_349_14881.doc
(Zgjidhja menjëherë e marrëdhënieve të punës kur paraqiten raporte mjekësore fiktive)
Në vendimin nr.00-2023-545(55), datë 14.02.2023, për deklarimin e pavlefshëm të zgjidhjes së kontratës së punës dhe dëmshpërblimin me paga, KAGJL çmon se paraqitja e disa raporteve mjekësore fiktive, për të mos u paraqitur në punë, përbën shkak të arsyeshëm për zgjidhjen menjëherë të marrëdhënies së punës nga punëmarrësi, pasi midis palëve kontraktore thyhet raporti i besimit. Në këto raste, punëmarrësi humbet të drejtën e përfitimit të dëmshpërblimit për procedurën dhe afatin e njoftimit. /web/55_00_2023_545_14882.doc
(Ndalimi i zëvendësimit të palës debitore gjatë ekzekutimit të detyrueshëm)
Në vendimin nr.00-2023-551(71), datë 21.02.2023, për përcaktimin e organit të ngarkuar me detyrimin e zbatimit të vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil, KAGJL çmon se gjatë veprimeve të posaçme në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm, Gjykata Administrative e Apelit nuk mund të ndryshojë pozitën e palës debitore, duke e zëvendësuar atë me një palë që nuk ka qenë pjesë e procesit të themelit, pasi cenon parimin e gjësë së gjykuar, si dhe ndryshon përmbajtjen e titullit ekzekutiv. Nuk mund të kthehet në debitore një palë vetëm përmes një kërkese procedurale. /web/71_00_2023_551_14883.doc
(Ligjshmëria e njoftim vlerësimit tatimor kur përfshihet subvencioni)
Në vendimin nr.00-2023-1219(80), datë 28.02.2023, për shfuqizimin e aktit administrativ të njoftim vlerësimit tatimor, KAGJL çmon se paditësi duhet të deklaronte subvencionin me qëllim përcaktimin e saktë të elementëve kontabël për llogaritjen e tatimit të fitimit, e për rrjedhojë njoftim vlerësimi tatimor në këtë drejtim është i ligjshëm. /web/80_00_2023_1219_15393.doc
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
(Shqyrtimi i kërkesës për humbjen e fuqisë së paraburgimit)
Në vendimin nr.351, datë 22.12.2022, KPGJL shprehet se kërkesa për humbjen e fuqisë së paraburgimit nuk mund të refuzohet nga gjykatat e ulëta me arsyetimin se nuk janë paraqitur nga i pandehuri procesverbalet e seancave gjyqësore apo nuk janë evidentuar pezullimet e afateve të paraburgimit. /web/351_00_2022_1805_12766.doc
(Mosllogaritja e ditëve të punës gjatë vuajtjes së dënimit për lirimin me kusht)
Në vendimin nr.66, datë 13.01.2023, KPGJL arsyeton se personat e dënuar që punojnë brenda organikës së burgut duhet të shpërblehen me pagë sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e veçantë të Këshillit të Ministrave. Ditët e punës nuk mund të llogariten në kohën e vuajtjes së dënimit për efekt të plotësimit të kushteve formale paraprake për të paraqitur kërkesën për lirimin me kusht. /web/00_2023_66_th_14344.doc
(Disponimi i gjykatës për të pandehurin që nuk ka ushtruar ankim)
Në vendimin nr.81(13), datë 17.01.2023, KPGJL thekson se disponimi i gjykatës së apelit për lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, për të pandehurin që nuk ka ushtruar ankim, nuk është i bazuar në ligj, pasi në këtë rast nuk ekziston çështje për shqyrtim. /web/13_00_2023_81_14119.doc
(Kompetenca për gjykimin e çështjeve në fazën e ekzekutimit të vendimit)
Në vendimin nr.470(4), datë 12.01.2023, KPGJL njëson praktikën gjyqësore duke arsyetuar se, në rastet kur ka mosmarrëveshje kompetence midis gjykatës në të cilën i dënuari ka paraqitur kërkesën dhe gjykatës në territorin e së cilës ai ndodhet në kohën e shqyrtimit të çështjes, për gjykimin e çështjeve penale në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, kompetenca tokësore i përket gjykatës ku i dënuari ka paraqitur kërkesën. /web/4_00_2023_470_15120.doc
(I pandehuri nuk lejohet të bëjë rekurs ndaj vendimit të apelit për çështje të seancës paraprake)
Në vendimin nr.469(8), datë 16.01.2023, KPGJL vendos se të pandehurit nuk legjitimohen të paraqesin ankim/rekurs kundër vendimmarrjes së gjykatës së apelit, që ka ndryshuar pjesërisht vendimmarrjen e gjyqtarit të seancës paraprake të shkallës së parë për dërgimin e çështjes në gjyq, pasi ky mjet ankimi nuk është i parashikuar në dispozitat e posaçme të ligjit procedural penal. /web/8_00_2023_469_15143.doc
(Kompetenca e gjyqtarit të seancës paraprake kur kërkohet plotësim hetimesh)
Në vendimin nr.40, datë 17.01.2023, KPGJL thekson se kur gjyqtari i seancës paraprake disponon dërgimin e akteve prokurorit për “plotësimin e hetimeve”, sipas nenit 332/c të KPP, ai disponon edhe lidhur me kërkesat e palëve për zgjatjen e afateve të paraburgimit, të konsumuara për llogari të fazës së hetimeve paraprake, sipas nenit 263/1/b të KPP. /web/00_2023_40_k_15247.doc
(“Vetëdija” në veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, si element i përcaktimit të përgjegjësisë penale)
Në vendimin nr.35(10), datë 17.01.2023, KPGJL arsyeton se në kryerjen e një veprimi/mosveprimi të paligjshëm, vetëdija e personit që ushtron funksione publike, që ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit/shtetasve, është element i rëndësishëm i verifikimit të kriterit të "dashjes" në veprën penale të "shpërdorimit të detyrës", që shënon dhe vijën ndarëse midis përgjegjësisë penale dhe asaj administrative. /web/10_00_2023_35_15049.doc
(Ndalimi i vlerësimit të provave nga gjyqtari i seancës paraprake)
Në vendimin nr.94(23), datë 19.01.2023, KPGJL vendos se gjyqtari i seancës paraprake mund të pushojë akuzën, kur ekzistojnë rrethanat e parashikuara nga ligji, por nuk mund t’i hyjë vlerësimit dhe çmuarjes të provave, pasi kjo është karakteristikë e gjykimit të çështjes në themel. /web/23_00_2023_94_15423.doc
(Përdorshmëria e provave si rrjedhojë e kontrollit të paligjshëm)
Në vendimin nr.145, datë 26.01.2023, KPGJL thekson se nuk mund të zbatohet papërdorshmëria e prejardhur e provave të sekuestruara, si rrjedhojë e një kontrolli të paligjshëm, në ato raste kur sekuestrimi ka të bëjë me provat materiale ose sende që lidhen me veprën penale, pasi në këto raste ato përbëjnë akte të detyrueshme. /web/00_2023_145_th_15149.doc
(Shqyrtimi i kërkesës për njohje të vendimit penal të huaj nga gjyqtari që jep masën)
Në vendimin nr.228, datë 07.02.2023, KPGJL shprehet se kërkesa për njohjen e vendimit penal të huaj shqyrtohet nga i njëjti gjyqtar që ka vlerësuar kushtet dhe kriteret për caktimin e masës shtrënguese. /web/00_2023_228_k_14606.doc
(Kompetenca lëndore për shqyrtimin e kërkesës për shuarjen e “garancisë pasurore”)
Në vendimin nr.266, datë 16.02.2023, KPGJL thekson se gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për shuarjen e masës së sigurimit "garanci pasurore", në fazën e ekzekutimit të vendimit të dënimit, është Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. /web/00_2023_266_k_15148.doc
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
(Fuqia provuese e listëprezencës në punë)
Në vendimin nr.00-2022-4578(582), datë 22.12.2022, KCGJL vlerëson se listëprezenca është një akt i njëanshëm i mbajtur nga punëdhënësi dhe nuk përbën një akt zyrtar, pasi nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenet 253 – 257 të KPC për t`u konsideruar i tillë. Listëprezenca ka fuqinë provuese të një shkresë të thjeshtë sipas nenit 258 të KPC. Si e tillë, nuk është e nevojshme që në çdo rast të goditet për falsitet, pasi për të relativizuar fuqinë e saj provuese mjafton që ndërgjyqësi të kundërshtojë përmbajtjen e kësaj shkrese, kur ajo paraqitet në gjykim nga pala tjetër. /web/582_00_2022_4578_15719.doc
(Fuqia provuese e librezës së punës)
Në vendimin nr.00-2022-4490(533), datë 12.12.2022, KCGJL arsyeton se libreza e punës është një akt i prejardhur dhe për rrjedhojë fuqia e saj provuese nuk është e njëjtë me atë të regjistrit themeltar. Në këto kushte, gjykata duhet të analizojë mënyrën e zgjidhjes së kontratës të pasqyruar në librezën e punës, në raport me kushtet formale të zgjidhjes së parashikuar nga kontrata e punës. Kur punëdhënësi pretendon se zgjidhja e kontratës është bërë nga punëmarrësi dhe për këtë i referohet shënimit që vetë ai ka bërë në librezën e punës, punëdhënësi ka barrën e provës që të provojë faktin e zgjidhjes së kontratës nga punëmarrësi. /web/533_00_2022_4490_14254.doc
(Fillimi i pagimit të detyrimit për ushqim në rastin e zgjidhjes së martesës)
Në vendimin nr.00-2023-79(17), datë 18.01.2023, KCGJL shprehet se në rastet e disponimit të detyrimit për ushqim, si pasojë e zgjidhjes së martesës, gjykata duhet të përcaktojë kohën nga fillon detyrimi për ushqim, sipas nenit 209 të Kodit të Familjes, me qëllim që të shmangen detyrimet dyfishe për të njëjtën kohë. Gjykata konkludon se pagimi i detyrimit për ushqim fillon nga dita e dhënies së vendimit të gjykatës së apelit. /web/17_00_2023_79_14835.doc
(Afati i ankimit ndaj vendimeve për paditë e pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv)
Në vendimin nr.00-2023-227(49), datë 01.02.2023, KCGJL argumenton se, në interpretim të nenit 609 dhe dispozitave të tjera të Kodit të Procedurës Civile, goditja e titullit ekzekutiv për pavlefshmëri bëhet me padi para gjykatës së vendit të ekzekutimit dhe jo me ankim kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor. Padia për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv lidhet me themelin e çështjes dhe i përket një gjykimi të zakonshëm, për pasojë edhe ankimi është i zakonshëm, duke iu nënshtruar afatit 15 ditor. /web/49_00_2023_227_14939.doc
(Zgjidhja e menjëhershme e kontratës nuk shoqërohet me dëmshpërblim kur punëmarrësi paguhet për periudhën e njoftimit)
Në vendimin nr.00-2023-471(89), datë 22.02.2023, për dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, KCGJL sqaron se nuk konsiderohet zgjidhje e menjëhershme e kontratës së punës, nëse punëdhënësi e parapaguan punëmarrësin për gjithë periudhën e afatit të njoftimit, por nuk e zë atë me punë gjatë kësaj periudhe. Duke mos e zënë me punë gjatë afatit të njoftimit, punëdhënësi i krijon kushte punëmarrësit që të punojë me orar të reduktuar apo të mos e ofrojë fare shërbimin e tij, ndërkohë që përfiton pagën për këtë afat. Në këtë mënyrë, nuk cenohet ndonjë e drejtë e punëmarrësit, por vendoset vullnetarisht një standard i shtuar në ndihmë të tij. /web/89_00_2023_471_15396.doc
(Natyra e padisë mohuese)
Në vendimin nr.00-2023-469(58), datë 15.02.2023 KCGJL çmon se, padia mohuese është padia e pronarit që pengohet në ushtrimin e pjesshëm të tagrave të tij të pronësisë, posaçërisht të gëzimit dhe posedimit të sendit, por pa ia hequr atij këtë posedim. Në padinë e rivendikimit edhe në padinë mohuese, paditësi ka detyrimin të provojë se është pronar i rregullt i sendit objekt gjykimi me titull të ligjshëm pronësie. Për padinë mohuese karakteristikë është kryerja e veprimeve të paligjshme e të padrejta nga i padituri, duke shqetësuar pronarin në gëzimin e sendit. /web/58_00_2023_469_15377.doc
(Parashkrimi i kërkesave për ekzekutimin e titujve ekzekutivë)
Në vendimin nr.00-2023-790(56), datë 08.02.2023 KCGJL çmon se, në zbatim të nenit 1163 të Kodit Civil, për parashkrimin e padisë dhe parashkrimin fitues, që kanë filluar të ecin para hyrjes në fuqi të këtij kodi, por që nuk janë plotësuar sipas dispozitave të mëparshme, do të zbatohen dispozitat e Kodit Civil të vitit 1981. Gjykata vlerëson se kreditori ka patur të drejtën për të kërkuar përmbushjen e detyrimit brenda tre viteve, afat ky që nis të llogaritet nga momenti kur detyrimi është bërë i kërkueshëm. Meqenëse kontrata e kredisë ka qenë e lidhur me afat 1-vjeçar, me kalimin e këtij afati është bërë i kërkueshëm detyrimi. /web/56_00_2023_790_15063.doc
(Kriteret dalluese mes kontratave administrative dhe civile)
Në vendimin me nr.00-2023-932, datë 22.02.2023, për mosmarrëveshjen e kompetencës për zgjidhjen e kontratës së shitblerjes me kusht të lidhur midis Entit Kombëtar të Banesave dhe individit, KCGJL vlerëson se, dy janë kriteret që shërbejnë për të dalluar kontratat administrative nga ato civile, kriteri organik dhe kriteri material. Kriteri organik nënkupton personin e të drejtës publike që vepron në përmbushjen e funksioneve të tij administrative/publike, ndërsa kriteri material ka të bëjë me natyrën juridike të kontratës dhe përmbajtjen e saj. Kur në përmbajtjen e kontratës ka klauzola jo tipike që e vendosin palën në raport epërsie, atëherë kontrata është administrative. Kontrata administrative ka si qëllim ofrimin e një shërbimi publik apo realizimin e një misioni publik. Kur pretendohet vetëm mospërmbushja e detyrimit kontraktor, për shkak se nuk është paguar vlera e kontratës, atëherë kontrata cilësohet si kontratë civile. /web/00_2023_932_15208.doc
(Pavlefshmëria e marrëveshjes së palëve për përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja tokësore)
Në vendimin nr.00-2023-81(19), datë 18.01.2023, KCGJL shprehet se, për sa kohë që klauzola e titullit ekzekutiv me marrëveshjen e palëve është e pavlefshme sepse bie ndesh me nenin 510 të Kodit të Procedurës Civile (KPC), edhe përcaktimi me këtë marrëveshje i gjykatës kompetente nga pikëpamja tokësore është i pavlefshëm. Kur gjykata jep një vendim të drejtë, megjithëse nuk ka kompetencë tokësore, ajo konsiderohet kompetente, kur pala e pranon apo në mënyrë të heshtur ka hequr dorë nga kundërshtimi i kompetencës. /web/19_00_2023_81_15374.doc
(Fillimi i ecjes së afatit të parashkrimit për paditë e shpërblimit të dëmit jokontraktor)
Në vendimin nr.00-2022-917(44), datë 01.02.2023, KCGJL çmon se afati i parashkrimit për paditë e shpërblimit të dëmit jokontraktor është 3-vjeçar. Afati i parashkrimit të padisë fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e padisë Sipas nenit 120 të Kodit Civil, për kërkimin e shpërblimit të dëmit jokontraktor, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar. Këto dy kushte duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative. Parashkrimi i padisë për paditësat ka filluar të ecë nga momenti kur janë dëmtuar dhe vënë në dijeni për personin që u ka shkaktuar dëmin. /web/44_00_2023_917_15338.doc
2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
(Mospranim i kërkesës për shkak të kalimit të afatit 6-mujor)
Në çështjen Mandija kundër Shqipërisë, kërkesa nr.60262/10, vendim i datës 19 janar 2023, për shqyrtimin e mosekzekutimit të vendimit të formës së prerë, cenimin e mjetit efektiv të ankimit dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi nuk është depozituar brenda afatit 6-mujor të vendosur në KEDNJ, përpara zbatimit të protokollit 15 të saj. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-223189
(Mospranim për shkak të mosshterimit të mjeteve të brendshme efektive të ankimit)
Në çështjen Hoxha kundër Shqipërisë, kërkesa nr.34926/18, vendim i datës 13 dhjetor 2022, për cenimin e të drejtës së aksesit në gjykatë, parimit të gjykatës së paanshme, parimit të sigurisë juridike dhe parimit të arsyetimit të vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë ku lihej në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesja nuk ka shteruar ankimin kushtetues individual brenda afatit 4-mujor, si një mjet efektiv të brendshëm ankimi, përpara se t`i drejtohej Gjykatës. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-222884
(Mospranim i pretendimeve për shkelje të së drejtës për t`u mbrojtur dhe dëgjuar)
Në çështjen Abazi kundër Shqipërisë, kërkesa nr.48393/12, vendim i datës 28 shkurt 2023, për cenimin e të drejtës për një gjykim të drejtë, si dhe të drejtës për t`u dëgjuar e mbrojtur, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme dhe e pabazuar, pasi kërkuesi me vetëdije nuk ka marrë pjesë në seancat gjyqësore në shkallë të parë. Po kështu, kërkuesi ka marrë pjesë në gjykimin në apel dhe nuk ka ngritur pretendime mbi cilësimin e veprës penale, si dhe është mbrojtur gjatë gjithë kohës me avokat, ç`ka nënkupton se pretendimet janë të pambështetura. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-223829
(Mospranimi për shkak të mosshterimit të mjeteve të brendshme efektive të ankimit)
Në çështjen Llagami dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr.65774/14, vendim i datës 6 dhjetor 2022, për cenimin e të drejtës së pronës dhe llogaritjen e vlerës së kompensimit të pronës së shpronësuar sipas çmimit të tregut, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesit e kanë ngritur pretendimin për llogaritjen e kompensimit të pronës sipas vlerës së tregut vetëm në Gjykatën e Lartë e jo në shkallët më të ulëta dhe për pasojë nuk kanë shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-222829
(Cenim i lirisë përmes masës së sigurimit të arrestit me burgim)
Në çështjen Hysa kundër Shqipërisë, kërkesa nr.52048/16, vendim i datës 21 shkurt 2023, për privimin e paarsyeshëm të lirisë personale përmes arrestit me burgim (nenit 5), gjatë hetimit penal për shpërdorim detyre, si dhe të drejtës së ankimit, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar dhe ka shkelje të nenit 5 të KEDNJ. GJEDNJ ka konstatuar se gjykatat e ulëta nuk kanë dhënë arsye të mjaftueshme për privimin e lirisë së kërkueses me arrest me burg dhe Gjykata e Lartë, e veçanërisht Gjykata Kushtetuese, nuk kanë shqyrtuar plotësisht pretendimet e kërkueses në këtë drejtim. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-223106
(Shkelja e të drejtës për jetë private të prokurorit gjatë procedimit penal dhe disiplinor)
Në çështjen Gashi dhe Gina kundër Shqipërisë, kërkesa nr.29943/18, vendim i datës 4 prill 2023, për pezullimin nga detyra të prokurorëve me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, përgjatë procesit penal për deklarim të rremë të pasurisë, cenimin e aksesit në gjykatë, parimit të gjykatës së pavarur dhe të paanshme, të drejtës për jetë private (neni 8), si dhe cenimin e mjeteve efektive të ankimit, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar vetëm për kërkuesin e dytë, pasi ka shkelje të nenit 8 të KEDNJ. Mbulimi i gjerë mediatik që ju bë çështjes penale të kërkuesit dhe fakti se për një periudhë të gjatë kohë qëndroi i pezulluar nga detyra si prokuror, megjithëse dispononte një vendim të formës së prerë që shfuqizonte pezullimin dhe e rikthente në detyrë, përbën cenim të së drejtës së jetës private dhe profesionale. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-223923
3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë
Në datën 10 shkurt 2023 Gjykata e Lartë prezantoi raportin e veprimtarisë së saj për vitin 2022. Gjatë vitit që lamë pas bie në sy një normë e likuidimit të çështjeve nga Gjykata e Lartë në masën 302 %.
Në datën 13 shkurt 2023 Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë z. Ilir Panda dhe Kryetari i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë z. Artur Kalaja morën pjesë në Baku, në punimet e konferencës së organizuar për 100 vjetorin e Gjykatës së Lartë të Azerbajxhanit.
Në datën 27 shkurt 2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dha një intervistë për formatin televiziv “31 minuta” në A2 CNN, ku sqaroi masat organizative institucionale me efekte pozitive në vendimmarrjen e Gjykatës në kohë “backlog-u”.
Në sallën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, më datë 6 mars 2023, u çelën aktivitetet e planifikuara për 110 vjetorin e krijimit të Gjykatës me “Klubin e debatit”, ku dy nga gjimnazet e Tiranës “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri” prezantuan mendimet e tyre për gjendjen e sistemit gjyqësor në Shqipëri, problemet me të cilat haset dhe perceptimet e publikut. Klubi i debatit vijoi edhe në datën 10 mars 2023, ku përballë njëra-tjetrës u vunë gjimnazi “Asim Vokshi” dhe “Myslym Keta”, që parashtruan qasjet e tyre për reformën në drejtësi.
Në datat 16 dhe 17 mars 2023 anëtaret e Gjykatës së Lartë znj. Albana Boksi dhe znj. Arbena Ahmeti morën pjesë në Rabat, Marok, në konferencën kushtuar historisë së krijimit të Gjykatave të Larta të vendeve frankofone, të organizuar nga AHJUCAF. Anëtarët e Gjykatës së Lartë prezantuan historikun dhe vendimet më të rëndësishme të Gjykatës, ndër vite që nga themelimi i saj.
Në datën 20 mars 2023 Gjykata e Lartë priti për vizitë delegacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe anëtarët z. Artur Kalaja dhe z. Ilir Panda vlerësuan bashkëpunimet e vazhdueshme midis autoriteteve shqiptare dhe atyre të Maqedonisë së Veriut në fushën e drejtësisë, si dhe rëndësinë e tyre për procesin e integrimit evropian të të dy vendeve.
Në datën 28 mars 2023 në sallën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë u zhvillua seanca e tretë e “Klubit të debatit”, ku morën pjesë gjimnazet “Sinan Tafaj” dhe “Sadi Nuri”, që shfaqën mendime lidhur me perceptimin e publikut për çështjet më të ndjeshme që gjykohen në gjykata. Seanca u kombinua me pyetje dhe përgjigje me të pranishmit në sallë.
Në datën 31 mars 2023 Gjykata e Lartë organizoi takimin me temë “Harmonizimi i praktikës gjyqësore”, ku morën pjesë disa gjyqtarë të Gjykatës, si dhe gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë Vlorë, Sarandë dhe Fier. Prezantimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë u moderua nga gjyqtarët z. Ilir Panda, znj. Arbena Ahmeti dhe znj. Margarita Buhali, duke ftuar në diskutime edhe gjyqtarët e tjerë pjesëmarrës.
Më 11 prill 2023 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe anëtarët z. Ilir Panda, z. Sokol Ngresi e z. Artur Kalaja pritën për vizitë delegacionin me gjyqtarët nga Malta. Vizita vjen në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve mes vendeve të Mesdheut dhe të diskutimeve për një plan bashkëpunimi mes strukturave homologe të dy vendeve.
Në datën 14.04.2023 Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese zhvilluan tryezën e përbashkët me temë “Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor, pikëtakimet dhe ndarjet midis tyre”, të organizuar në disa panele me pjesëmarrës nga të dyja institucionet. Ky aktivitet u mundësua nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori z. Guido De Sanctis.
Në datën 20 prill 2023 në Gjykatën e Lartë u zhvillua seanca e fundit e “Klubit të debatit”, ku morën pjesë gjimnazet “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa”, që parashtruan mendime dhe përshtypje për institutin penal të rehabilitimit dhe sistemin peniteciar në vend.
4. Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për muajt janar - mars 2023
Kolegji Administrativ ka dhënë 988 vendime, nga të cilat 970 janë vendime themeli, 8 kompetence/juridiksioni, si dhe 10 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi.
Kolegji Civil ka dhënë 584 vendime, nga të cilat 554 janë vendime themeli, 10 kompetence/juridiksioni, si dhe 20 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim.
Kolegji Penal ka dhënë 589 vendime, nga të cilat 410 janë vendime themeli, 170 kompetence/masa sigurimi, si dhe 9 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.
Në total për muajt janar - mars 2023 janë dhënë 2 161 vendime gjyqësore.
Nga prilli 2020 deri në mars 2023 janë dhënë 14 079 vendime gjyqësore.
5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë këshillon përdorimin e formatit të miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc
6. Riorganizimi dhe kategorizimi i gjykatave në vend
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 505, datë 21.11.2022 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.02.2023 ka filluar të funksionojë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me seli në Tiranë, duke zëvendësuar Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2022/11/21/505/e681e064-6639-4bb1-933c-04ac1622083f
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 129, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Mat. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/129/080be25e-9437-406a-a919-1d0d3f1edd6a
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 130, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Kavajë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/130/544608d9-99d7-4dad-82a1-42cb696baec6
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 131, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Fier dhe Lushnjë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/131/760b92bd-e1a0-45d3-b29c-22153a7f8545
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 132, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Përmet. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/132/cfb570ba-c1fd-4d2e-b097-bd2f1525436e
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 133, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/133/7c32d04a-2f62-44f6-9ec1-3ea1e2f1d84a
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 134, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Pogradec. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/134/09ab9a67-43d5-4b01-b191-f246ba0043de
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 135, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Kukës dhe Tropojë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/135/0a83e16a-0c5b-4331-84c9-595d6c446da1
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 136, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Pukë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/136/d7e55829-24d9-47e3-8fb2-6cf1d343d9af
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 137, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke zëvendësuar Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Krujë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/137/de566b76-261f-4f0c-8143-41dd7ee78c49
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 138, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, duke zëvendësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/138/21e1474a-2228-4ac0-84be-d2ec6b58fedf
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 139, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, duke zëvendësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/139/c1de58a5-0649-4737-a417-e20ce2eae61b
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 140, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke zëvendësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/140/13857c5b-71d2-4494-a862-d2dc47d390c7
Në zbatim të pikës 2, të nenit 1, të vendimit nr. 141, datë 28.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 01.05.2023 nis funksionimin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, duke zëvendësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/28/141/33327b80-5748-44ef-8107-77cd215147b6
Me vendimin nr. 147, datë 29.03.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë përcaktuar kategoritë e gjykatave. https://qbz.gov.al/eli/vendim/2023/03/29/147/face1c2b-3038-47e5-b2bb-780ea1a2977c
7. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.