Buletini informativ 2022 - 3

1. Përbërja e Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë plotësohet me tre anëtarë të rinj, duke e çuar numrin e gjyqtarëve që ushtrojnë detyrën në 15, ndërkohë që 1 (një) gjyqtar ushtron detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

1) Sokol Ngresi u lind më datë 27.02.1973. Në vitin 1995 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, UT, ndërsa në vitin 2005 studimet pasuniversitare pranë po të njëjtit fakultet. Z. Ngresi ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, si dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Ka kontribuuar edhe në procesin e mësimdhënies, duke qenë pedagog i së drejtës penale dhe civile në universitete të ndryshme. Ka qenë pjesëmarrës i trajnimeve të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës. Me dekretin nr. 13646, datë 02.06.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

2) Margarita Buhali u lind më datë 23.09.1976. Në vitin 1999 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, UT dhe në vitin 2002 ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës. Znj. Buhali ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, si dhe Gjykatën e Apelit Vlorë. Ka qenë anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi gjatë vitit 2019. Ka qenë pedagoge e jashtme për të drejtën e detyrimeve dhe të drejtën civile. Ka ofruar ekspertizë në projekte të ndryshme. Me dekretin nr. 13697, datë 14.06.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Lartë.

3) Enton Dhimitri u lind më datë 14.09.1978. Në vitin 2001 ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, UT dhe në vitin 2005 Shkollën e Magjistraturës. Z. Dhimitri ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe Gjykatën e Apelit Gjirokastër. Ka ushtruar detyrën e zëvendëskryetarit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, si dhe gjyqtarit për median në Gjykatën e Apelit Gjirokastër. Ka qenë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në vitet 2018 dhe 2022. Ka marrë pjesë në shumë trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës dhe institucione/organizata të tjera. Me dekretin nr. 13698, datë 14.06.2022 të Presidentit të Republikës emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

2. Jurisprudencë e përzgjedhur

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë

Prill 2022

Në vendimin nr.00–2022–635, datë 01.04.2022, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, për padinë me objekt shfuqizimin e aktit normativ nënligjor dhe detyrimin e organit publik të dëmshpërblejë paditësin, KAGJL vëren se, padia përmban kërkime të përziera. Kërkimi për shfuqizimin e aktit normativ nënligjor është në kompetencën funksionale të Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa kërkimi për shpërblimin e dëmit nga akti normativ nënligjor është në kompetencën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_635_8891.doc .

Në vendimin nr.00–2022-688, datë 07.04.2022, me objekt rishikimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, KAGJL është shprehur se, kompetente nga pikëpamja funksionale për të shqyrtuar kërkesat për rishikim të paraqitura deri më datë 05.11.2017, është vetëm Gjykata e Lartë, qoftë për proceset administrative ashtu edhe për ato civile. Kërkesa për rishikimin e vendimit duhet të përmbajë shkaqe dhe prova nga ato të parashikuara në nenin 494 të Kodit të Procedurës Civile, të ndryshuar, pasi në të kundërt ajo nuk mund të pranohet. Pretendimi se vendimi njësues nr. 3/2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë shërben si provë e re për të rishikuar vendimin e gjykatës nuk është i bazuar sepse ai nuk përmbush kërkesat e nenit 494 të KPC. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/00_2022_688_9193.doc .

Në vendimin nr.00–2022–691, datë 11.04.2022, me objekt rishikimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër, KAGJL ka mbajtur qëndrimin se, Kodi i Procedurës Civile, i ndryshuar, ka lidhur kompetencën lëndore për shqyrtimin e kërkesës për rishikimin e vendimit civil me gjykatën që ka shqyrtuar çështjen në themel. Pra, kërkesa paraqitet pranë gjykatës së rrethit gjyqësor që ka dhënë vendimin dhe shqyrtohet nga një trup gjykues i ndryshëm nga ai i cili ka dhënë vendimin. Nëse çështja është ankimuar në gjykatën më të lartë, kompetenca lëndore i përket gjykatës më të lartë që ka shqyrtuar në themel çështjen. Nisur nga fakti që gjykata e apelit ka shqyrtuar çështjen në themel dhe mosmarrëveshja është e natyrës administrative, kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rishikim është Gjykata Administrative e Apelit. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_691_9196.doc .

Në vendimin nr.00–2022–656, datë 11.04.2022, me objekt shfuqizimin e aktit administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), për skualifikimin e paditëses si kandidate në procedurën e ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, KAGJL sqaron se, në rastet kur një vendim gjyqësor është “i formës së prerë” dhe i shtohet gjithashtu edhe termi “përfundimtar”, kjo do të thotë se ky vendim, jo vetëm është menjëherë i ekzekutueshëm, por ndaj tij nuk ka asnjë mjet të zakonshëm ankimi, pasi natyra përfundimtare pengon gjykimin nga një gjykatë më e lartë, me përjashtim të rishikimit të vendimit. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/00_2022_656_9152.doc .

Në vendimin nr.00–2022– 896(150), datë 11.04.2022, me objekt detyrimin e organit publik që të rimbursojë taksën e importit për karbonin, KAGJL është shprehur se, paditësi nuk ka ezauruar rrugën administrative për të kundërshtuar veprimtarinë e organeve doganore, brenda afatit 30 ditor të parashikuar në nenin 289, pika 5, të Kodit Doganor, të ndryshuar, por ka preferuar investimin e gjykatës drejtpërdrejt me padi për pagim të padetyruar. Kësisoj, padia është e pabazuar sepse mosmarrëveshja ka karakter administrativ dhe jo civil. Po kështu, KAGJL ka sqaruar se, pretendimet e paditësit në themel janë të pabazuara sepse nuk rezulton që të jetë përjashtuar me ligj nga pagimi i taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/150_00_2022_896_9661.doc .

Në vendimin nr.00-2022-833, datë 26.04.2022, me objekt lëshimin e urdhrave të ekzekutimit për pesëdhjetë fatura tatimore, KAGJL ka mbajtur qëndrimin se, debitori dhe Avokatura e Shtetit nuk legjitimohen që të parashtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimet e gjykatave që pranojnë lëshimin e urdhrave të ekzekutimit. Sipas nenit 512 të Kodit të Procedurës Civile, të ndryshuar, ankim të veçantë mund të ushtrojë vetëm kreditori që i refuzohet lëshimi i urdhrit të ekzekutimit. Ky qëndrim i Kolegjit bazohet në faktin se, gjykimi për lëshimin e titullit ekzekutiv nis prej kreditorit dhe zhvillohet pa palë kundërshtare, e si rezultat debitori nuk është palë në gjykim dhe nuk gëzon asnjë të drejtë. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/00_2022_833_9456.doc .

Në vendimin nr.00-2022-927(152), datë 26.04.2022, me objekt shpërblim dëmi pasuror, dëmi jopasuror, pagimin e shpenzimeve të varrimit, si dhe atyre të përkujdesjes së fëmijëve, KAGJL shprehet se, është e papranueshme proceduralisht që të legjitimohet si avokat përfaqësues në gjykimin civil, për palën e viktimave të veprës penale (familjarëve të të ndjerës), i njëjti avokat i cili ka mbrojtur në gjykimin penal, të pandehurin e akuzuar, që ka ndikuar në ardhjen e pasojës së dëmshme. I njëjti standard duhet të zbatohet edhe ndaj avokatit tjetër të paditësve, nëse provohet se ai është ortak në të njëjtën zyrë avokatie, ka dijeni për rastin penal dhe përfaqëson vazhdimisht, së bashku me avokatin më lart në çështje të ndryshme gjyqësore. Po kështu, KAGJL ka sqaruar se, vendimmarrja e gjykatave nuk është rezultat i hetimit të plotë e të gjithanshëm dhe për pasojë çështja duhet të kthehet për rigjykim. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/152_00_2022_927_9580.doc .

Në vendimin nr.00–2022–819(157), datë 26.04.2022, me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për lirimin nga detyra të anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), KAGJL është shprehur se, kriteret ligjore të parashikuara për emërimin si anëtar i KPP janë shteruese dhe nuk mbeten në vlerësimin diskrecionar të organit publik që nxjerr aktin e emërimit. Nga dosja gjyqësore evidentohet qartë se, paditësi nuk plotësonte kriterin e përvojës të detyrueshëm sipas ligjit dhe për rrjedhojë, akti i emërimit të tij është absolutisht i pavlefshëm. KAGJL ka vlerësuar të drejtë edhe kompetencën e Këshillit të Ministrave si organi që ka nxjerrë aktin për t`a konstatuar atë absolutisht të pavlefshëm. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/157_00_2022_819_9421.doc .

Në vendimin nr.00-2022-1111, datë 28.04.2022, me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, të nxjerrë për zbatimin e vendimit të GJEDNJ, si dhe ndalimin e punimeve të ndërtimit (pushim cenimi), KAGJL është shprehur se, ndodhemi përpara një padie me kërkime të përziera administrativo-civile. Në këtë kuadër, kur kemi të bëjmë me kërkime të përziera (civile dhe administrative) dhe çështja është regjistruar në gjykatë para datës 04.11.2013, gjykimi i saj do të vazhdojë nga gjykata civile, ndërsa për çështjet e regjistruara pas kësaj date do të bëhet ndarja e kërkimeve me natyra të ndryshme. Po kështu, në këtë vendim KAGJL është shprehur se, vendimi njësues do të konsiderohet me fuqi juridike që nga momenti i shpalljes së tij, e jo pas botimit në fletoren zyrtare. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/00_2022_1111_9730.doc .

Maj 2022

Në vendimin nr.00-2022-996(177), datë 12.05.2022, me objekt shfuqizimin e aktit administrativ të komisionit disiplinor në shërbimin civil, pagimin e pagave dhe rikthimin në detyrë, KAGJL ka sqaruar se, gjykata e apelit ka shkelur parimin e arsyetimit të vendimit, pasi nuk ka arsyetuar lidhur me dënin ekonomik të ardhur për palën e paditur, konfirmuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, llojin e natyrën e shkeljes disiplinore, si dhe masën disiplinore. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/177_00_2022_996_9609.doc .

Në vendimin nr.00–2022-1513(186), datë 12.05.2022, me objekt konstatimin e cenimit të statusit të gjyqtarit për mospajisjen me pasaportë shërbimi, si një e drejtë e fituar dhe shfuqizimin e disa parashikimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, KAGJL është shprehur se, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve (SHKGJ), për shkak të cilësive dhe njohurive të veçanta juridike që zotëron, legjitimohet të paraqesë rekursin drejtpërdrejt në gjykatë nëpërmjet organeve drejtuese të saj, pa pasur nevojën e avokatit. SHKGJ përbëhet nga gjyqtarë të niveleve të ndryshme të gjyqësorit dhe përfaqësohet nga kryetari i saj, i cili është gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për rrjedhojë, për shkak të funksionit që kryen, kryetari i SHKGJ zotëron aftësitë dhe njohuritë e nevojshme juridike për të realizuar efektivisht mbrojtjen e subjektit e është plotësisht i aftë dhe në gjendje të paraqesë e mbrojë çështjen e tij në mënyrë të kënaqshme para gjykatës pa ndihmën e një avokati. Sa i takon juridiksionit të çështjes, Kolegji vlerëson se, në rastin në shqyrtim akti nënligjor bie ndesh me një të drejtë ligjore, që lidhet me pajisjen me pasaportë shërbimi të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit, që nuk parashikohet drejtpërdrejt nga Kushtetuta, e për rrjedhojë bie në juridiksionin e gjykatave të zakonshme. Kolegji ka sqaruar se, mospërfshirja e gjyqtarëve në listën e funksionarëve që duhet të pajisen me pasaporta diplomatike, përbën cenim të një drejte të fituar nëpërmjet ometimit ligjor. Si rrjedhojë, është cenuar standardi kushtetues i “përfitimeve të tjera”, si pjesë përbërëse e statusit të gjyqtarit. Së fundi, Kolegji vlerëson se, çdo ndërhyrje me efekt përkeqësues dhe pa asnjë arsye të përligjur në të drejtat e fituara më parë, që shpërfill interesat legjitime të gjyqtarëve konsiderohet e paligjshme. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/186_00_2022_1513_9916.doc .

Në vendimin nr.00-2022-991(179), datë 12.05.2022, me objekt trajtimin me pagesë kalimtare, KAGJL ka theksuar se, paditësi gëzon të drejtën për trajtim me pagesë kalimtare sipas përcaktimeve të nenit 12 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, të ndryshuar. Po kështu, paditësit nuk i shuhet e drejta e përfitimit të shpërblimeve, pasi ka derdhur kontributin suplementar gjatë kohës që ka shërbyer në radhët e policisë së shtetit.  Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/179_00_2022_991_9611.doc .

Në vendimin nr.00-2022-1128(191), datë 13.05.2022, me objekt shpërblimin e dëmit (fitim i munguar) nga mosekzekutimi i detyrimit që buron prej titullit ekzekutiv, si dhe kamatave ligjore mbi titull, KAGJL ka sqaruar se, për pranimin e padisë për kamatat ligjore marrin rëndësi të madhe shkaqet e mosekzekutimit të vendimit dhe faji i debitorit. Kolegji thekson se, për sa kohë që pala paditëse ka kërkuar pushimin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv, ajo nuk legjitimohet të kërkojë kamatëvonesa për mosekzekutimin në kohë të tij. Po kështu, edhe për periudhën që titulli ekzekutiv ka qenë pezulluar së ekzekutuari nga Gjykata e Lartë, nuk mund të pretendohen kamata sepse titulli nuk mund të ekzekutohej. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/191_00_2022_1128_9736.doc .

Në vendimin nr.00-2022-887, datë 20.05.2022, të dhënë për përcaktimin e kompetencës lëndore të gjykatës, për padinë me objekt shpërblimin e dëmit për shkak të konstatimit të diskriminimit, si dhe rikthim në detyrën e mëparshme, KAGJL është shprehur se, konflikti gjyqësor ka lindur në kuadër të marrëdhënies së punës, ku janë shfaqur sjelljet e pretenduara nga pala paditëse si diskriminuese, e që pretendohet se kanë sjell ndërprerjen e marrëdhënies së punës në mënyrë jonatyrale. Në këto kushte, pretendimet e parashtruara nga pala paditëse rrjedhin nga neni 9 i Kodit të Punës dhe ligji nr. 10221, datë 04.02.2012 “Për mbrojtjen nga diskriminimi” dhe kompetente për shqyrtimin e tyre është Gjykata e Rrethit Gjyqësor. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_887_kompetence_9500.doc .

Në vendimin nr.00–2022-890, datë 11.05.2022, për shqyrtimin e juridiksionit, për padinë me objekt detyrimin e organit publik për të dhënë informacion, KAGJL ka bërë një vlerësim tërësor të legjislacionit për të drejtën e informimit, duke u shprehur për të drejtat e individit që kërkon informacion, detyrat e autoritetit publik, detyrat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, refuzimin e kërkesës për informacion, afatet e shqyrtimit të saj, etj. KAGJL ka mbajtur qëndrimin se, pala paditëse për shkak të mosveprimit të autoritetit publik, për të cilat pretendon se i janë cenuar të drejtat, ka të drejtë të ankohet pranë strukturës përgjegjëse për ankimet dhe në bazë të vendimmarrjes së saj, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. Duke qenë se nga organet publike nuk ka pasur një përgjigje, atëherë paditësi me të drejtë i është drejtuar gjykatës. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/00_2022_890_juridiksion_9499.doc .

Në vendimin nr.00–2022–1025, datë 26.05.2022, me objekt shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe vendimit të nënkomisionit të ligjeve për moslejimin e paditësit si kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KAGJL shprehet se, rekursi i paditësit nuk përmban asnjë nga shkaqet për rekurs sipas ligjit nr. 49/2012, të ndryshuar. Kolegji më tej thekson se, procedura e parashikuar nga ligji e ka lënë kontrollin e vendimmarjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit në vlerësimin diskrecionar dhe politik të votës së deputetëve të nënkomisionit të Kuvendit. Vendimi i nënkomisionit nuk rezulton të jetë përfundimtar, përderisa dërgohet në seancë plenare pranë Kuvendit për votim. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/00_2022_1025_9655.doc .

Qershor 2022

Në vendimin nr.00–2022–987(223), datë 02.06.2022, me objekt kundërshtimin gjyqësisht të vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), të nxjerrë për shpronësimin e pronës në interes publik, KAGJL ka mbajtur qëndrimin se, afati 45 ditor për të kundërshtuar këtë akt nënligjor gjyqësisht, nis pas botimit të tij në fletoren zyrtare. KAGJL ka sqaruar se, botimi i VKM në fletoren zyrtare shërben si një nga format e njoftimit që parashikon Kodi i Procedurave Administrative, ligji organik i kohës për botimet në fletoren zyrtare, si dhe ligji nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, që detajojnë rregullat për publikimin dhe botimin e VKM-ve. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/223_00_2022_987_9669.doc .

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë

Prill 2022

Në vendimin nr.482(117), datë 12.04.2022, KPGJL shqyrton në themel çështjen për përcaktimin e gjykatës kompetente në rastin e procedimeve të lidhura ndërmjet tyre që nuk mund të ndahen, nga të cilat një ose disa janë në kompetencën e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe procedimet e tjera në kompetencë të gjykatave të tjera të shkallës së parë. Bazuar në parashikimet e nenit 14 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, cila do të jetë gjykata kompetente për gjykimin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, e gjithashtu edhe i veprave të tjera penale, për të cilat, referuar nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, është kompetente në lëndë Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/117_00_2022_482_9518.doc .

Në vendimin nr.639(127), datë 26.04.2022, KPGJL shqyrton në themel çështjen, duke bërë interpretimin lidhur me elementet e veprës penale të “Vjedhjes”, të parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal, të veprës penale të “Vjedhjes me dhunë”, të parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal dhe të elementit të “kërcënimit”, në perspektivën e një të keqeje të padrejtë e të dukshme, që vjen nga subjekti kërcënues. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/127_00_2022_639_9808.doc .

Në vendimin nr.744(134), datë 28.04.2022, KPGJL shqyrton në themel çështjen, duke përcaktuar zgjidhjen bazuar në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në rastet kur subjekti tatimor nuk e paguan detyrimin tatimor, si dhe nuk ushtron ankim brenda afatit të përcaktuar në nenin 69 të ligjit respektiv. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/134_00_2022_744_9922.doc .

Maj 2022

Në vendimin nr.139, datë 10.05.2022, KPGJL trajton masën e “garancisë pasurore” si një cenim të proporcionalitetit të nevojës së masës së sigurimit me veprat penale që dyshohet se janë kryer, masë e cila nuk ka shërbyer për të frenuar përfshirjen e këtij personi në aktivitet kriminal. Në vendim shpjegohet nevoja dhe domosdoshmëria e arsyetimit të rrethanave dhe shkaqeve, që mund të sjellin si pasojë vendosjen e një masë sigurimi më të butë. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/139_00_2022_450_9368.doc .

Në vendimin nr.691, datë 12.05.2022, KPGJL trajton ndryshimin e nenit 143 të Kodit Penal “Mashtrimi me pasoja të rënda”, pasi është paraqitur rekursi në Gjykatën e Lartë, si dhe zbatimin e ligjit penal favorizues për të gjykuarin (pasi janë shqyrtuar provat nga gjykata nëse ndodhemi ose jo përpara kryerjes së veprës penale të mashtrimit me pasoja të rënda). Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/143_00_2022_691_9888.doc .

Në vendimin nr.641, datë 12.05.2022, KPGJL trajton përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor nga vetë gjykata e apelit (në lidhje me shfuqizimin e vendimit të ndërmjetëm të shkallës së parë për gjykimin e shkurtuar, ku i gjykuari është i mitur dhe akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”), pa qenë e nevojshme të rikthehet për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/141_00_2022_641_9887.doc .

Në vendimin nr.148, datë 31.05.2022, KPGJL trajton termin "gjini e afërt" në kuptimin e normës penale. Kolegji shpjegon se, çfarë përfshihet në nocionin "gjini dhe krushqi të afërt". Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/148_00_2022_548_9592.doc .

Qershor 2022

Në vendimin nr.611(162), datë 10.06.2022, KPGJL shqyrton në themel çështjen se, si  gjykatat e faktit kanë interpretuar ligjin e kohës, vendin që ka norma ndërkombëtare në rendin e përgjithshëm të sistemit tonë ligjor dhe sqaron kuptimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet shtetit tonë dhe shtetit të huaj, si dhe rregullat për njohjen e një vendimi penal të huaj, kur ky vendim përmban elementet e dënimit të jashtëzakonshëm, me kufirin më të madh të heqjes së lirisë, duke u ndalur në pretendimin nëse kemi patur interpretim të gabuar të ligjit në njohjen e vendimit penal të huaj, në kundërshtim me nenin 7/2 të ligjit nr. 98/2013 dhe ligjit nr. 8499/1999 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës "Për transferimin e të dënuarve"”, neni 11/d. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/162_00_2022_611_9814.doc .

Në vendimin nr.615(166) datë 14.06.2022, KPGJL arsyeton në themel se referuar nenit 560 të Kodit Civil, hipoteka është e drejtë reale që vihet mbi pasuritë e debitorit ose një të treti, në dobi të kreditorit, për të siguruar përmbushjen e detyrimit. E drejta reale e garancisë i jep bankës titullin e palës në procesin e konfiskimit të pasurive, që janë vënë si kolateral, pasi ky proces mund të sjellë si pasojë kalimin përfundimisht të pasurisë në favor të shtetit, prandaj dhe mbrojtja duhet lejuar në këtë fazë. Ky ka qenë dallimi që në ndryshim nga seanca e vendosjes së masës së sekuestros gjatë konfiskimit personat e tretë thirren. Edhe në rast të vendosjes së konfiskimit nga gjykata, të drejtat e hipotekës ruhen pavarësisht se ndryshon pronësia nga pronari subjekt tek shteti. Banka ka detyrimin për të marrë informacione nëse ndaj debitorit ka filluar ndjekja penale, pasi këtu ndahet qenia në mirëbesim apo në keqbesim e saj. Kjo duhet të provohet në gjykim ku merr pjesë edhe banka. Për të lexuar vendimin e plotë vizitoni linkun: /web/166_00_2022_615_9815.doc .

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë

Mars 2022

Në vendimin nr.00-2022-905(89), datë 17.03.2022, për çështjen civile me objekt detyrimin për të paguar dëmin pasuror në formën e shpenzimeve për përkujdesje, si dhe shpenzimeve të tjera spitalore e farmaceutike, KCGJL ka vlerësuar rekursin e paraqitur nga Avokatura e Shtetit, duke evidentuar faktin se, jo pa qëllim ligji ka përcaktuar një afat për paraqitjen e rekursit kundër vendimit që kërkohet të kundërshtohet, në mënyrë që palët të realizojnë të drejtat e tyre procedurale, si dhe ka argumentuar mbi “efektin devolutiv të ankimit”. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/89_00_2022_905_9487.doc .

Prill 2022

Në vendimin nr.00-2022-1539(121), datë 07.04.2022, për çështjen civile në të cilën kundërshtohen veprimet e përmbaruesit gjyqësor dhe kërkohet pavlefshmëria e titullit ekzekutiv, KCGJL ka argumentuar gjatë vlerësimit se, si trajtohen veprimet e kryera nga përfaqësuesi në raport me shoqërinë tregtare. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/121_00_2022_1539_9934.doc .

Në vendimin nr.00-2022-704, datë 11.04.2022, të dhënë për çështjen civile në të cilën është kërkuar detyrimi i njohjes së trashëgimtarit testamentar dhe njohja pronar, KCGJL ka argumentuar mbi legjitimitetin e palëve në një proces, ku është thirrur si palë institucioni i kadastrës (Agjencia Shtetërore e Kadastrës apo ish Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme), si dhe pasojën juridike që passjell ky veprim.  Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/00_2022_704_9310.doc .

Në vendimin nr.00-2022-1381(165), datë 29.04.2022, për çështjen civile me objekt lirim dhe dorëzim sendi, si dhe pagim të qirasë si dëmshpërblim për përdorimin e sendit, KCGJL ka vlerësuar pozitën e bashkëpronarit paditës ndaj bashkëpronarëve të tjerë, kundrejt zotëruesit të sendit të përbashkët. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/165_00_2022_1381_9864.doc .

Maj 2022

Në vendimin nr.00-2022-983(170), datë 04.05.2022, për çështjen civile me objekt begatimin pa shkak, si dhe detyrimin për të kthyer shumën si vlerë e kryerjes së punimeve shtesë, KCGJL ka arsyetuar lidhur me çështjet e mëposhtme si: kontratat publike administrative sipas ligjit “Për prokurimin publik”, (quasi) kuazikontratat administrative sipas doktrinës juridike, si padia e begatimit pa shkak, tre situata të kuazikontratave administrative që kategorizohen si begatim pa shkak i organit publik. Në këtë vendim KCGJL vendos nëse mosmarrëveshjet që rrjedhin prej këtyre kuazikontratave përbëjnë lëndë gjykimi për gjykatat civile apo administrative. Pas arsyetimit të vendimit konkludohet se, cila gjykatë ka kompetencën lëndore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lindin si rrjedhojë e ndërhyrjes së paligjshme apo si rrjedhojë e mosveprimit të organit publik. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/170_00_2022_983_9699.doc .

Në vendimin nr.00-2022-951, datë 04.05.2022, të dhënë për kërkesën për rishikim të vendimit gjyqësor të formës së prerë të njërës prej gjykatave të rrethit, KCGJL ka vlerësuar se, në kushtet e ometimit legjislativ gjykata do t’i jepte të njëjtën zgjidhje çështjes së veprimit të ligjit procedural në kohë, bazuar në parimet e përgjithshme të së drejtës dhe nëpërmjet teknikës së interpretimit me analogji, duke gjetur në rendin juridik ato dispozita të zbatueshme që rregullojnë situata të ngjashme. Për më tepër, është argumentuar momenti determinant i veprimit të ligjit procedural, që atribuon juridiksion dhe kompetencë. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun:  /web/00_2022_951_k_9628.doc .

Në vendimin nr.00-2022-964(169), datë 04.05.2022, për ankimin e veçantë të ushtruar ndaj vendimit të ndërmjetëm të gjykatës së rrethit gjyqësor, që ka nxjerrë jashtë juridiksionit kërkesën civile me objekt vërtetimin gjyqësor të faktit juridik të njohjes së kohës së punësimit,  KCGJL ka argumentuar në lidhje me përcaktimin me ligj të prezumimit, që ka si bazë detyrimin e çdo pjesëtari të ish-kooperativës bujqësore për të punuar sipas legjislacionit të kohës, si dhe ka konkluduar mbi trajtimin e marrëdhënieve të tilla të punës. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/169_00_2022_964_j_9698.doc .

Në vendimin nr.00-2022-95, datë 11.05.2022, për çështjen civile ku shtrohet për zgjidhje mosmarrëveshja e kompetencës, KCGJL ka vlerësuar se, themeli i mosmarrëveshjes mes ndërgjyqësve është përcaktimi i pronarit të një apartamenti dhe kërkimi qëndron tek deklarimi i falsitetit të akteve shkresore, prej të cilit do të zgjidhen pasojat si deklarimi i pavlefshëm i titullit të pronësisë (leje legalizimi). Duke risjellë në vëmendje vendimin njësues nr. 5, datë 30.10.2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, KCGJL ka qartësuar se si do të trajtohet një mosmarrëveshje në drejtim të kompetencës, kur lidhet me kërkime mbi aktet zyrtare dhe njohjen e pronësisë me legalizim. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/00_2022_950_k_9627.doc .

Në vendimin nr.00-2022-1570(180), datë 23.05.2022, për çështjen civile në të cilën është kërkuar anulimi i vendimit të Komisionit të Ndarjes së Tokës, KCGJL ka evidentuar detyrimin për njoftimin e Avokaturës së Shtetit për të marrë pjesë në proces, si dhe ka rikujtuar disa qëndrime të konsoliduara për çështje ku shqyrtohet mbrojtja e pronave shtetërore. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/180_00_2022_1570_10029.doc .

Në vendimin nr.00-2022-1123, datë 30.05.2022, të dhënë për çështjen civile ku trajtohet detyrimi për shlyrjen e pagesave të kontratave për specializime afatgjatë, KCGJL ka vlerësuar klauzolat e kontratës që i japin epërsi palës shtet në të drejta apo që i atribuojnë personit publik një pozicion superioriteti në raport me palën tjetër. Në këtë kuptim, KCGJL ka përcaktuar edhe regjimin juridik të detyrimeve dhe rregullave të parashikuara në legjislacionin konkret për specializime afatgjate në fushën e mjekësisë. Për të lexuar të plotë vendimin, vizito linkun: /web/00_2022_1123k_9937.doc .

3. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë

Në datat 13 - 14 qershor 2022 Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe partnerët ndërkombëtare (Universiteti i Oslos, Norvegji dhe Universiteti Mykolas Romeris, Lituani) në kuadër të një projektit të financuar nga fondet e Bashkimit Evropian “Portreti i një gjyqtari”, organizuan në Tiranë konferencën ndërkombëtare me temë: "Modeli i përzgjedhjes, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve: Cilat kompetenca dhe aftësi kanë rëndësi? Praktikat dhe tendencat më të mira.". Në këtë konferencë u diskutua mbi sistemet e ndryshme të karrierës gjyqësore, sfidat, praktikat dhe metodat e avancuara ndërkombëtare në këtë drejtim, si edhe çështje që lidhen me pritshmëritë e publikut për gjyqtarët si profesionistë dhe individë të shoqërisë.

Në datën 17 qershor 2022, me iniciativën e Gjykatës së Lartë dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës, në Shkodër, u organizua takimi rajonal me temë "Harmonizimi i praktikës gjyqësore". Në këtë aktivitet morën pjesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit Shkodër, Lezhë, Mat, Kurbin dhe Krujë, si dhe anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjatë takimit u prezantua praktika më e fundit e vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, e përmbledhur në një botim të veçantë. Aktiviteti u zhvillua dhe financua nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Në datën 20 qershor 2022 Gjykata e Lartë ka mirëpritur tre anëtarë të tjerë: Sokol Ngresi, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri. Në ceremoninë e mirëseardhjes morën pjesë Kryetarja dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës. Pasi uroi për detyrën anëtarët e rinj, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sadushi vlerësoi angazhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të sjellë gjyqtarët më të mirë dhe në një kohë sa më të shpejtë në Gjykatën e Lartë.

Në datat 28 - 29 qershor 2022 një delegacion i përbërë nga gjyqtarë të Gjykatës së Lartë vizituan Gjykatën Federale Administrative gjermane, Gjykatën Kushtetuese të Landit të Berlinit, si dhe Gjykatën e Lartë të Landit Berlin. Takimi u zhvillua në funksion të shkëmbimit të eksperiencave profesionale mes gjyqtarëve gjermanë dhe shqiptarë, me mbështetjen e Fondacioni për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ).

4. Statistika

Vendime të dhëna nga Gjykata e Lartë për periudhën janar – qershor 2022

Kolegji Administrativ ka dhënë 965 vendime, nga të cilat 892 janë vendime themeli, 36 kompetence/juridiksioni, si dhe 37 pezullim ekzekutimi/revokim pezullimi/afati të arsyeshëm.

Kolegji Civil ka dhënë 777 vendime, nga të cilat 690 janë vendime themeli, 27 kompetence/juridiksioni, si dhe 60 pezullim ekzekutimi/revokim pezullim/afati të arsyeshëm.

Kolegji Penal ka dhënë 798 vendime, nga të cilat 762 janë vendime themeli, 28 kompetence/kërkesa të veçanta, si dhe 8 pezullim ekzekutimi.

Në total janë dhënë 2540 vendime gjyqësore.

Për periudhën prill 2020 - qershor 2022 janë dhënë 8125 vendime gjyqësore.

Çështje të depozituara në Gjykatën e Lartë gjatë periudhës janar – qershor 2022

Çështje administrative 194

Çështje civile 409

Çështje penale 468

Në total çështje të regjistruara 1071

Në total numri i çështjeve të mbetura për t`u gjykuar në Gjykatë është 34 507.

5. Udhëzimi i Këshillit të Ministrave për tërheqjen e rekurseve të depozituara nga administrata shtetërore

Këshilli i Ministrave ka nxjerrë udhëzimin nr. 1, datë 26.05.2022 “Për përcaktimin e rregullave për heqjen dorë nga rekurset e depozituara nga administrata shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të pashqyrtuara nga Gjykata e Lartë, për disa çështje me natyrë civile dhe administrative”. Udhëzimi është botuar në fletoren zyrtare nr. 81, datë 31.05.2022 dhe përcakton rregullat e procedurat që duhet të ndiqen për heqjen dorë nga rekurset e depozituara nga institucionet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Akti nënligjor detajon llojet e çështjeve ku duhet të tërhiqen rekurset, pasi të jenë dhënë arsyet përkatëse të heqjes dorë prej tyre, si dhe rolin aktiv të Avokaturës së Shtetit. Zbatimi në praktikë i këtij udhëzimi pritet të sjellë ulje të numrit të çështjeve që presin për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Për të parë përmbajtjen e udhëzimit aksesoni faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare www.qbz.gov.al .

6. Formati i rekursit në Gjykatën e Lartë

Përmes këtij buletini rikujtojmë dhe këshillojmë përdoruesit e Gjykatës së Lartë që të përdorin modelin/formatin e miratuar të rekursit, që gjendet në linkun: https://www.gjykataelarte.gov.al/web/format_rekursi_5207.doc .

Theksojmë se, Gjykata e Lartë do të përdorë në vijim formatin e vendimit për mospranimin e rekurseve haptazi të pabazuara, që nuk përmbajnë shkaqet për rekurs sipas legjislacionit të zbatueshëm në fuqi dhe nuk janë depozituar sipas formatit të mësipërm.

7. Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)

Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që dëshiron të vizitojë institucionin, duke afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (Emër, mbiemër, email dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Si rezultat i “Gjykatës së hapur” janë realizuar dy vizita, më datë 24 prill 2022 nga studentët e universitetit jopublik “Kolegji Universitar “Qiriazi” dhe më datë 10 maj 2022 nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës. Aplikoni duke vizituar linkun: /web/Akreditim_9953_1.php

Kontakto

Tel.: +355 4 2257304;

Fax: +355 (4) 228837;

Email: supremecourt@gjykataelarte.gov.gov.al ;

Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte