1. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
Në vendimin nr.00–2022–2247(346), datë 11.10.2022, për shpërblimin e dëmit dhe rikthimin në detyrë të punonjësit të njësisë së antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, KAGJL shprehet se gjen zbatim Kodi i Punës dhe nuk mund të vendoset rikthimi në detyrë, marrë në konsideratë edhe praktikën e njësuar të Gjykatës së Lartë. Megjithëse ndaj paditësit është pushuar ndjekja penale, nuk përjashtohet përgjegjësia e tij disiplinore administrative, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhënie informacioni të rremë eprorëve, ç`ka vlerësohet si shkelje e rëndë në kuptim të Kodit të Punës, e që legjitimon largimin nga detyra. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/346_00_2022_2247_11516.doc
Në vendimin nr.00–2022–2252(337), datë 06.10.2022, për pavlefshmërinë e aktit administrativ (akt i marrjes së tokës në pronësi), KAGJL vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë shkelur rregullat procedurale sa i përket bashkëndërgjyqësisë së detyrueshme pasive, duke vijuar gjykimin në mungesë të disa palëve të paditura bashkëpronare dhe për rrjedhojë çështja duhet të kthehet për rigjykim në shkallë të parë. Bashkëndërgjyqësia e detyrueshme për shkak të bashkëpronësisë buron nga ligji dhe si e tillë nuk mund të mbetet në disponibilitetin e paditësit. Mosrregullimi i saj nga paditësi sjell pushimin e gjykimit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/337_00_2022_2252_11543.doc
Në vendimin nr.00–2022–2220(324), datë 05.10.2022, për shpërblimin e dëmit për largim të padrejtë nga puna, KAGJL vlerëson se shpërblimi duhet të jetë i plotë dhe të bëhet mbi bazën e pagës bruto. Sipas Kodit të Punës, me pagë kuptohet paga bazë, shtesat me karakter të përhershëm, shuma për efekt kontributi mbi sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndalesat për tatimin mbi të ardhurat e sigurimin suplementar, kur ky i fundit është pjesë e pagës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/324_00_2022_2220_11514.doc
Në vendimin nr.00–2022–2287(321), datë 22.09.2022, për shfuqizimin e vlerësimit financiar të pronës sipas ligjit nr.133/2015, KAGJL vlerëson se afati për paraqitjen e kërkesëpadisë para Gjykatës Administrative të Apelit sipas ligjit organik është 30 ditë. Kur akti administrativ nuk tregon qartë të drejtën dhe afatin e ngritjes së padisë, ky afat zgjatet automatikisht në 1 vit, duke zabtuar nenin 18, pika 2, të ligjit nr.49/2012, të ndryshuar. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/321_00_2022_2287_11441.doc
Në vendimin nr.00–2022–1991(313), datë 20.09.2022, për shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil dhe shpërblimin e dëmit me pagat e pamarra nga vonesa e ekzekutimit të aktit të emërimit, KAGJL çmon se, gjykata ka detyrimin të vlerësojë të gjithë përmbajtjen e padisë dhe të identifikojë kërkimet e paditësit. Paditësi ka të drejtë që të shtojë apo pakësojë objektin e padisë, me kushtin që të mos ndryshojë shkaku i saj dhe të mos ndodhemi para një padie të re. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/313_00_2022_1991_11173.doc
Në vendimin nr.00–2022–2000(311), datë 20.09.2022, për shpërblimin e dëmit dhe shfuqizimin e aktit administrativ të largimit nga detyra të punonjësit të Policisë së Burgjeve, KAGJL vlerëson se ligji i zbatueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes gjyqësore është ligji i posaçëm për Policinë e Burgjeve, që plotësohet me Kodin e Punës për institutet e parregulluara prej tij. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/311_00_2022_2000_11171.doc
Në vendimin nr.00–2022–1893(300), datë 13.09.2022, për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, KAGJL vlerëson se, sipas Kodit Civil dhe ligjit “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, afati për ngritjen e padisë është 3 vjet dhe ai fillon nga momenti që paditësi merr dijeni për dëmin dhe organin që e ka shkaktuar atë. Kalimi i afatit 3-vjeçar dhe mosveprimi i paditësit brenda tij, sjell si pasojë parashkrimin e padisë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/300_00_2022_1893_11512.doc
Në vendimin nr.00-2022-1866(297), datë 08.09.2022, për përmbushjen e detyrimit kontraktor në kuadër të kontratës administrative të prokurimit publik, KAGJL vlerëson se shtesat që bëhen mbi kontratat e prokurimit publik (kontrata administrative) deri në 20% të vlerës së prokurimit, duhet të respektojnë formalitetet dhe rregullat e prokurimit publik, me qëllim që ato të jenë të vlefshme dhe të prodhojne pasoja juridike. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/297_00_2022_1866_10966.doc
Në vendimin nr.00-2022-1851(284), datë 18.07.2022, për përmbushjen e detyrimit kontraktor në kuadër të kontratës administrative të prokurimit publik për blerjen uniformave të policisë së shtetit, KAGJL vlerëson se mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në afat dhe sipas kërkesave të kontratës së prokurimit, përbën shkak që autoriteti kontraktor të mos i marrë mallrat në dorëzim dhe të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme. Fakti se uniformat e policisë ishin funksionale dhe të përdorshme, megjithëse jo sipas kërkesave specifike të kontratës administrative, nuk mund të interpretohet si mospërmbushje me rëndësi të pakët e detyrimit kontraktor, pasi në këtë rast bëhet fjalë për një objekt tejet të veçantë kontrate, me interes të lartë publik, ku paraqitet imazhi i autoritetit shtetëror. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/284_00_2022_1851_10599.doc
Në vendimin nr.00-2022-1592(272), datë 07.07.2022, për shfuqizimin e aktit administrativ të lirimit nga forcat e armatosura (FA) dhe rikthimin në detyrë, KAGJL vlerëson se shuarja e dënimit për efekt penal sa i përket ekzekutimit të tij nuk duhet ngatërruar me efektet administrative/civile të vendimit penal të formës së prerë, që detyron lirimin e paditësit nga FA sipas ligjit organik. Amnistia dhe falja nuk ndikojnë në fajësinë e të dënuarit, por vetëm në ekzekutimin e dënimit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/272_00_2022_1592_10704.doc
Në vendimin nr.00-2022-1598(268), datë 07.07.2022, për shpërblimin e dëmit për shkak të lirimit nga detyra e nënprefektit, KAGJL vlerëson se nënprefekti është funksionar publik që ushtron funksione me natyrë politike dhe për rrjedhojë marrëdhënia e tij e punës nuk rregullohet nga Kodi i Punës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/268_00_2022_1598_11168.doc
Në vendimin nr.00-2022-1595(270), datë 07.07.2022, për shfuqizimin e vendimit të ndërmjetëm të pezullimit të procedurës administrative dhe detyrimin e organit për të vijuar me legalizimin e ndërtimit informal, KAGJL vlerëson se sipas Kodit të Procedurave Administrative vendimet e ndërmjetme merren për të ndaluar dëmet e rënda ndaj interesave publikë apo interesave të tjerë dhe duhet të jenë të arsyetuar e me afat. Në këto kushte, procedura administrative e legalizimit të ndërtimeve informale nuk mund të pezullohet me vendim të ndërmjetëm dhe të vijojë pa mbarim, pasi një gjë e tillë cenon rëndë interesat e palës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/270_00_2022_1595_10499.doc
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
Në vendimin nr.1049(221), datë 13.09.2022, KPGJL arsyeton se konstatimi i lidhjes shkakësore midis veprimeve/mosveprimeve (keqtrajtimi sistematik) dhe pasojës (e cila duhet të ketë ardhur) është kusht i domosdoshëm për të pasur elementet e anës objektive të figurës së krimit “Shkaktimi i vetvrasjes” dhe është kusht i domosdoshëm arsyetimi në mënyrë shteruese nga gjykatat e faktit i pretendimeve të ankuesit (si psh pyetja e personave që kanë qënë pranë viktimës dhe familjarëve) për të arritur në konkluzione mbi vendimmarrjen. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/221_00_2022_1049_11189.doc
Në vendimin nr.1386(224), datë 15.09.2022, KPGJL sqaron se shkronja “c” e nenit 11 të Konventës “Për transferimin e personave të dënuar”, që parashikon se organi kompetent shkurton periudhën e plotë të heqjes së lirisë që vuhet nga personi i dënuar, nuk nënkupton se gjykata, gjatë konvertimit të dënimit të ulë masën e dënimit, por ky parashikim nënkupton që gjykata gjatë konvertimit të dënimit zbret masën e dënimit që është vuajtur nga personi i dënuar përpara transferimit të tij. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/224_00_2022_1386_11586.doc
Në vendimin nr.1422(225), datë 15.09.2022, KPGJL arsyeton se kundër vendimit të gjykatës së apelit, që ka lejuar rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit (rekurs), nuk bëhet ankim së bashku me vendimin përfundimtar, pasi ai do të jepet nga Gjykata e Lartë dhe vendimi i saj nuk mund të ankimohet. Në këtë situatë, vendimi i gjykatës së apelit që lejon rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit ngelet i paankimueshëm dhe kjo nuk përbën një shkelje të së drejtës për një mjet efektiv ankimi, pasi ky vendim mund të shihet si vendim i ndërmjetëm që jepet gjatë gjykimit për të siguruar zhvillimin e gjykimit në mënyrë të rregullt. Gjykata e apelit nuk mund të disponojë dhe as të riparojë të metat e një vendimi absolutisht të pavlefshëm të gjykatës së shkallës së parë, që nuk ka respektuar dispozitat për njoftimin e të pandehurit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/225_00_2022_1422_11681.doc
Në vendimin nr.1118(235), datë 22.09.2022, KPGJL arsyeton se kryerja e një akti ekspertimi toksikologjik nuk është rrethanë që kushtëzon caktimin e masës së sigurimit me afat, pasi personi nën hetim nuk ka asnjë ndikim në marrjen e garantimin e kësaj prove, veprim i cili kryhet nga një institucion tjetër i ekspertizës mjekësore shkencore. Caktimi i një afati në dhënien e kësaj mase sigurimi pa patur një kërkesë të prokurorit që e justifikon mbajtjen e saj nuk është në përputhje me qëllimin e ligjit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/235_00_2022_1118_11493.doc
Në vendimin nr.1112, datë 22.09.2022, KPGJL arsyeton se vendimi i gjykatës së shkallës së parë që ka disponuar për pushimin e procedimit penal (duke pranuar kërkesën e prokurorit) është i formës së prerë për prokurorin që nuk ka ushtruar ankim dhe mendimi apo ndryshimi i qëndrimit të tij nuk është i detyrueshëm për gjykatën e apelit, në drejtim të disponimit në lidhje me çështjen. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1112_11342.doc
Në vendimin nr.1113, datë 22.09.2022, KPGJL vendosi se në rastet kur investohet gjykata e vendit të ekzekutimit me kërkesë për shuarje dënimi dhe çështja ndodhet për gjykim pranë gjykatës së apelit (gjykata e rigjykimit ku ndodhen aktet), atëherë kjo e fundit është kompetente për shqyrtimin e kërkesës, pasi në këtë rast kompetenca është e lidhur më shumë me fazën procedurale ku ndodhet çështja sesa me objektin e kërkimit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1113_k_11343.doc
Në vendimin nr.1209(244), datë 29.09.2022, KPGJL arsyeton se detyrimi i thirrjes së të pandehurit në gjykim garanton parimin e kontradiktoritetit dhe atë të së drejtës së të pandehurit për t’u mbrojtur dhe në rast se procesi gjyqësor zhvillohet duke mos realizuar njoftimin efektiv sipas neneve 140 dhe 141 të KPP, atëherë procesi konsiderohet absolutisht i pavlefshëm. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/244_00_2022_1209_11356.doc
Në vendimin nr.1411(257), datë 06.10.2022, KPGJL arsyeton se një vendim penal i huaj që të zbatohet në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë përfundimtar. Afati i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit fillon të ecë në momentin që vendimi penal i huaj është bërë i parevokueshëm/përfundimtar dhe jo në momentin e marrjes së vendimit për bashkimin e dënimeve në një të vetëm, pasi ky nuk përbën vendim gjyqësor të formës së prerë por ka vlerë vetëm për efekt të ekzekutimit të vendimit gjyqësor. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/257_00_2022_1411_11678.doc
Në vendimin nr.1235(261), datë 13.10.2022, KPGJL rithekson se periudha e afatit të paraburgimit të konsumuar gjatë fazës të trajtimit të çështjes para gjyqtarit të seancës paraprake, kur prej këtij të fundit është vendosur dërgimi i çështjes në gjyq, konsiderohet pjesë e afatit të paraburgimit të fazës së gjykimit (në themel, në shkallë të parë) të çështjes. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/261_00_2022_1235_11572.doc
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
Në vendimin nr.00-2022-1339(254), datë 20.06.2022, për shpërblimin e dëmit të shkaktuar si pasojë e moskonstatimit të saktë të shtatëzanisë, KCGJL çmon se kryerja e aktit të ekspertimit me mjekun specialist është veprim procedural i cili mund të kryhej lehtësisht edhe në gjykimin rishikues. Juridiksioni i gjykatës së apelit është i plotë mbi faktin dhe ligjin dhe kjo gjykatë nuk mund të sillet dhe të ushtrojë juridiksionin gjyqësor të një gjykate kasacioni, ndryshe nga sa është parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/254_00_2022_1339_11692.doc
Në vendimin nr.00-2022-1565(276), datë 04.07.2022, është trajtuar mosmarrëveshja e lindur midis dy palëve kontraktore, ku sipas KCGJL marrëdhënia juridiko-civile materializohet në momentin e realizimit të sendit objekt të kontratës së shkëmbimit dhe momenti i krijimit të sendit materializon të drejtën e pronësisë së garantuar nga kjo kontratë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/276_00_2022_1565_11527.doc
Në vendimin nr.00-2022-2058(315), datë 15.09.2022, ku kërkohet lirimi e dorëzimi i sendit, pushimi i cenimit, pagimi i frutave dhe shpërblimi i dëmit, KCGJL ka arsyetuar se, kur pronësia mbi sendin individualisht të përcaktuar u përket në të njëjtën kohë disa personave, padia mund të ngrihet nga të gjithë bashkëpronarët ose nga secili prej tyre, kundër çdo poseduesi/ mbajtësi. Lidhur me pretendimet që rrjedhin nga padia mohuese, nuk kërkohet që i padituri të ketë vepruar me faj, por mjafton vetëm fakti i cenimit (elementi objektiv). Në këtë këndvështrim, në të dyja rastet, legjitimiteti pasiv i përket personit i cili konsiderohet posedues faktik i pasurisë së palës paditëse. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/315_00_2022_2058_11894.doc
Në vendimin nr.00-2022-2927(319), datë 19.09.2022, për rishikimin e vendimit civil të gjykatës që ka vendosur detyrimin për disbursimin e kredisë dhe kthimin e shumave si punime të pakryera, KCGJL vlerëson se, rigjykimi lidhet me dallimin midis dëmit efektiv dhe fitimit të munguar, të ardhur si rrjedhojë e veprimeve të paditësit. Për të vlerësuar ndikimin e veprimeve ose mosveprimeve në ardhjen e dëmit gjykata e apelit duhet ta vlerësojë në kompleks marrëdhënien e krijuar duke evidentuar rolin e të gjithë aktorëve të angazhuar që nga fillimi në këtë marrëdhënie, mirëbesimin apo keqbesimin e tyre në raport me rezultatin e ardhur. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/319_00_2022_2927_11896.doc
Në vendimin nr.00-2022-2022(329), datë 21.09.2022, për dëmshpërblimin si pasojë e zgjidhjes së menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, KCGJL vlerëson se, në rastin kur marrëdhënia e punës vazhdon për disa vite në të njëjtin vend pune, në bazë të një kontrate të lidhur pa afat, kontrata e punës që lidhet më pas me afat të caktuar bie ndesh me Kodin e Punës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/329_00_2022_2022_11623.doc
Në vendimin nr.00-2022-2325(334), datë 28.09.2022, ku është gjykuar çështja civile e marrëdhënies së punës dhe detyrimit për dëmshpërblim, për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës dhe mosrespektimit të afatit të njoftimit, KCGJL çmon se mosarritja e objektivave në ushtrimin e një veprimtarie të caktuar, nuk përbën apriori shkak të justifikuar për të zgjidhur marrëdhënien e punës, pa u vërtetuar më parë shkaku i mosarritjes së tyre. Për ekzistencën e shkakut të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies së punës, duhet të provohen kushtet kumulative dhe të hetohet në lidhje me performancën e punëmarrësit në punë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/334_00_2022_2325_11625.doc
Në vendimin nr.00-2022-2582(339), datë 05.10.2022, për përmbushjen e detyrimit financiar në respektim të deklaratës noteriale dhe deklarimin e pavlefshëm të deklaratës noteriale, KCGJL çmon se mungesa e një aktmarrëveshjeje për caktimin e shpërblimit të avokatit, sipas nenit 11 të ligjit nr.9109/2003, nuk nënkupton mungesën e aktmarrëveshjes për shpërblimin e tarifës së suksesit. Përkundrazi, mungesa e marrëveshjes së posaçme të pagesës së avokatit provon se palët kanë rënë dakord për pagesën e shpërblimit, vetëm në rast të përfaqësimit të suksesshëm. Shpërblimi konsiderohet i përcaktuar jo vetëm në rastet kur është caktuar saktë, por edhe kur palët kanë referuar kriteret apo mënyrat e përcaktimit të tij në një fazë të mëvonshme. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/339_00_2022_2582_11627.doc
Në vendimin nr.00-2022-2892(345), datë 05.10.2022, në lidhje me pjesëtimin e pasurisë së paluajtshme mes të paditësve dhe të paditurve, KCGJL gjen të bazuara pretendimet, që janë ngritur edhe në nivel kushtetues, pasi gjykatat duke vendosur moslejimin e pjesëtimit të sendit objekt gjykimi iu kanë mohuar palëve të drejtën kushtetuese për të pasur akses në gjykatë dhe me të drejtë, palët rekursuese pretendojnë ka qenë e detyruar të qëndrojnë në bashkëpronësi tej vullnetit të tyre, duke i mohuar të drejtën të marrin një vendim përfundimtar. Në arsyetim, KCGJL vlerëson se në fazën e dytë të pjesëtimit, gjykata nuk mundet të rrëzojë padinë kur në fazën e parë është vendosur lejimi i pjesëtimit. Për të siguruar zgjidhjen e mosmarrëveshjes, evidentohen alternativat e pjesëtimit të sendit të përbashkët, në kuptim të nenit 207 të Kodit Civil. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/345_00_2022_2892_11955.doc
Në vendimin nr.00-2022-3338(385), datë 19.10.2022, për lirimin e dorëzimin e një sipërfaqe trualli, KCGJL argumenton se, procesi i legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve pa leje synon sjelljen në një gjendje ligjshmërie të ndërtimeve të kryera në kundërshtim me planet urbanizuese dhe përbën një kufizim që i është bërë të drejtës së pronësisë. Cilido qoftë subjekti pronar i parcelës ndërtimore atij nuk do t’i kthehet trualli, por do të kompensohet. Për sa i përket masës së kompensimit, KCGJL evidenton se, ndryshimet e bëra tek ligji për legalizimet rregullojnë mënyrën e kriteret për shpërblimin e pronarëve privatë, si dhe rregulla për masën e kompensimit, që do t’i jepet pronarit të ligjshëm. Ky qëndrim gjen mbështetje dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/385_00_2022_3338_11957.doc
2. Jurisprudencë e GJEDNJ kundër Shqipërisë
Në çështjen Qosja kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 17475/13, vendim i datës 14 qershor 2022, për shqyrtimin e cenimit të parimit të paanësisë së gjykatës, aksesit në gjykatë dhe të drejtës për t`u dëgjuar, GJEDNJ nuk gjeti shkelje mbi këto pretendime. Fakti se pretendimet e kërkuesit në Gjykatën e Lartë ishin të lidhura vetëm me parimin e paanësisë së gjykatës, e jo me fajësinë apo pafajësinë e tij, nuk ka sjellë shkeljen e të drejtës për t`u dëgjuar. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-218509
Në çështjen Buci kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 38924/13, vendim i datës 5 korrik 2022, për shqyrtimin e cenimit të parimit të gjykimit të drejtë, të drejtës për t`u dëgjuar, si dhe të drejtës për t`u mbrojtur me përfaqësues të zgjedhur, GJEDNJ vlerëson se kërkesa është e papranueshme, pasi kërkuesi ka humbur për faj të tij afatin 2-vjeçar të ankimit kushtetues individual, që përbën një mjet efektiv ankimi të detyrueshëm për t`u shteruar përpara se t`i drejtohej GJEDNJ. Mbrojtja e kërkuesit gjatë proceseve me avokatin e caktuar nga familjarët dhe mundësia për të rishikuar vendimin gjyqësor, kanë mjaftuar për një gjykim të drejtë ndaj tij. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-218844
Në çështjen Bushati dhe dy të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 11170/09, vendim i datës 25 gusht 2022, për shqyrtimin e cenimit të parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe të drejtës së pronës në aspektin procedural, GJEDNJ vlerëson se parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm nuk mund të gjej zbatim të mirëfilltë në procedurat administrative që zhvillohen për vlerësimin financiar/kompensimin të/e pronës përpara institucioneve të varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, pasi këto të fundit nuk përbëjnë gjykatë të caktuar me ligj, https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-219303
Në çështjen Habilaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 2480/10, vendim i datës 15 shtator 2022, për shqyrtimin e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm, cenimin e mjetit efektiv të ankimit dhe të drejtës së pronës në aspektin procedural, GJEDNJ vlerëson se pretendimi i parë është i bazuar, pasi vonesa prej më tepër se 3 vjet për ekzekutimin e vendimit gjyqësor është e pajustifikueshme dhe bie ndesh me nenin 6 të KEDNJ. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-219099
Në çështjen Laçej dhe të tjerë kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 22122/08, vendim i datës 29 shtator 2022, për shqyrtimin e mosgjykimit brenda një afati të arsyeshëm përfshi gjykimin e rekursit në Gjykatën e Lartë, si dhe mungesën e mjeteve efektive të ankimit në këtë drejtim, GJEDNJ çmon se vonesa e gjykimit në Gjykatën e Lartë për më tepër se 4 (katër) vjet është e pajustifikueshme dhe ka cenuar parimin e gjykimit në afat të arsyeshëm. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-219730
Në çështjen Fullani kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 4586/18, vendim i datës 20 shtator 2022, për shqyrtimin e cenimit të së drejtës për një jetë private dhe familjare dhe mjetit efektiv të ankimit, GJEDNJ çmon se pretendimet e ngritura nga kërkuesi janë të pabazuara, pasi nuk ka shteruar mjetet e brendshme efektive të ankimit, duke ushtruar ankimin kushtetues individual përpara Gjykatës Kushtetuese (GJK), megjithëse i ka pasur të gjitha mundësitë, veçanërisht pas zgjerimit të juridiksionit kushtetues me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-220210
Në çështjen Cani kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 37474/20, vendim i datës 4 tetor 2022, për shqyrtimin e cenimit të parimit të gjykatës së caktuar me ligj dhe mjetit efektiv të ankimit, GJEDNJ vlerëson se mosmarrja në konsideratë e masës disiplinore të njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si kriter skualifikues (shkarkimi nga detyra në vitin 1997) gjatë procedurës së emërimit të tij në këtë institucion (KPA), përbën shkak serioz për shkelje të legjislacionit të brendshëm nga autoritetet shtetërore dhe shkak për cenimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj. https://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-219773
3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë
Në datat 13 - 15 tetor 2022 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi mori pjesë në punimet e Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Evropian në Brno (Republika Çeke), ku institucioni ynë mban statusin e anëtarit vëzhgues që prej nëntorit të vitit 2016.
Në datën 24 tetor 2022 Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), organizoi konferencën me temë “Ndihma e ndërsjellë ndërkombëtare në çështjet penale”. Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarët e Gjykatës së Lartë, këshilltarë ligjorë dhe nëpunës të Qendrës së Dokumentacionit.
Në datën 9 nëntor 2022, në zbatim të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian me temë “Portreti i një gjyqtari”, ku partner është edhe Gjykata e Lartë me Këshillin e Lartë Gjyqësor, një grup ekpertësh ndërkombëtarë zhvilluan vizitë në institucionin tonë dhe diskutuan me Zëvendëskryetarin z. Sokol Sadushi dhe ndihmësmagjistratët e Gjykatës së Lartë për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe gjyqësor në Shqipëri.
Në datën 16 nëntor 2022 Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi u takua me z. Andrew Horn, oficer i programeve të zbatuara në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor nga Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit, Zyra për Evropën dhe Azinë (INL/EA) dhe z. John Kastning, Drejtor i INL-së pranë Ambasadës së SHBA në Shqipëri. Z. Sadushi shprehu falenderimin maksimal për projektin “Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimi i efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë”, të mbështetur financiarisht nga INL.
4. Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për periudhën janar – tetor 2022
Kolegji Administrativ ka dhënë 1666 vendime, nga të cilat 1537 janë vendime themeli, 57 kompetence/juridiksioni, si dhe 72 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/afati të arsyeshëm.
Kolegji Civil ka dhënë 1192 vendime, nga të cilat 1078 janë vendime themeli, 35 kompetence/juridiksioni, si dhe 79 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim/afati të arsyeshëm.
Kolegji Penal ka dhënë 1353 vendime, nga të cilat 1258 janë vendime themeli, 71 kompetence/kërkesa të veçanta, si dhe 24 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.
Në total për periudhën janar – tetor 2022 janë dhënë 4211 vendime gjyqësore.
Për periudhën prill 2020 - tetor 2022 janë shqyrtuar 9796 çështje gjyqësore.
Në total numri i çështjeve të mbetura për t`u gjykuar në Gjykatë është 30 623.
5. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Rikujtojmë përdoruesit e Gjykatës së Lartë që të përdorin modelin/formatin e miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc
Gjykata e Lartë ka nisur që të përdorë formatin e vendimit për mospranimin e rekurseve haptazi të pabazuara, që nuk përmbajnë shkaqet për rekurs sipas legjislacionit të zbatueshëm në fuqi dhe nuk janë depozituar sipas formatit të mësipërm.
6. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin. Kjo ka si qëllim bërjen të ditur të veprimtarisë së saj të përditshme publikut. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (Emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php .
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri