1.Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
Në vendimin nr.00–2022–928(225), datë 02.06.2022, për shfuqizimin pjesërisht të vendimit të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë për shpronësimin e pronës në interes publik, si dhe shpërblimin e drejtë, KAGJL shprehet se Gjykata Administrative e Apelit nuk ka kryer hetim të plotë të fakteve të çështjes, prandaj ky vendim duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues, për kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm të çështjes dhe interpretimin e drejtë të ligjit material e procedural, veçanërisht sa i takon përcaktimit të masës së dëmit dhe mënyrës së përllogaritjes së tij. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/225_00_2022_928_9740.doc
Në vendimin nr.00–2022–1191(234), datë 15.06.2022, për shfuqizimin pjesërisht të vendimit të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë për shpronësimin e pronës për interes publik, si dhe shpërblimin e drejtë, KAGJL vendosi se në çështjen konkrete GJEDNJ ka dhënë një vendim që trajton në themel pretendimet, pavarësisht se GJL nuk e kishte trajtuar çështjen, duke ia hequr mundësinë gjykatave vendase të vlerësojnë nëse duhet të jepet apo jo dëmshpërblim i plotë për të gjithë paditësit apo vetëm për ata që ishin në mirëbesim. Në këto kushte, nuk ka vend për vijimin e gjykimit, nëpërmjet prishjes së vendimit të gjykatës Administrative të Apelit dhe kthimit të çështjes për rigjykim, pasi GJEDNJ ka dhënë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm, që mbizotëron ndaj zgjidhjes që mund të jepnin gjykatat vendase. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/234_00_2022_1191_10214.doc
Në vendimin nr.00–2022–1158(237), datë 16.06.2022, për shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror (biologjik, moral dhe ekzistencial), KAGJL vlerëson se vendimet e gjykatave të faktit për kthimin e padisë me të meta, për shkak se nuk është paguar taksa e padisë dhe nuk janë depozituar kopje shkresore të provave për palën e paditur, janë joproporcionale dhe kufizojnë drejtpërdrejt aksesin e paditëses në gjykatë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/237_00_2022_1158_10489.doc
Në vendimin nr.00–2022–1202(238), datë 16.06.2022, për shpërblimin e dëmit nga vonesa e përmbushjes së detyrimit kontraktor, KAGJL vlerëson se sanksioni i vendosur në kontratën e furnizimit për vonesat në ekzekutimin e detyrimeve, përbën një kusht penal vlerësues, që nuk mund të kërkohet së bashku me ekzekutimin e detyrimit dhe jashtë afatit 6 mujor. Pas shlyerjes së detyrimit nuk mund të vijojë gjykimi për kushtin penal vlerësues. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/238_00_2022_1202_10490.doc
Në vendimin nr.00–2022–1200(245), datë 16.06.2022, për detyrimin e organit publik që të vazhdojë procedurën e privatizimit/shitjes së pronave, si dhe të paguajë pjesën e mbetur të detyrimit në letra me vlerë, KAGJL çmon se organi publik mund të vlerësojë ndërprerjen ose përfundimin e procedurës së privatizimit të aseteve shtetërore deri sa nuk është lidhur kontrata. Përderisa organi publik nuk ka dhënë pëlqimin për vijimin e procedurës së privatizimit të pronës, pala paditëse nuk legjitimohet për ngritjen e padisë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/245_00_2022_1200_10215.doc
Në vendimin nr.00–2022–1201(246), datë 16.06.2022, për përmbushjen e detyrimit kontraktor dhe pagimin e interesave deri në ekzekutimin e tij nga autoriteti kontraktor, KAGJL vlerëson se në një mosmarrëveshje lidhur me kontratat administrative sipas legjislacionit të prokurimit publik, nënkontraktorët mbajnë pozitën e të tretit në këtë marrëdhënie juridike, duke ia drejtuar kontraktuesit pretendimet e tyre dhe jo autoritetit kontraktor. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/246_00_2022_1201_10964.doc
Në vendimin nr.00–2022–1748(291), datë 19.07.2022, për pagimin e pagës për periudhën që paditësi nuk ka punuar, pasi ishte nën hetim dhe nën procedim penal, KAGJL çmoi se pezullimi i marrëdhënies së punës është i varur nga vërtetimi i kushtit zgjidhës, dhënies së vendimit përfundimtar për shpalljen ose jo fajtor të paditësit. Prandaj paditësi nuk mund të paguhet për punë të pakryer gjatë kohës që kanë qenë në hetim e gjykim, duke i kërkuar pagën punëdhënësit, por mund të përfitojë të drejtat që rrjedhin nga zbatimi i ligjit për kompensim në rast të burgimit të padrejtë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/291_00_2022_1748_10512.doc
Në vendimin nr.00-2022-1634, datë 14.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore, për padinë me objekt konstatimin e rehabilitimit të dënimit dhe kryerjen e shënimeve përkatëse në regjistrin e gjendjes gjyqësore nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve (DPB), KAGJL vlerëson se kur kërkesa për rehabilitim refuzohet nga DPB, kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjes është gjykata e rrethit gjyqësor që ka dhënë vendimin penal ndaj kërkuesit që pretendon rehabilitimin. Në këtë linjë është edhe vendimi njësues i datës 07.04.2022 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1634_k_10708.doc
Në vendimin nr.00-2022-1602, datë 12.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore, për padinë me objekt detyrimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të legalizuar ndërtimin informal, KAGJL çmon se, megjithëse paditësi përmend në kërkimet e tij njohjen pronar, në fakt kërkimi në themel lidhet me mosveprimin dhe ndalimin e ndërhyrjeve të paligjshme nga organi publik, që në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 49/2012, të ndryshuar dhe ligjit nr. 20/2020, duhet të shqyrtohet nga gjykata administrative. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1602_10602.doc
Në vendimin nr.00-2022-1717(265), datë 07.07.2022, për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të disa akteve administrative të nxjerra nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në kuadër të procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, KAGJL vlerëson se togfjalëshi “Vendim gjyqësor i formës së prerë” nënkupton një vendim gjyqësor me fuqi ekzekutive, por jo një vendim përfundimtar, pasi ndaj tij lejohet ushtrimi i rekursit. Kur ligji parashikon se vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë, atëherë vendimi është i parekursueshëm. Një vendim gjyqësor është i paarsyetuar, kur nga vendimi dhe mendimi i pakicës është e paqartë ndarja e trupës gjyqësore dhe formimi i shumicës vendimmarrëse. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/265_00_2022_1717_10498.doc
Në vendimin nr.00-2022-1720, datë 05.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës funksionale, për kërkesën me objekt sqarimin dhe interpretimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, KAGJL thekson se kërkesa duhet të gjykohet nga gjykata që ka dhënë vendimin, pasi kjo gjykatë njeh më mirë vendimmarrjen e saj. Kompetenca funksionale është nocion doktrinar, që lidhet me gjyqtarin natyral të çështjes, i cili përcaktohet gjatë shortit elektronik të saj. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1720_k_10709.doc
Në vendimin nr.00-2022-1712, datë 05.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore, KAGJL vlerëson se kërkesa me objekt lëshimin e dublikatës së urdhrit të ekzekutimit shqyrtohet nga gjykata që ka gjykuar çështjen në themel dhe që ka lëshuar titullin ekzekutiv. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1712_10211.doc
Në vendimin nr.00-2022-1479, datë 04.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës funksionale, KAGJL shprehet se për padinë me objekt konstatimin e pavlefshmërisë së pjesshme të aktit normativ kompetente është Gjykata Administrative e Apelit, ndërsa për detyrimin e organit publik që t`i paguajë përfitimet financiare paditësit, kompetente është gjykata administrative e shkallës së parë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1479_10707.doc
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
Në vendimin njësues nr.1036(114), datë 07.04.2022, KPGJL zgjidhi çështjen e gjykatës kompetente për shqyrtimin e kërkesave me objekt rehabilitimin e të dënuarit sipas nenit 69 të KP, duke vendosur se gjykata kompetente do të jetë gjykata penale e rrethit gjyqësor që ka dhënë vendimin penal ndaj kërkuesit, e që pretendon rehabilitimin, pasi thelbi dhe lënda e mosmarrëveshjes përcaktojnë kompetencën lëndore të gjykatës. Nëse ndaj kërkuesit është dhënë më shumë se një vendim gjyqësor, gjykata kompetente do të jetë ajo që ka dhënë vendimin e fundit gjyqësor. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/114_00_2022_1036_10593.doc
Në vendimin nr.794, datë 20.05.2022, KPGJL vlerësoi se shpallja i pafajshëm i të pandehurit, duke mos arsyetuar dhe analizuar saktë vendimin (kuptimin përkatës të pronave të paluajtshme, të patjetërsueshme shtetërore, veçanërisht asaj publike), elementet e veprës penale dhe provat (aktet e falsifikuara të pronësisë së tokës), nuk është i drejtë dhe si rrjedhojë çështja duhet të rishqyrtohet nga gjykata e apelit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_794_th_10004.doc
Në vendimin nr.149, datë 31.05.2022, KPGJL vlerësoi se vepra penale e mashtrimit konsiderohet e konsumuar, edhe kur pasuria e përvetësuar kthehet pasi ka nisur procedimi penal për këtë vepër penale. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/149_00_2022_634_9813.doc
Në vendimin nr.590(161), datë 09.06.2022, KPGJL konstaton se në rastet kur provohet mospërmbushja e rregullt e detyrës për qëllime të përfitimit material, atëherë veprimet e kundërligjshme duhet të ishin cilësuar si akte korruptive. Arsyetimi i vendimit nuk është në përputhje me faktet dhe rrethanat, që janë pranuar si të provuara nga vetë gjykatat e faktit dhe vendimmarrja është kontradiktore dhe e pabazuar në ligj e në prova. Organi i akuzës nuk ka argumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dashjen me vetëdije të plotë të të gjykuarit, në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës, si dhe nuk ka evidentuar se cila është shkelja konkrete ligjore (në raport me ligjin dhe aktet për arsimin e lartë). https://www.gjykataelarte.gov.al/web/161_00_2022_590_10396.doc
Në vendimin nr.1151(183), datë 24.06.2022, KPGJL u shpreh se përdorimi i standardeve provuese të gabuara në gjykimin e kërkesës për dërgimin e çështjes për gjykim apo për pushimin e çështjes, sipas neneve 332/dh/a dhe 328/1 të KPP, pozicionon gjyqtarin e seancës paraprake në cilësinë e gjyqtarit të themelit, kur shprehet lidhur me provueshmërinë e akuzës, duke konsideruar vendimmarrjen në kushtet e paligjshmërisë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/183_00_2022_1151_11071.doc
Në vendimin nr.629(163), datë 14.06.2022, KPGJL vlerësoi se rastet e jashtëzakonshme të përcaktuara nga ligjvënësi për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm, nuk mund të barazohen me arsyet e veçanta të lirimit me kusht për të dënuarin me burgim (referuar vendimit njësues nr. 2, datë 25.05.2015). Për të përfituar lirimin me kusht nuk gjen zbatim parimi i ligjit penal favorizues, pasi ky institut nuk ka lidhje me kohën e kryerjes së veprës penale. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/163_00_2022_629_10046.doc
Në vendimin nr.657(175), datë 21.06.2022, KPGJL vlerëson se kur procedimet ndaj të pandehurit kanë filluar në kohë dhe për çështje të ndryshme, por me të njëjtën akuzë, është në të drejtën e tij që pretendimet t’i parashtrojë para prokurorit/gjykatës për bashkimin e çështjeve, me kusht që çështja të jetë në të njëjtën gjendje/shkallë gjykimi. Në rast se nuk është bërë ankim ndaj vendimit të ndërmjetëm për pranimin e kërkesës së të pandehurit për gjykim të shkurtuar, gjykata e apelit, kur vlerëson së vendimi i pafajësisë nuk është i drejtë, mund të përsërisë shqyrtimin gjyqësor të plotë, duke marrë prova të reja dhe jo të vendosë vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në shkallë të parë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/175_00_2022_657_10398.doc
Në vendimin nr.650(172), datë 21.06.2022, KPGJL vlerëson se gjykata e faktit nuk mund të shqyrtojë kërkesën për deklarimin e shuarjes e masës së sigurimit personal të caktuar ndaj kërkuesit, pa shqyrtuar më parë kërkesën për rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit (e regjistruar më herët), pra pa u prononcuar lidhur me “formën e prerë” të vendimit të gjykimit të themelit të akuzës. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/172_00_2022_650_10870.doc
Në vendimin nr.763, datë 05.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, KPGJL konstatoi se çështjet e veçuara të të njëjtit procedim penal nga gjyqtari i seancës paraprake duhet të gjykohen prej tij dhe për rrjedhojë çështja të vijojë gjykimin tek po ky gjyqtar. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_763_k_10310.doc
Në vendimin nr.788, datë 05.07.2022, KPGJL u shpreh se kur ka një vendim të GJL, që ka zgjidhur në themel konfliktin e kompetencës lëndore, atëherë kjo konsiderohet si një çështje që në aspektin e parimit “res judicata”, e ka marrë një përgjigje ligjore, pra çështja e kompetencës lëndore/funksionale apo tokësore është gjë e gjykuar, duke konkluduar se moskompetenca për shqyrtimin e një çështjeje mund të shpallet vetëm një herë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_788_k_10149.doc
Në vendimin nr.1035(211), datë 22.07.2022, për lejimin e ekstradimit nga Shqipëria në Itali, sipas kërkesës së autoriteteve të drejtësisë italiane, KPGJL konstatoi se në mungesë të një harmonizimi të normave ligjore (midis protokollit të katërt shtesë të Konventës "Për ekstradimin" me ligjin e brendshëm për parashkrimin e ndjekjes penale ose të dënimit, në një rast të paraqitjes për ekstradim nga autoriteti i huaj gjyqësor), vjen në ndihmë neni 122 i Kushtetutës dhe nenet 19 dhe 46, të KEDNJ. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/211_00_2022_1035_10405.doc
Në vendimin nr.1215(231), datë 20.09.2022, KPGJL konkludoi se neni 4/a/b, i ligjit nr.154/2015 “Për dhënie amnistie” do të zbatohet vetëm për ata persona, të cilëve u ka mbetur pa vuajtur, edhe 1,5 (për personat e dënuar gra dhe të mitur në kohën e kryerjes së veprës) apo 1 vit (për personat e dënuar burra) nga përfundimi i vuajtjes së plotë të dënimit dhe vetëm me plotësimin e këtij kushti, ata do të mund të përfitojnë përjashtimin e pjesshëm nga dënimi. Me shprehjen “1 vit të mbetur”, ligjvënësi i referohet periudhës përfundimtare (e vetmja kohë vuajtjeje) të mbetur pa vuajtur, si kusht për përjashtimin nga dënimi. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/231_00_2022_1215_11220.doc
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
Në vendimin nr.00-2022-946(215), datë 06.06.2022, për dhënien e dëmshpërblimit për pushim kolektiv nga puna, KCGJL ka shqyrtuar institutin e transferimit të ndërmarrjes dhe kalimin e të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e punës. Në raste të tilla paditësve u njihet vetëm shpërblimi për vjetërsi në punë, që nuk është sanksion ndaj punëdhënësit, por vlerësim material për kontributin që ka dhënë punëmarrësi për punëdhënësin. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/215_00_2022_946_11026.doc
Në vendimin nr.00-2022-1101(222), datë 06.06.2022, ku shqyrtohet detyrimi për rimbursimin e vlerës së kredisë nga ana e shoqërisë së sigurimit, KCGJL ka vlerësuar se hetimi i plotë dhe i gjithanshëm ka të bëjë me të provuarit nëse ka ndodhur një ngjarje sigurimi, duke trajtuar të gjithë dokumentacionin për të arritur një përfundim të drejtë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/222_00_2022_1101_11295.doc
Në vendimin nr.00-2022-1289, datë 15.06.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore për kundërshtimin e veprimeve të noterit që ka refuzuar lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë testamentare, KCGJL ka vlerësuar kompetencën e gjykatës administrative të shkallës së parë për gjykimin e kësaj kërkesëpadie. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1289_k_10550.doc
Në vendimin nr.00-2022-1444, datë 29.06.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore, KCGJL ka vlerësuar se gjykata kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve që burojnë nga marrëdhëniet e punës së drejtorëve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale është gjykata administrative e shkallës së parë. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1444_10801.doc
Në vendimin nr.00-2022-1722, datë 20.07.2022, ku shqyrtohet çështja e juridiksionit për padinë e shpërblimit të dëmit pasuror dhe jopasuror (biologjik, moral dhe ekzistencial), si pasojë e një aksidenti, KCGJL thekson se, sipas parimit të kontradiktoritetit, gjykata e shkallës së parë është e detyruar që të bazojë vendimin vetëm në fakte dhe çështje juridike të debatuara nga palët ndërgjyqëse, që i bëhen me dije atyre, në mënyrë që secila prej tyre të ketë mundësi të mbrohet dhe të ndikojë ligjërisht në përmbajtjen e vendimit gjyqësor. Në zbatim të vendimit njësues nr. 1, datë 26.11.2010 të Kolegjeve të Bashkuara, juridiksioni gjyqësor prezumohet, për sa kohë që ligji i posaçëm nuk parashikon ndjekjen e rrugës administrative. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1722_j_10626.doc
Në vendimin nr.00-2022-1788, datë 20.07.2022, për anulimin e vendimit të drejtorisë së postës dhe rikthimin e punëmarrësit në pozicionin e mëparshëm të punës, KCGJL ka vlerësuar se nuk ka vend për zbatimin e afateve të njoftimit, sipas nenit 143 të KP, për të realizuar zgjidhjen paraprake të kontratës me afat të caktuar, kur në kontratë zgjidhja e parakohshme e saj nuk lejohet, me përjashtimin e rastit të zgjidhjes për shkaqe të justifikuara. Kolegji thekson se, në kontratën e punës me afat të caktuar, punëdhënësi është i detyruar të respektojë afatin kontraktor për zgjidhjen e kontratës dhe nuk mund të zbatojë afate njoftimi për zgjidhje paraprake. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/302_00_2022_1788_11301.doc
Në vendimin nr.00-2022-1793(301), datë 20.07.2022, për dëmshpërblimin për zgjidhjen e menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, KCGJL ka vlerësuar se, në çdo rast gjykata duhet të analizojë nëse zgjidhja e kontratës është me afat apo pa afat, si dhe cili do të jetë legjislacioni i aplikueshëm për zgjidhjen e pretendimeve të palëve. Kolegji thekson se, duhet pasur parasysh natyra juridike e marrëdhënies së punës (pra një kontratë e mirëfilltë apo e një natyre mikse), që të përcaktohet masa e dëmshpërblimit. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/301_00_2022_1793_11300.doc
Në vendimin nr.00-2022-1862, datë 20.07.2022, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës tokësore, KCGJL ka evidentuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka kualifikuar drejt natyrën e mosmarrëveshjes, duke vendosur kryesisht mbi kompetencën tokësore për padinë e zgjidhjes së martesës, ndërkohë që nuk ndodheshim përpara kompetencës tokësore ekskluzive. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_1862_10803.doc
Në vendimin nr.00-2022-1954(311), datë 14.09.2022, për detyrimin për të paguar vlerën e situacionit përfundimtar dhe kamatëvonesën, KCGJL ka arsyetuar mbi ndryshimet ligjore që ka pësuar procedura civile dhe ka konkluduar me dërgimin e çështjes pranë Gjykatës Administrative të Apelit, pasi nga gjykimi në apel, janë konstatuar shkelje që i bëjnë të palvlefshme aktet. https://www.gjykataelarte.gov.al/web/311_00_2022_1954_11413.doc
2.Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë
Në datën 12 shtator 2022 Gjykata e Lartë zgjodhi gjyqtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Toska.
Në datën 4 tetor 2022 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën në seancë dëgjimore për të shqyrtuar tri çështje penale, një administrative dhe një civile. Kolegjet e Bashkuara shtynë 2 nga çështjet penale për vendimmarrje në datën 28 tetor 2022, ndërsa tre çështjet e tjera (administrative, civile dhe penale) u kaluan për shqyrtim pranë secilit kolegj për njësimin e praktikës gjyqësore.
Në datën 5 tetor 2022 zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dha një intervistë për DW, ku evidentoi sfidat e Gjykatës për të dhënë drejtësi, si dhe për të fituar besimin e publikut. Z. Sadushi nënvizoi se, Gjykata po përballet ndër të tjera edhe me një numër të madh çështjesh që në objekt kanë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pronësisë.
Në datat 4 – 6 tetor 2022 këshilltarët ligjorë të Gjykatës së Lartë dhe nëpunësit e Qendrës së Dokumentacionit morën pjesë në trajnimin për arsyetimin dhe publikimin e vendimeve të Gjykatës sipas metodave shkencore bashkëkohore. Ky trajnim është në vazhdën e një sërë trajnimeve të planifikuara për rritjen e efektivitetit dhe transparencës së GJL.
3.Statistika
Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për periudhën janar – shtator 2022
Kolegji Administrativ ka dhënë 1247 vendime, nga të cilat 1127 janë vendime themeli, 54 kompetence/juridiksioni, si dhe 66 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/afati të arsyeshëm.
Kolegji Civil ka dhënë 1031 vendime, nga të cilat 922 janë vendime themeli, 34 kompetence/juridiksioni, si dhe 75 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim/afati të arsyeshëm.
Kolegji Penal ka dhënë 1186 vendime, nga të cilat 1092 janë vendime themeli, 70 kompetence/kërkesa të veçanta, si dhe 24 pezullim ekzekutimi/konstatim shkelje afati.
Në total për periudhën janar – shtator 2022 janë dhënë 3464 vendime gjyqësore.
Për periudhën prill 2020 - shtator 2022 janë shqyrtuar 9049 çështje gjyqësore.
Çështje të depozituara në Gjykatën e Lartë gjatë periudhës janar – shtator 2022
Çështje administrative 269;
Çështje civile 539;
Çështje penale 625;
Në total çështje të regjistruara 1433.
Në total numri i çështjeve të mbetura për t`u gjykuar në Gjykatën e Lartë është 34 027.
4.Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë
Rikujtojmë përdoruesit e Gjykatës së Lartë që të përdorin modelin/formatin e miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc .
Gjykata e Lartë ka nisur që të përdorë formatin e vendimit për mospranimin e rekurseve haptazi të pabazuara, që nuk përmbajnë shkaqet për rekurs sipas legjislacionit të zbatueshëm në fuqi dhe nuk janë depozituar sipas formatit të mësipërm.
5.Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (Emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Aplikoni duke vizituar linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/Akreditim_9953_1.php
Kontakto:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.al ;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri