Buletini informativ 2022 - 6

1. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

(Kushtet e sigurimit të padisë dhe natyra e vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit)

vendimin nr.00-2022-3236(415), datë 01.12.2022, për sigurimin e padisë përmes pezullimit të aktit normativ nënligjor të tarifave të shërbimit përmbarimor, KAGJL shprehet se gjykata nuk mund të pezullojë akte normative me karakter abstrakt përveçse kur provohet bindshëm se ekzistojnë kushtet për sigurimin e padisë. Pezullimi i një akti normativ nënligjor bëhet vetëm nëse nuk cenohet rëndë interesi publik. Vendimi me juridiksion fillestar i Gjykatës Administrative të Apelit për shqyrtimin e ligjshmërisë së aktit normativ nënligjor është i formës së prerë dhe menjëherë i ekzekutueshëm dhe për rrjedhojë vendimi për sigurimin e padisë humbet fuqinë juridike me zgjidhjen e çështjes në themel. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/415_00_2022_3236_12196.doc

(Kërkesat e ligjshmërisë së akteve normative nënligjore)

vendimin nr.00-2022-2624(414), datë 01.12.2022, për shfuqizimin e aktit normativ nënligjor të tarifave të shërbimit përmbarimor, KAGJL shprehet se akti është nxjerrë nga organet kushtetuese të autorizuara me ligj (Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë) sipas qëllimit të ligjit dhe pas marrjes së mendimit të Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë e si i tillë është i ligjshëm. Akti normativ nënligjor nuk cenon parimin e sigurisë juridike dhe as atë të proporcionalitetit, por i shërben interesit publik, duke shmangur diskriminimin e subjekteve nga veprimet e përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe ulur tarifat e shpërpjesëtuara. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/414_00_2022_3624_12195.doc

( Kompetenca për shqyrtimin e akteve administrative individuale të Këshillit të Ministrave)

vendimin nr.00-2022-2968(368), datë 28.10.2022, për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) mbi shpalljen e zonës së re të zhvillimit në Njësinë Administrative Rreshen, KAGJL shprehet se akti objekt gjykimi është një akt administrativ individual, pasi u drejtohet subjekteve të përcaktuara që ju preken të drejtat e pronësisë, rregullon marrëdhënie të përcaktuara që kanë të bëjnë me një send konkret dhe shteron në zbatimin e tij drejtpërdrejt ndaj paditësit. Duke qenë e zbatueshme drejtpërdrejtë, VKM i nënshtrohet kontrollit gjyqësor të gjykatës administrative të shkallës së parë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/368_00_2022_2968_11988.doc

(Shqyrtimi i konfliktit gjyqësor kur organi publik është subjekt i së drejtës civile)

vendimin nr.00-2022-3105, datë 10.11.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore për shlyerjen e vlerës monetare sipas faturës tatimore, KAGJL shprehet se megjithëse njëra nga palët është organ publik, ai nuk ushtron ndonjë funksion të tillë, por sillet si një subjekt i së drejtës civile që ka blerë një produkt nga pala paditëse e në këto kushte mosmarrëveshja duhet të shqyrtohet nga gjykata civile. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_3105_11990.doc

(Ripranimi i punonjësve të policisë së shtetit pas përjashtimit)

vendimin nr.00-2022-2255(336), datë 06.10.2022, për detyrimin e organit publik që të kthejë paditësin në punë dhe t`i paguajë pagat, KAGJL shprehet se ripranimi i punonjësve të policisë së shtetit nuk mund të bëhet pa u shfuqizuar/konstatuar pavlefshmëria e aktit administrativ të përjashtimit të tyre nga radhët e policisë. Organi publik nuk zhvishet nga përgjegjësia për shpërblimin e dëmit ndaj paditësit që përcaktohet në raport me vjetërsinë e tij në punë, pritshmërinë për vijimin normalisht të marrëdhënies së punës dhe efektet negative që sjell ndërprerja e menjëhershme e marrëdhënieve të punës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/336_00_2022_2255_11542.doc

(Kërkesat e ligjshmërisë së akteve administrative individuale)

vendimin nr.00-2022-2373(362), datë 25.10.2022, për ndryshimin e vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) mbi përfundimin e mandatit të magjistratit, KAGJL shprehet se KLP ka nxjerrë një akt të paligjshëm, pasi konfondon kërkesën e paditësit për dalje në pension si kërkesë për dorëheqje. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/362_00_2022_2373_11843.doc

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

(Kushtet ligjore për veprën e trafikimit të personave me aftësi të kufizuar)

vendimin nr.1679(217), datë 27.07.2022, KPGJL njëson praktikën në lidhje me veprën penale të trafikimit, kur personi i dëmtuar është person i rritur me aftësi të kufizuara fizike/mendore, duke arsyetuar se kjo vepër konsiderohet e kryer me ekzistencën e tre elementeve thelbësorë që janë veprimet/format e trafikimit, mjetet e trafikimit/mënyra sesi trafikantët realizojnë qëllimin e tyre dhe qëllimi. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/217_00_2022_1679_12310.doc

(Trupë gjyqësore e formuar në kundërshtim me ligjin)

vendimin nr.1442(297), datë 10.11.2022, KPGJL arsyeton se mungesa e aktit të shortit për përzgjedhjen e gjyqtarit e bën prezencën e tij të paligjshme, cenon parimin e gjykatës së caktuar me ligj dhe sjell si pasojë pavlefshmërinë e vendimit të ndërmjetëm, si dhe vendimit të mëvonshëm për zgjidhjen e çështjes në themel.     https://www.gjykataelarte.gov.al/web/297_00_2022_1442_11924.doc

(Kërkesat për kthimin e sendeve të sekuestruara)

vendimin nr.1499, datë 22.11.2022, KPGJL vlerëson se në rastet kur nuk ndodhemi në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe çështja penale në ngarkim të kërkuesit është pushuar, kërkesa e mëvonshme për kthimin e sendeve të sekuestruara shqyrtohet nga gjykata që ka dhënë vendimin. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1499_12120.doc

(Përbërja e trupit gjykues për gjykimin penal të të miturit)

vendimin nr.1530, datë 24.11.2022, KPGJL arsyeton se në rastet kur nuk mund të ngrihet seksioni prej tre gjyqtarësh për shqyrtimin e çështjeve me të mitur, gjyqtari i caktuar me short për gjykimin duhet të kërkojë marrjen e masave që të paktën njëri prej tyre të jetë i specializuar dhe i trajnuar në drejtësinë penale për të mitur. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1530_12066.doc

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

(E drejta e parablerjes së pjesës ideale)

vendimin nr.00-2022-1961(309), datë 14.09.2022, KCGJL vlerëson se në ndryshim nga disponimi i sendit të përbashkët, bashkëpronari është i lirë të shesë pjesën e tij ideale, por me kusht që të respektojë paraprakisht të drejtën e parablerjes. Ky kufizim vlen vetëm për shitjen e pjesës ideale, pasi për veprimet e tjera të disponimit si dhurimi ose vendosja në hipotekë, bashkëpronari është i lirë në disponimin e pjesës takuese të tij në sendin e përbashkët në favor të çdo personi. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/309_00_2022_1961_11620.doc

(Shqyrtimi i pavlefshmërisë së veprimit juridik kur nuk është në objektin e padisë)

vendimin nr.00-2022-2326(342), datë 05.10.2022, KCGJL arsyeton se gjykata e themelit duhet të zgjidhë çështjen në themel dhe më pas të shqyrtojë kërkimet për kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme që bashkëshoqëron kërkimin për pavlefshmërinë e veprimeve juridike. Parakushtet procedurale janë kushte për krijimin e marrëdhënies procedurale. Mungesa e tyre nuk e pengon inicimin e procesit, por përbën pengesë për shqyrtimin e themelit të çështjes. Mungesa e legjitimitetit procedural (formal) passjell pushimin e gjykimit të padisë, ndërsa mungesa e legjitimitetit substancial passjell rrëzimin e saj. Këto momente duhen caktuar qartë nga gjykata e themelit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/342_00_2022_2326_11629.doc

(Padia e rivendikimit për pasurinë objekt legalizimi)

vendimin nr.00-2022-3338(385), datë 19.10.2022, ku është trajtuar një mosmarrëveshje me natyrë civile që përmban kërkimin e sendit (padi rivendikimi) dhe efektet e procesit të legalizimit, KCGJL vlerëson se ligji për legalizimet vendos rregulla për masën e kompensimit që do t’i jepet pronarit të ligjshëm kur prona është zënë nga ndërtimi pa leje objekt legalizimi. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, është pranuar se në rastin e legalizimeve “...pronarët e ligjshëm të trojeve gjenden para një shpronësimi de facto...” dhe se “...ata mund të ankohen në gjykatë vetëm lidhur me masën e shpërblimit”. Kur objekti preket nga procesi i legalizimit, padia trajtohet sipas ligjit të posaçëm dhe pronari nuk mund të ngrejë padi rivendikimi, nëse poseduesi i paligjshëm përfiton nga legalizimi. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/385_00_2022_3338_11957.doc

(Zgjidhja e marrëdhënies së punës pas transferimit të ndërmarrjes)

vendimin nr.00-2022-2665(420), datë 02.11.2022, për çështjen civile ku për shkak të transferimit të ndërmarrjes (me privatizim) është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme marrëdhënia e punës,  KCGJL thekson respektimin e një procedure të veçantë, moszbatimi me rigorozitet i të cilës sjell lindjen e të drejtës për dëmshpërblim të punëmarrësit të transferuar. Gjithashtu, gjykata duhet të shqyrtojë përcaktimin e përparësisë së normave të zbatueshme, duke evidentuar normën me fuqi më të lartë dhe normën më të favorshme për punëmarrësin. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/420_00_2022_2665_12300.doc

(Papajtueshmëria e gjyqtarit në çështje familjare)

vendimin nr.00-2022-2853(464), datë 09.11.2022, KCGJL ka mbajtur qëndrimin se prania e të njëjtit gjyqtar në shqyrtimin e çështjeve civile për zgjidhjen e martesës, si dhe për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, përbën shkak papajtueshmërie që cenon procesin e rregullt ligjor. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/464_00_2022_2853_12228.doc

2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë

(Shterimi i mjeteve të brendshme efektive të ankimit)

çështjen Xhaçka dhe tre të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr.21636/05, etj., vendim i datës 10 nëntor 2022, për shqyrtimin e mosekzekutimit të vendimit të formës së prerë, cenimin e mjetit efektiv të ankimit dhe të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson se kërkuesit nuk kanë ezauruar mjetet e reja të brendshme të ankimit para se t`i drejtohen Gjykatës dhe për rrjedhojë kërkesa është e papranueshme. Gjithashtu, vendimet deklarative për vërtetimin e faktit juridik të pronës nuk përbëjnë titull ekzekutiv. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221626

çështjen Gjinarari kundër Shqipërisë, kërkesa nr.52610/19, vendim i datës 22 nëntor 2022, për shqyrtimin e pretendimeve për ndalimin e torturës, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, respektivisht ankimin kushtetues individual përpara Gjykatës Kushtetuese (GJK), megjithëse i ka pasur të gjitha mundësitë. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221923

çështjen Fasko kundër Shqipërisë, kërkesa nr.4079/18, vendim i datës 22 nëntor 2022, për shqyrtimin e cenimit të aksesit në gjykatë (Gjykatën Kushtetuese), GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, respektivisht ankimin kushtetues individual përpara Gjykatës Kushtetuese (GJK). Mosplotësimi i kushteve formale të ankimit kushtetues individual, përfshi edhe depozitimin pranë GJK të aktit të kundërshtuar me kërkesë, sjell si pasojë mospranimin e tij, e si rezultat ngarkon me përgjegjësi palën për mosshterimin e mjeteve të brendshme efektive të ankimit. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221922

çështjen Vigani kundër Shqipërisë, kërkesa nr.81072/17, vendim i datës 22 nëntor 2022, për shqyrtimin e pretendimeve për ndalimin e torturës dhe shkeljen e gjykimit brenda një afati të caktuar, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi pretendimet e paditësit për mjekim të posaçëm dhe vendosjen në një institucion të specializuar nuk janë ngritur më parë në gjykatat kombëtare, e si rezultat nuk ka shteruar mjetet efektive të ankimit, përpara se t`i drejtohet GJEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221921

(Mospranim i pretendimit për gjykim brenda një afati të arsyeshëm)

çështjen Përdeda kundër Shqipërisë, kërkesa nr.33544/08, vendim i datës 11 tetor 2022, për shqyrtimin e pretendimeve për kompensimin e burgimit të padrejtë dhe shkeljen e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi shuma monetare që i është akorduar kërkuesit për këtë shkak është proporcionale dhe e përshtatshme. GJEDNJ shprehet se periudha prej 4 vite e 3 muaj, nuk bie ndesh me gjykimin në afat të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221111

çështjen Llukacaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr.11220/09, vendim i datës 10 nëntor 2022, për mosgjykimin brenda një afati të arsyeshëm, përfshi edhe gjykimin në Gjykatën e Lartë, GJEDNJ çmon se pretendimet e ngritura nga kërkuesi janë të pabazuara, pasi çështja është zgjidhur përmes vendimit Laçej dhe të tjerë kundër Shqipërisë, ku gjykata vlerësoi të papranueshme kërkesat aplikantëve Llukacaj dhe Ulqinaku. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221121

(Shkelja e të drejtës për jetë private, shkarkimi i magjistratit nga procesi i vettingut)

çështjen Sevdari kundër Shqipërisë, kërkesa nr.40662/19, vendim i datës 13 dhjetor 2022, për shqyrtimin e cenimit të së drejtës për jetë private, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi shkarkimi nga detyra i kërkueses (magjistrate) për faktin se nuk provonte pagimin e taksave/burimin e disa prej të ardhurave nga/të bashkëshortit të saj pa qenë në keqbesim ishte joproporcional, binte ndesh me qëllimin e procesit të “vetting-ut”, si dhe shkelte nenin 8 të KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221482

çështjen Nikëhasani kundër Shqipërisë, kërkesa nr.58997/18, vendim i datës 13 dhjetor 2022, për shqyrtimin e cenimit të parimit të gjykatës së caktuar me ligj dhe të drejtës për jetë private, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e pabazuar, pasi nuk janë ngritur pretendime thelbësore që të provojnë shkeljen e parimit si më lart. Ndërkohë, për sa i përket shkeljes së të drejtës për jetë private, GJEDNJ u shpreh se pretendimet nuk qëndrojnë, pasi shkarkimi nga detyra i magjistrates është bërë për shkak të mosjustifikimit të burimit të të ardhurave dhe si rrjedhojë, masa e dhënë ishte proporcionale dhe e përshtatshme. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221479

(Ekzekutimi i vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm)

çështjen Rrapi kundër Shqipërisë, kërkesa nr.4616/09, vendim i datës 10 nëntor 2022, për shqyrtimin e cenimit të së drejtës së parablerjes së pronës dhe mosekzekutimin e vendimit të formës së prerë në afat të arsyeshëm, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesit i ka kaluar pronësia e ndërtesës sipas disponimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, brenda një periudhe të arsyeshme prej 6 muajsh. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221118

(Zbatimi i afatit për ankimin kushtetues individual gjatë periudhës tranzitore)

çështjen Çela kundër Shqipërisë, kërkesa nr.73274/17, vendim i datës 29 nëntor 2022, për shqyrtimin e cenimit të aksesit në Gjykatën Kushtetuese, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e bazuar, pasi mungesa e përcaktimeve të qarta në ligj për llogaritjen dhe nisjen e afatit 4-mujor (pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri dhe zbatimit të tij në periudhën tranzitore), për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese, bie ndesh me parimin e sigurisë juridike, respektivisht me qartësinë dhe parashikueshmërinë së normave. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221369

(Cenimi i të drejtës së pronësisë)

çështjen Lepuri kundër Shqipërisë, kërkesa nr.14918/06, vendim i datës 10 nëntor 2022, për shqyrtimin e shkeljes së pretenduar të parimit të barazisë së armëve dhe shkeljen e të drejtës së pronës, GJEDNJ vlerëson pretendimet e kërkuesit për njëanshmëri të trupit gjykues dhe cenim të së drejtës së pronësisë nuk plotësojnë kushtet e shterimit të mjeteve të brendshme. GJEDNJ thekson gjithashtu se, duke patur parasysh procedurat e rimbursimit të çmimit të blerjes, si dhe dëmshpërblimin, ndërhyrja në të drejtën e pronës ishte proporcionale dhe kërkesa refuzohet. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-221109

3. Pasqyrimi i Aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datën 21 tetor 2022 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në konferencën e zhvilluar për 30 vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, me temë: “Roli i Gjykatave Kushtetuese në demokracitë e reja”, ku theksoi misionin e drejtësisë kushtetuese dhe përmendi disa nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, zhvilluar nga jurisprudenca kushtetuese.

Në datën 21 nëntor 2022 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në seminarin e dytë të zhvilluar nga Shoqata ACA – Europe (Shoqata e Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Evropian), në Madrid, Spanjë, ku u diskutua mbi zbatimin e parimeve dhe klauzolave të përgjithshme në jurisprudencën e Gjykatave Administrative.

Në datën 2 dhjetor 2022 Gjykata e Lartë organizoi në Korçë takimin me temë "Harmonizimi i praktikës gjyqësore". Në këtë aktivitet morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë Elbasan, Korçë dhe Pogradec, si dhe anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në datën 3 dhjetor 2022 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në aktivitetin me temë “Drejt ekselencës gjyqësore”, të organizuar për të evidentuar arritjet dhe sfidat e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë, ku prioritet mbetet ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe moskrijimi i mëtejshëm i stokut të ri për shkak të qasjes nga ana e profesionistëve të së drejtë lidhur me kushtet per paraqitjen e rekursit ne GJL.

4. Statistika

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për periudhën janar – 28 dhjetor 2022

Kolegji Administrativ ka dhënë 2303 vendime, nga të cilat 2148 janë vendime themeli, 77 kompetence/juridiksioni si dhe 78 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/afati të arsyeshëm.

Kolegji Civil ka dhënë 2029 vendime, nga të cilat 1895 janë vendime themeli, 49 kompetence/juridiksioni si dhe 85 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim/afati të arsyeshëm.

Kolegji Penal ka dhënë 1847 vendime, nga të cilat 1712 janë vendime themeli, 94 kompetence/kërkesa të veçanta si dhe 41 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.

Në total për periudhën janar – 28 dhjetor 2022 janë dhënë 6179 vendime gjyqësore.

Çështje të depozituara në Gjykatën e Lartë gjatë periudhës janar - 28 dhjetor 2022:

Çështje administrative 369;

Çështje civile 782;

Çështje penale 926;

Në total çështje të regjistruara janë 2077.

5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

Rikujtojmë përdoruesit e Gjykatës së Lartë që të përdorin modelin/formatin e miratuar të rekursit, që gjendet në linkun:  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc

Gjykata e Lartë ka nisur që të përdorë formatin e vendimit për mospranimin e rekurseve haptazi të pabazuara që nuk përmbajnë shkaqet për rekurs sipas legjislacionit të zbatueshëm në fuqi dhe nuk janë depozituar sipas formatit të mësipërm.

6. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/open court)

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik duke plotësuar modulet (emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun  https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php

Kontakto:

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte