1. Fjala hyrëse për promovimin e buletinit informativ elektronik (newsletter)
Të dashur lexues,
Është kënaqësi e madhe që t`ju dërgoj për herë të parë buletinin informativ (newsletter) të Gjykatës së Lartë përmes abonimit elektronik (subscribe). Ky buletin përbën një risi për institucionin dhe ka si qëllim informimin e çdo praktikanti të së drejtës apo të interesuari për veprimtarinë vendimmarrëse të Gjykatës së Lartë, duke sjellë jurisprudencën e kolegjeve të saj në kohë sa më të shpejtë.
Buletini synon që të garantojë transparencën dhe të rrisë aksesin në Gjykatën e Lartë, si një nga parimet më të rëndësishme dhe thelbësore të administrimit të drejtësisë. Përmes tij, publiku do të njihet me çdo vendimmarrje të rëndësishme të saj.
Duke shpresuar se buletini do të afrojë zërin e gjykatës pranë qytetarit, ju uroj lexim të këndshëm.
2. Përbërja e Gjykatës së Lartë
Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë. Aktualisht, në Gjykatë janë të emëruar 12 gjyqtarë dhe ushtrojnë detyrën 11 prej tyre.
1) Z. Sokol Sadushi është zëvëndëskryetar i Gjykatës së Lartë. Ai u lind më 27 korrik 1963. Në vitin 1986 përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Z. Sadushi ka ushtruar profesionin e juristit, avokatit, pedagogut, rektorit të universitetit, drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, prokurorit dhe gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Z. Sadushi është autor i shumë punimeve dhe artikujve juridikë. Me dekretin nr.11452, datë 11.03.2020 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
2) Z. Ervin Pupe u lind më 21 Shkurt 1973. Ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në vitin 1995, në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Z. Pupe ka ushtruar detyra të ndryshme gjatë karrierës së tij, si jurist, pedagog, avokat, ekspert ligjor pranë Shkollës së Magjistraturës, drejtor i Shkollës së Avokatisë, etj. Z. Pupe është autor i disa leksioneve në fushën e së drejtës civile, kontraktore, etj. Me dekretin nr.11453, datë 11.03.2020 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
3) Z. Ilir Panda ka lindur në 8 gusht 1962. Z. Panda është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986. Ka punuar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, pedagog në Shkollën e Magjistraturës, Ministër i Drejtësisë, zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj. Ka qenë pjesëmarrës në disa grupe për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, komentarëve, manualeve, etj. Me dekretin nr. 11454, datë 11 mars 2020 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
4) Z. Sokol Binaj u lind më 19 janar 1961. Në vitin 1985 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Z. Binaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Rrethit Gjyqësor Tiranë, shefit të Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshme, gjyqtarit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Z. Binaj ka qenë ekspert në disa trajnime të rëndësishme për të drejtën penale dhe procedurën penale. Me dekretin nr. 12030, datë 19 mars 2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
5) Znj. Albana Boksi u lind më 7 tetor 1974. Në vitin 1997 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001. Znj. Boksi ka ushtruar detyrën si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, si dhe në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Po kështu, është angazhuar edhe si pedagoge në Shkollën e Magjistraturës. Me dekretin nr. 12031, datë 19 mars 2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Lartë.
6) Z. Sandër Simoni u lind më 4 shkurt 1974. Z. Simoni ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Ai ka punuar si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, si Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe si Kryetar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe si pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Me dekretin nr. 12032, datë 19 mars 2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
7) Z. Artur Kalaja u lind më 20 prill 1960. Z. Kalaja ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1996 dhe studimet pranë Shkollës së Magjistraturës në vitin 2001. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit, ka shërbyer si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës, si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Apelit Tiranë. Me dekretin nr. 13173, datë 26.07.2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
8) Z. Asim Vokshi ka lindur më 20 prill 1981. Z. Vokshi ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranë në vitin 2003 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006. Z. Vokshi ka ushtruar detyrën si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Apelit Tiranë, edhe si pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe pranë Shkollës së Magjistraturës. Ai është autor dhe bashkautor i disa studimeve dhe botimeve në fushën e procedurës civile. Me dekretin nr. 13188, datë 29.07.2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
9) Z. Medi Bici ka lindur në Durrës. Në vitin 1994 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Z. Bici ka një karrierë prej më shumë se 25 vjetësh në sistemin e drejtësisë. Ai ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit dhe gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Me dekretin nr. 6579, datë 25.05.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Po kështu, z. Bici ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor për një mandat tre vjeçar, në përfundim të së cilit është rikthyer për të vijuar detyrën si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
10) Znj. Arbena Ahmeti ka lindur në 20 nëntor 1980. Znj. Ahmeti ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2003 dhe studimet në Shkollën e Magjistraturës. Znj. Ahmeti ka ushtruar detyrën fillimisht si juriste në Bashkinë Tiranë dhe më pas si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, si dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Gjithashtu, znj. Ahmeti është angazhuar si eksperte në Shkollën e Magjistraturës. Me dekretin me nr. 13477, datë 16.02.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Lartë.
11) Z. Gentian Medja u lind në 28 maj 1978. Në vitin 2001 ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005. Z. Medja ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e më pas si kryetar i saj. Gjithashtu, ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe institucione të tjera të arsimit të lartë, dhe si ekspert në Shkollën e Magjistraturës. Me dekretin nr. 13497, datë 07.03.2022 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
12) Z. Klodian Kurushi u lind më 24 tetor 1975. Z. Kurushi ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1998 dhe në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001. Gjatë karrierës ka ushtruar detyrën si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e së fundi edhe detyrën e zëvëndëskryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Z. Kurushi është autor i disa publikimeve në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Me dekretin nr. 12033, datë 19 mars 2021 të Presidentit të Republikës është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Lartë, detyrë nga e cila është pezulluar për shkak të emërimit si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
3. Jurisprudencë e përzgjedhur
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
Nëntor 2021
Në vendimin nr.00–2021-1895, datë 25.11.2021, ku kërkohet përcaktimi i juridiksionit, për çështjen me objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë dhe detyrimin e lidhjes së pensionit invalid i grupit të parë, KAGJL-ja shprehet se, gjen zbatim vendimi njësues nr. 00-2021- 1317(113), datë 22.07.2021 i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, që ka arritur në përfundimin njësues se, neni 39/1, pika 3, i ligjit nr. 7703/1993, të ndryshuar, në pjesën ku parashikon se vendimet e KMCAP Epror janë të formës së prerë, vjen në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen “Dauti kundër Shqipërisë”. Për rrjedhojë, kjo dispozitë mbetet e pazbatueshme, për aq sa rregullimi ligjor për KMCAP nuk arrin të plotësojë kushtet e një organi quasi gjyqësor. Në rastet ku kundërshtohet një vendim i KMCAP Epror, sipas këtij ligji, do të zbatohet drejtpërdrejtë ky vendim i GJEDNJ-së dhe dispozitat kushtetuese dhe ligjore të përgjithshme që garantojnë kontrollin gjyqësor mbi aktin administrativ. Kolegji, nisur nga sa parashtrohet më sipër, vlerëson se çdo vendim i marrë nga KMCAP Epror, nuk është i formës së prerë në kuptim të ligjit dhe nuk i nënshtrohet kufizimit të qasjes në gjykatë. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1895_7263.doc.
Në vendimin nr.00–2021–1634, datë 04.11.2021, ku parashtrohet zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës midis gjykatës administrative të shkallës së parë dhe gjykatës së rrethit gjyqësor, për padinë me objekt pavlefshmërinë e veprimit për ndërprerjen e kontratës, KAGJL shprehet se, çështja duhet të gjykohet nga ana e gjykatës së rrethit gyqësor dhe jo nga gjykata administrative e shkallës së parë. KAGJL thekson se, shkresa që kundërshtohet nga pala paditëse si absolutisht e pavlefshme përbën një pretendim të palës së paditur për zgjidhjen në mënyrë të njëanshme të kontratës së shitblerjes, në kushtet kur ajo pretendohet se ka lidhje me problematikat tregtare, për të cilat është marrë masa e sigurimit të padisë. Në nenin 20 të kontratës së lidhur midis palëve është përcaktuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë si gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. KAGJL ka konkluduar se, dy janë kriteret bazë që ndihmojnë në identifikimin e kontratës administrative në dallim nga kontrata civile. Njëri është kriteri organik, që kërkon praninë e një organi publik në kontratë dhe, tjetri është kriteri material, që ka të bëjë me ekzistencën e marrëdhënieve juridike në fushën e së drejtës publike. E rëndësishme për t`u plotësuar kriteri organik në një kontratë administrative është se kërkohet në radhë të parë, që personi i së drejtës publike të veprojë në përmbushjen e funksioneve të tij administrative/publike. Rezulton se ky kriter nuk potësohet në këtë mosmarrëveshje dhe për pasojë çështja i përket juridiksionit gjyqësor civil. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1634_kompetence_7058.doc.
Në vendimin nr.00-2021-1762, datë 15.11.2021, me objekt përcaktimin e kompetencës së gjykatës që do të shqyrtojë kërkesën për rivendosje në afat lidhur me afatin e rekursit në Gjykatën e Lartë, KAGJL ka sqaruar se, kërkesa për rivendosje në afat bëhet përpara gjykatës që ka dhënë vendimin. Kjo terminologji e përdorur në ligj, ka qenë objekt kontrolli incidental nga Gjykata Kushtetuese, referuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për të cilën u dha vendimi nr.22, datë 11.04.2016 dhe ndër të tjera u vlerësua se, togfjalëshi “gjykata që ka dhënë vendimin” duhet kuptuar, gjykata që ka shpallur vendimin, ndaj të cilit palët nuk kanë mundur të ushtrojnë ankim brenda afatit ligjor. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1762_7090.doc.
Në vendimin nr. 00–2021-1938(243), datë 22.11.2021, me objekt padie shfuqizimin e aktit normativ, vendimit të Këshillit Bashkiak, KAGJL shprehet se, individi nuk mund të kundërshtojë aktin normativ nënligjor drejtpërdrejtë në gjykatën e apelit, por duhet të ngrejë pretendimet e tij në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe pretendimet sa i takon paligjshmërisë së aktit nënligjor mund të parashtrohen përmes zbatimit të gjykimit incidental, të parashikuar nga neni 38 i ligjit nr. 49/2012, të ndryshuar. Kolegji vlerëson se ligji është zbatuar dhe interpretuar gabim nga Gjykata Administrative e Apelit, pasi pala paditëse nuk ka provuar legjitimitetin për të drejtën që i është cenuar dhe nëse akti normativ objekt gjykimi është drejtpërdrejtë i zbatueshëm ndaj tij, pa qenë nevoja e nxjerrjes së ndonjë akti individual konkret. Në rastin në shqyrtim, pala paditëse nuk ishte në gjendje të provonte para Gjykatës Administrative të Apelit se cili është interesi i saj konkret që preket nga ky akt normativ dhe cili është dëmi real që i është shkaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/243_00_2021_1938_7432.doc.
Në vendimin nr.00-2021-1768(251), datë 23.11.2021, me objekt pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv, KAGJL ka vlerësuar se, afati i parashkrimit për kundërshtimin e vlefshmërisë së titullit ekzekutiv, nuk fillon as nga koha e identifikimit të debitorit me vendimin e shoqërisë, as nga koha e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit mbi titullin ekzekutiv dhe as nga momenti i fillimit të ekzekutimit të detyrueshëm të titullit. Afati i posaçëm 10 ditor, sipas nenit 6 të ligjit 8471/1999, nis nga dita kur debitori merr dijeni për ekzistencën e titullit ekzekutiv, moment ky i cili prezumon dijeninë efektive pas publikimeve në dy gazetat kombëtare, përsa kohë nuk është arritur të provohet e kundërta. Shkaku ligjor i padisë së pavlefshmërisë së titullit ekzekutiv sipas nenit 609 të Kodit të Procedurës Civile, qëndron në të drejtën e debitorit, për t’u çliruar nga një detyrim, i cili rrjedh nga titulli ekzekutiv, për shkak të mospërputhjes ndërmjet realitetit që përfaqëson titulli ekzekutiv, me realitetin që ekziston efektivisht, kur e drejta e kreditorit nuk ka ekzistuar si e tillë që në origjinë, ose për fakte shuese të ngjara pas formimit të titullit. (…) Kolegji vlerëson se prezumimi i vërtetësisë së një fakti që sjell lindjen e të drejtave dhe detyrimeve civile, që ka rezultuar në përmbajtjen e një vendimi penal, gjatë një procesi gjyqësor penal të pavarur, nuk mund të ketë efekt detyrues dhe as të prezumojë ekzistencën e faktit, për efekte të një procesi tjetër gjyqësor civil. Interpretimi a contrario, sikurse ka ndodhur në rastin konkret, përbën shkelje të rëndë të ligjit, e cila dukshëm ka ndikuar në dhënien e vendimit përfundimtar. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/251_00_2021_1768_7089.doc.
Në vendimin nr.00–2021–1816(216), datë 04.11.2021, me objekt ndryshimin e aktit administrativ dhe njohjen e gradës policore, KAGJL është shprehur se, fitimi i gradës policore realizohet përmes një procedure administrative që kalon nëpër disa faza dhe kuadrohet nga detyrimi i kandidatëve për plotësimin e një sërë kriteresh formale. Detyrimet në këtë kuadër përfshijnë: Punonjësi i policisë duhet të plotësojë kushtin e vjetërsisë në gradë. Ngritja në gradë realizohet vetëm për të plotësuar vendet e lira që ka sistemi i policisë për çdo gradë, dhe për këtë arsye, ngritja në gradë sjell ngritjen në detyrë. Ngritja në gradë kërkon kalimin me sukses të procesit të vlerësimit konkurrues. Në vijim, punonjësit duhet të ndjekin kursin e trajnimit përkatës për gradë. Gjithashtu vlerësohet se këto faza duhet të paraprihen nga ekzistenca e vendeve vakante për funksionet takuese, të cilat i korrespondojnë gradës, për të cilën zhvillohet konkurrimi. Ky proces formësohet nëpërmjet ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit të organit publik, në drejtim të çeljes dhe administrimit tërësor të procedurave konkurruese. Kolegji konkludon se, me vendimin njësues nr. 102, datë 15.07.2021 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë është arritur në përfundim njësues se “Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “Nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërish procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/216_00_2021_1816_7167.doc.
Në vendimin nr.00–2021–1785(225), datë 15.11.2021, me objekt shfuqizim akti administrativ për gjobë dhe heqje e lejes së drejtimit të mjetit, KAGJL ka sqaruar se, në këtë rast merr rëndësi analiza mbi natyrën që ka dënimi administrativ, pezullimi i lejes së drejtimit të automjetit. (...) Fakti që masa e dënimit administrativ me gjobë nuk e tejkalon kufizimin minimal të përcaktuar në nenin 45 të ligjit të sipërcituar, nuk prezumon apriori shtrirjen e këtij kufizimi edhe për të drejtën e ankimit ndaj dënimit të pezullimit të lejes së drejtimit. Të dy këto dënime qëndrojnë të pavarur nga njëri tjetri, pikërisht për shkak të natyrës së ndryshme që kanë, por edhe të pasojave që sjellin, të cilat nuk janë të njëjta. Për subjektin e ndëshkuar, masa administrative e pezullimit të lejes së drejtimit të automjetit mund të vlerësohet më e rëndë sesa ajo e dënimit me gjobë. Në këtë aspekt, nisur nga shkalla e ashpërsisë që mund të paraqesë ky lloj dënimi, për çdo rast konkret, nuk mund t’i ndalohet subjektit e drejta themelore e ankimit gjyqësor. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/225_00_2021_1785_7083.doc.
Në vendimin nr.00–2021–2064(248), datë 23.11.2021, me objekt pavlefshmëri absolute e aktit administrativ, KAGJL ka vlerësuar se, përfitimi nga pala paditëse, prej tarifës doganore favorizuese 0 (zero) lekë, për deklaratat doganore të korrik–tetor 2011, bazuar në Marrëveshjen CEFTA, është në kundërshtim me ligjin, konkretisht Kodin Doganor, ku çdo subjekt juridik apo individ ka detyrimin të paguajë detyrimet doganore për mallrat e importuar. Në vijim të këtij argumenti, protokolli shtesë i CEFTA-s është nënshkruar në Bruksel, më datë 11 shkurt 2011, por do të hynte në fuqi dhe fillonte nga zbatimi nga data 13 nëntor 2011. Kolegji çmon se, vendimi nr. 6368, datë 24.10.2011 i Degës së Doganës Tiranë, me anë të cilit detyrohet pala paditëse Shoqëria "B.B.D." sh.p.k, për pagimin e detyrimit doganor në shumën 2.809.708 lekë, është marrë në zbatim të ligjit dhe nuk përmban element të pavlefshmërisë absolute, të përcaktuara në nenin 116 të K.P.A. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/248_00_2021_2064_7550.doc.
Dhjetor 2021
Në vendimin nr.00–2021–1906, datë 06.12.2021, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, KAGJL ka sqaruar se, kërkesa për kryerjen e veprimeve të posaçme në fazën e ekzekutimit i paraqitet gjyqtarit apo kryetarit të trupit gjykues, i cili ka dhënë vendimin, si dhe shqyrtohet në dhomë këshillimi. Pra, kjo dispozitë nuk kërkon të investojë të gjithë trupën gjykuese për shqyrtimin e saj, por i paraqitet vetëm kryetarit të trupit gjykues/relatorit, që ka dhënë vendimin, që merr masat e nevojshme në lidhje me ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1906_7260.doc.
Në vendimin nr.00-2021- 2049(260), datë 02.12.2021, me objekt padie përmbushjen e detyrimit kontraktor dhe objekt kundërpadie pavlefshmëri kontrate, KAGJL ka çmuar se, për rastet që kushti penal parashikohet për të riparuar pozitën pasurore të kreditorit dhe/ose nxitjen e debitorit për të përmbushur në rregull detyrimin, ai ka funksionin e një marrëveshje ndëshkimore-gjobë (stipulatio poenae) dhe në këtë rast, debitori, krahas ekzekutimit të detyrimit, duhet të paguajë kushtin penal, si dhe dëmet e shkaktuara kreditorit, duke u kërkuar këto në mënyrë kumulative. Kur kushti penal që fiksohet në kontratë sipas llogaritjeve paraprake të dëmit të mundshëm, që mund të vijë nga mospërmbushja e detyrimit apo mospërmbushja në mënyrën e duhur dhe i paracaktuar në një masë të vlerësueshme, quhet kusht penal vlerësues. Kushti penal gjobor nuk i nënshtrohet afatit të parashkrimit 6 mujor, ndërsa i kushti penal vlerësues po. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/260_00_2021_2049_7551.doc.
Janar 2022
Në vendimin nr.00–2022–25, datë 20.01.2022, me objekt shqyrtimin e çështjes së juridiksionit, Kolegji Administrativ vlerëson të sjellë në vëmendje institutin “perpetuatio iuridictionis”, sipas të cilit juridiksioni dhe kompetenca lëndore/funksionale e gjykatës për shqyrtimin e një çështjeje përcaktohet sipas ligjit të kohës kur paraqitet padia apo kur lind marrëdhënia juridike-procedurale. Çdo ndryshim i mëtejshëm i faktit apo i ligjit është jo relevant, për rrjedhojë, nuk mund të zhvendosë apo të ndryshojë gjyqtarin natyral të caktuar më parë për shqyrtimin e çështjes. Kolegji vlerëson se nën këtë parim u frymëzuan edhe ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile, të realizuara me ligjin nr. 38/2017, në nenin 36, pika 5. Sipas këtyre dispozitave “Juridiksioni përcaktohet në momentin e paraqitjes së padisë në gjykatë, pavarësisht ndryshimeve të mëpasshme të faktit apo të ligjit”. Në këto kushte, gjykata e shkallës së parë duhet të kishte vijuar me gjykimin e çështjes dhe jo të nxirrte çështjen jashtë juridiksionit. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2022_25_7682.doc.
Në vendimin nr.00-2022-20, datë 17.01.2022, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, KAGJL ka sqaruar se, në rastin kur ndodhemi përpara vërtetimit gjyqësor të fakteve që ndikojnë në përfitimin e të drejtës subjektive për marrjen e shtetësisë, ligji ka kanalizuar rrugën e kërkimit të së drejtës subjektive, përmes inicimit të një gjykimi gracioz, të parashikuar në nenin 388 të Kodit të Procedurës Civile dhe për rrjedhojë, edhe kompetencën lëndore të gjykatave të rretheve gjyqësore për shqyrtimin e këtij kërkimi. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2022_20_komp_7654.doc.
Në vendimin nr.00-2022-114(17), datë 31.01.2022, me objekt dëmshpërblim për shkak të zgjidhjes së paligjshme të marrëdhënies së punës, KAGJL ka sqaruar se, terminologjia “të paktën” në Kodin e Punës, synon të japë referencën e asaj që nuk mund të cënohet, apo përcaktimin se cili është standardi minimal i nevojshëm që punëdhënësi të mos konsiderohet në shkelje të detyrimeve të tij ligjore. Mbi këtë standard u takon palëve e drejta të rrisin nivelin e përfitimeve dhe gjykata nuk mund të ndërhyjë në këtë çështje, pasi ligji nuk e ka lënë në vlerësimin e saj rritjen e standardit, por në vullnetin e palëve, të cilat negociojnë me njëra-tjetrën sipas parimeve dhe mënyrave të organizimit të marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës. Gjykata e shkallës së parë dhe më pas edhe ajo e apelit, nuk kanë arsyetuar se mbi ç’kritere i kanë njohur paditësit 42 muaj pagë, si vjetërsi shërbimi, kur ligji ka përcaktuar të paktën 15 ditë për çdo vit të plotë pune, pranë të njëjtit punëdhënës. Gjykatat nuk mund të kenë një kuptim fluid të masës së shpërblimit për vjetërsi në punë, pasi ajo për nga mënyra se si është konceptuar, nënkupton një pagesë që merret në përfundim të marrëdhënieve të punës të zgjidhura nga punëdhënësi e që synon të japë një mbrojtje shtesë për punëmarrësin. Si rregull, shpërblimi për vjetërsi në punë nuk mund të rritet sipas vlerësimit subjektiv të gjykatës, pasi e tillë është natyra e tij, ajo është 15 ditë për çdo vit të plotë pune (mbi tre vjet), përveç nëse palët konform vullnetit të tyre të lirë kontraktor, parashikojnë një standard më të lartë në kontratën kolektive apo individuale të punës. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/17_00_2022_114_8047.doc.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë
Nëntor 2021
Në vendimin nr.00-2021-857, datë 04.11.2021, me akuzë veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ku Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit, arsyetohet se, në rastin konkret objekt shqyrtimi, gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë arsyetuar dhe vlerësuar se, provat e administruara në dosje, në këtë moment të zhvillimit të hetimeve, janë të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se vepra penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, është kryer nga personi nën hetim që ka paraqitur rekurs. Në arritjen e këtij konkluzioni Gjykatat janë bazuar dhe në qëndrimin që kanë mbajtur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues penal nr. 7/2011, sipas të cilit: “...dyshimi i arsyeshëm, provat ku ai bazohet për të justifikuar caktimin dhe vijimin e zbatimit të masës së sigurimit, nuk nevojitet të ketë të njëjtën shkallë sigurie dhe vlerë provueshmërie për të konkluduar sikurse provat që janë të domosdoshme për dhënien ose jo të vendimit të dënimit ndaj të pandehurit. Mjafton që ato të jenë të tilla që, në gjendjen ku janë aktet e procedimit, prej tyre mund të nxirren përfundime se ndaj të hetuarit a të gjykuarit ekziston një shkallë e arsyeshme mundësie e fajësie për kryerjen e veprës penale në ngarkim të tij.”. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_857_7513.doc
Në vendimin nr.00-2021-945, datë 18.11.2021, KPLGJ në seancë gjyqësore vlerëson se, gjykata e apelit, nuk ka patur asnjë pengesë ligjore që të vendoste përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, me qëllim marrjen e një provë të re. Kolegji vëren se, pavarësisht se gjykimi i çështjes filloi dhe përfundoi në gjykatën e rrethit gjyqësor përmes gjykimit të shkurtuar, ky fakt në asnjë rast nuk përbën pengesë që gjykata që qëndron më lart në hierarkinë e sistemit gjyqësor, të disponojë për prishjen e vendimit, kur konstaton se është e domosdoshme që në zbatim të nenit 380 të K.Pr.Penale, të përsëritet shqyrtimi gjyqësor me qëllim dhënien e drejtësisë, bazuar vetëm mbi prova të administruara gjatë procesit. Kolegji citon se, ky qëndrim është ligjor, në interpretim të dispozitave përkatëse të K.Pr.Penale, si dhe vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 2, datë 29.01.2003, sipas të cilit, në rast se palët kanë pretendime lidhur me pavlefshmërinë e akteve, qofshin pavlefshmëri absolute apo relative, dhe kërkojnë konstatimin apo deklarimin e kësaj pavlefshmërie, gjykata revokon vendimin për gjykim të shkurtuar dhe urdhëron vazhdimin e procedimit me gjykim të zakonshëm, rregull i cili duhej të zbatohet nga vetë gjykata e apelit, pa i kthyer aktet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë. Kolegji konstaton se gjykimi në gjykatën e apelit është iniciuar me ankim vetëm të të pandehurit, i cili ka kërkuar caktimin e një dënimi alternativ. Për rrjedhojë, gjykata e apelit, gjatë rigjykimit të çështjes, duhet të mbajë në konsideratë mosrëndimin e pozitës së të pandehurit, si në lidhje me cilësimin juridik të veprës, ashtu dhe përsa i takon masës së dënimit që atij iu dha me vendim. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/99_00_2021_945_7623.doc.
Në vendimin njësues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr.61010-00587-2021i Regj. Themeltar, datë 01.11.2021, u sqarua çështja e ngritur për njësim: Cilës fazë procedurale i përket/i atashohet afati i kohëzgjatjes së paraburgimit të konsumuar prej të pandehurit? Në përmbajtje të tij KPLGJ është shprehur se, (1) Afati i paraburgimit që konsumohet gjatë seancës paraprake i takon fazës procedurale të hetimit paraprak kur, gjyqtari i seancës paraprake disponon për plotësimin e hetimeve, sipas nenit 332/c të K.Pr.Penale dhe për kthimin e akteve prokurorit për korrigjimin ose saktësimin e akuzës, sipas nenit 332/d, pika 3, të K.Pr.Penale. (2) Afati i paraburgimit që konsumohet gjatë gjykimit nga gjyqtari i seancës paraprake, i takon fazës procedurale të gjykimit, kur gjyqtari i seancës paraprake disponon për: a) pranimin e kërkesës së prokurorit dhe dërgimin e çështjes në gjyq; b) vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë, kur palët paraqesin marrëveshje mbi kushtet e fajësisë dhe caktimit të dënimit; c) vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë, kur i pandehuri ka kërkuar gjykim të shkurtuar; ç) për pushimin e akuzës ose të çështjes, apo deklarimin e moskompetencës dhe dërgimin e çështjes në gjykatën kompetente në rastet e parashikuara në ligi, sipas nenit 332/dh gërmat "ç" e "d", të Kodit të Procedurës Penale
Dhjetor 2021
Në vendimin nr.00–2021–978, datë 23.12.2021, në çështjen penale me objekt parashtrim i mosmarrëveshjes së kompetencës në lidhje me shuarjen e masës së sigurimit, Kolegji Penal thekson se, pavarësisht se në thelb kërkesa për shuarje mase sigurimi nuk është një kërkesë që i përket fazës së ekzekutimit të vendimit, pasi presupozohet shuarja automatike e saj me nisjen e ekzekutimit të vendimit, pra sapo vendimi i gjykatës ka fituar statusin e gjësë së gjykuar, përsa kohë që gjykata që ka gjykuar çështjen në themel nuk mund të investohet më, sepse procedimi penal është në fazën terminale të tij, atë të ekzekutimit, selia e vetme e prezantimit të kësaj kërkese do të jetë gjykata e ekzekutimit të vendimit (të denimit). Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_978_7728.doc.
Në vendimin nr.00-2021-944, datë 07.12.2021, në çështjen penale me objekt, parashtrim i mosmarrëveshjes së kompetencës, Kolegji Penal vendosi se, kur në vendimin “për ndryshim akuze”, prokuroria e posaçme përshkruan të njëjtin fakt (historik) si në kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq, por duke mos qenë dakord me cilësimin e këtij fakti të bërë nga prokuroria dhe gjykata e juridiksionit të përgjithshëm dhe thekson se cilësimi duhet të jetë vetëm sipas nenit 248 të Kodit Penal “shpërdorim detyre”, Kolegji çmon se në këtë rast nuk jemi para ndryshimit të akuzës, pasi fakti nuk rezulton ndryshe, dhe si rrjedhojë përcakton Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykatë kompetente për shqyrtimin e çështjes. Qëndrimi i mbajtur nga prokuroria e posaçme në këtë rast, nuk ka lidhje me akuzat e reja, por është një vlerësim/cilësim i ndryshëm juridik i faktit penal të atribuar të pandehurve. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_944_k_7817.doc.
Në vendimin nr.00-2021-1079, datë 28.12.2021, në çështjen penale me objekt, parashtrim i mosmarrëveshjes së kompetencës se cila do të konsiderohet gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosjen në afat, gjykata që ka dhënë vendimin ndaj të cilit është ushtruar ankim, apo gjykata që do të shqyrtojë ankimin për vendimin e themelit, Kolegji Penal mban qëndrimin se gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat është gjykata që ka dhënë vendimin ndaj të cilit ushtrohet ankimi, mbështetur edhe në vendimin unifikues nr.1, datë 19.6.2013, të Gjykatës së Lartë. Për çështjen në shqyrtim, kolegji mban parasysh përveç sa sipër dhe ndryshimet qe kanë pësuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale me ligjin nr. 35/2017. Neni 420/1 “Rivendosja në afatin e ankimit, në pikën “8” parashikon se: “Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 15 ditëve nga data e marrjes së akteve.”. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1079_8022.doc
Janar 2022
Në vendimin nr. 00-2022-63, datë 11.01.2022, me objekt mosmarrëveshje e kompetencës midis Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, KPGJL ka vlerësuar se, çështjet penale të tjera, që nuk përfshihen në nenin 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale, edhe ato të përfshira në nenin 135, pika 2, të Kushtetutës, nenet 8 dhe 9, të ligjit nr. 95/2016 dhe nenin 75/a, të ndryshuar, të Kodit të Procedurës Penale, janë në kompetencën lëndore të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apelit me juridiksion të përgjithshëm penal, deri në datën e krijimit të gjykatave të posaçme. Pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet në gjykim para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, do të përfundohen nga këto të fundit. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2022_63_k_8175.doc.
Në vendimin nr.00-2022-29, datë 27.01.2022, KPGJL ka zgjidhur në themel pretendimet e ngritura në rekurs nga prokuroria në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, për pjesën që ka vendosur ndryshimin e vendimit të gjykatës së faktit, që ka pranuar kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, duke mbajtur qëndrimin se: “Kur nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm procedohet me gjykim të shkurtuar, procedim në të cilin, duke qenë se gjykata merr në konsideratë vetëm dosjen e prokurorit, nuk ekziston mundësia e realizimit të së drejtës së mbrojtjes efektive nga i pandehuri, ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga ana e gjykatës, është në kundërshtim me qëllimin e këtij gjykimi”. Kjo gjë bazuar edhe në vendimin nr. 4/2012 të Gjykatës Kushtetuese, që çmon se, nëse gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, edhe në rastin kur procedohet me gjykim të shkurtuar, njësoj si në gjykimin e zakonshëm, do të mund të bëjnë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale dhe të dënojnë të pandehurin me një masë dënimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori, instituti do të humbiste çfarëdolloj justifikimi kushtetues, për arsye se i pandehuri, duke hequr dorë në mënyrë të vullnetshme nga disa parime kushtetuese, si parimi i barazisë së armëve dhe nga parimi i kontradiktoritetit, do të sakrifikonte të drejtat e tij kushtetuese, jo vetëm pa pasur asnjë lloj përfitimi, por edhe duke marrë një dënim më të lartë nga ai që priste. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/34_00_2022_29_8089.doc.
Në vendimin nr.00-2022–96, datë 13.01.2022, me objekt “humbjen e fuqisë së ekstradimit”, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbajti qëndrimin se, sipas interpretimit literal të nenit 499/4 të Kodit të Procedurës Penale, humbja e fuqisë së ekstradimit perfeksionohet në rastin kur kemi mosveprim nga ana e shtetit kërkues dhe jo kur ekstradimi nuk është realizuar për shkak se i kërkuari nuk gjendet. Gjykata e apelit në këtë rast duhet të verifikojë humbjen e fuqisë së aktit/titullit që ka iniciuar këtë procedurë ekstradimi. Për këtë është e nevojshme të verifikohet nëse vendimi i Gjykatës së Apelit Genova është dhënë në kuadër të të njëjtit proces të iniciuar ndaj kërkuesit, për të cilin është lëshuar masa e sigurimit që ka nisur këtë procedurë ekstradimi. Nëse po, është e nevojshme të verifikohet nëse ky vendim, sipas legjislacionit të Republikës së Italisë, është një vendim përfundimtar, apo kërkuesi vazhdon të ketë statusin e të pandehurit. Nëse do të ndodheshim përpara një vendimi përfundimtar të dhënë nga gjykatat italiane, atëherë ndryshon dhe objekti i kërkimit për ekstradim, pasi kërkesa e shtetit italian është bërë për të ekstraduar nga Shqipëria një shtetas shqiptar, i cili në vendin kërkues kishte statusin e të pandehurit dhe ndaj tij ishte caktuar një masë sigurimi, si ajo e “arrestit në burg”. Ndërsa nëse kërkohet ekstradimi për të vuajtur dënimin me burgim të dhënë me vendim të formës së prerë të gjykatës italiane, mund të kërkohet një kërkese të re, të cilën duhet ta iniciojë shteti kërkues, nëse ky i fundit ka interes për ta bërë një gjë të tillë. Këto verifikime jo vetëm që janë të domosdoshme, por duhet të bëhen në format e parashikuara nga Kodit i Procedurës Penale. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/7_00_2022_96_8295.doc.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
Nëntor 2021
Në vendimin nr.00-2021-1735 (128), datë 03.11.2021, në lidhje me ankimin e panënshkruar dhe të bërë nga një përfaqësues pa tagra, KCGJL vlerëson se, gjykata e apelit, përpara se të dispononte me vendim jopërfundimtar, duhet ta konstatonte ankimin me të meta dhe t`i linte mundësi ankuesit të rregullonte të metat formale dhe të konfirmonte vullnetin e tij (e metë e konvalidueshme). Ky qëndrim është mbajtur në kuadër të garantimit të së drejtës së ankimit dhe të drejtës së aksesit në gjykatë. Në raste të ngjashme me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese është shprehur se, kërkesa për nënshkrimin e rekursit nga vetë pala, avokati ose përfaqësuesi me prokurë është një element që përfshihet në kushtet që duhet të verifikojë sekretaria e gjykatës që ka dhënë vendimin e kundërshtuar, përpara se ajo të përcjellë zyrtarisht në sekretarinë e Gjykatës së Lartë dosjen përkatëse së bashku me dokumentet e tjera. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/128_00_2021_1735_7040.doc.
Në vendimin nr.00-2021-1857, datë 15.11.2021, me objekt rregullimin e kompetencës lëndore, bazuar në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, KCGJL vlerëson se, qëllimi i tij është përfundimi i procesit të trajtimit të pronës, nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të saj brenda një afati të arsyeshëm. Pavarësisht mënyrës së formulimit të kërkimit përfundimtar të paditësit, objekti i padisë përcaktohet duke e lexuar në tërësi tekstin e padisë dhe duke e vlerësuar në përputhje me pretendimet e palëve dhe qëllimit që synon të arrijë paditësi duke investuar gjykatën. Për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve midis subjekteve që pretendojnë të drejta se janë ish-pronarë dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronave, KCGJL thekson se, do të ushtrohet juridiksioni fillestar nga gjykata e apelit. Ndërsa kur mosmarrëveshja lidhet me vlerësimin apo kompensimin financiar, konkludohet se, nga pikëpamja lëndore/funksionale, do të jetë kompetente Gjykata Administrative e Apelit. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2021_1857_7212.doc.
Dhjetor 2021
Në vendimin nr.00-2021-2190(176), date 13.12.2021, me objekt pavërtetësi shkrese dhe padi njohje prone, KCGJL ka vlerësuar se, formulari i vetëdeklarimit përbën një shkresë të thjeshtë në kuptim të ligjit procedural dhe si i tillë, mund të goditet për pavërtetësi vetëm përsa i përket nënshkrimit dhe jo për përmbajtje. Shkresa e thjeshtë/private përbën provë të plotë për deklarimet që përmban, në qoftë se ato janë të atij që e ka nënshkruar, por nuk mund të ngrihet padi me objekt për pavërtetësi dokumenti sipas nenit 32/c të K.Pr.Civile, kur ajo përmban deklarime të njëanshme të personit. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/176_00_2021_2190_8187.doc.
Në vendimin nr.00-2021-2198(173), datë 13.12.2021, me padi kthimin e sendit dhe kundërpadi njohje pronësie, KCGJL ka sqaruar se, pala e paditur kundërpaditëse e ka poseduar qetësisht dhe në mënyrë të pandërprerë truallin objekt shqyrtimi, nga momenti që ai është blerë dhe deri në momentin që është ngritur padia objekt shqyrtimi. Veprimi juridik i shitjes rezulton të jetë i vlefshëm, pasi në kohën kur është kryer ky veprim, trashëgimtarët kanë qenë pronarë legjitim të pronës truall dhe nuk kishin mundësi të dinin se ky fakt do të ndryshonte në të ardhmen. Gjithashtu, ndërtesa mbi truallin objekt shqyrtimi rezulton që të jetë kryer në përputhshmëri më legjislacionin e kohës, duke e bërë të pamundur faktin që ai tu kthehet paditësve. Në vijim, mbështetur edhe në qëndrimin unifikues, KCGJL çmoi se, titulli i pronësisë mbi pasuri është fituar me parashkrim fitues sipas përcaktimeve të nenit 168 të Kodit Civil dhe pretendimet mund të ngrihen në formën e prapësimit dhe jo domosdoshmërish me kundërpadi. Për të përfituar kthimin e sendit, mund të kundërdrejtohen pretendimet për kompensim ndaj trashëgimtarëve. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/173_00_2021_2198_8153.doc.
Janar 2022
Në vendimin nr.00-2022-63(9), datë 12.01.2022, me objekt pjesëtim pasurie, KCGJL-ja ka saktësuar se, vendimi i fazës së parë të pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme në bashkëpronësi përbën një vendim gjyqësor sui generis sepse nuk ka thjesht karakter procedural, por përmes tij zgjidhen në themel dhe në mënyrë përfundimtare disa elementë të sendit që do t`ì nënshtrohet pjesëtimit. Pasi vendimi merr formë të prerë, gjykata zhvillon fazën e dytë të pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme në bashkëpronësi, ku duhet të hetojë mbi kërkimet dhe pretendimet e palëve gjatë gjykimit, si dhe të përcaktojë drejt rrethin e bashkëpronarëve dhe pjesët akuese ideale të secilit prej tyre. Në vendimin përfundimtar gjykata cakton pjesën e secilit bashkëpjesëtar. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/9_00_2022_63_7940.doc.
Në vendimin nr.00-2022-95(11), datë 17.01.2022, ku trajtohet titulli ekzekutiv, KCGJL vlerëson se, gjatë gjykimit të çështjes në themel, kriteri për ndarjen e kompetencës lëndore është natyra juridike e marrëdhënies që ka gjeneruar titullin ekzekutiv. Nëse është marrëdhënie juridike civile, atëherë edhe gjykimi mbi titullin ekzekutiv dhe ekzekutimin e detyrueshëm të tij, është në kompetencën lëndore të gjykatave civile. Nëse është marrëdhënie juridike administrative, atëherë edhe gjykimi mbi titullin ekzekutiv dhe gjykimet mbi ekzekutimin e detyrueshëm të tij, janë në kompetencën lëndore të gjykatave administrative. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/11_00_2022_95_8006.doc.
Në vendimin nr.00-2022-29, datë 19.01.2022, me objekt pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv (nenet 609-610 të KPC), KCGJL evidenton se, goditja e titullit ekzekutiv për pavlefshmëri bëhet me padi para gjykatës së vendit të ekzekutimit dhe jo me ankim kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor. Kjo është një padi që lidhet me themelin e çështjes dhe i përket një gjykimi të zakonshëm, e për pasojë edhe ankimi është i zakonshëm, pra duhet të ushtrohet brenda afatit 15 ditor. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: /web/00_2022_29_7780.doc.
Në vendimin nr.00-2022-179(36), datë 31.01.2022, me objekt pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv “kontratë”, KCGJL-ja ka vlerësuar se, ankimi i veçantë ushtrohet kundër vendimeve të ndërmjetme të gjykatës së shkallës së parë vetëm në ato raste kur ai është parashikuar shprehimisht. Për rastet e tjera, si mjet ankimi për goditjen e vendimeve të gjykatës së shkallës së parë ushtrohet ankimi, afati i të cilit është 15 ditor, pra zbatohet rregullimi i përgjithshëm. Gjithashtu, saktësohet se, ankimi i veçantë brenda 5 ditëve ushtrohet kundër vendimit të ndërmjetëm dhe jo atij përfundimtar të gjykatës që zgjidh në themel çështjen, pasi ndaj tij gjen zbatim afati i përgjithshëm i ankimit 15-ditor. Për të lexuar të plotë vendimin vizito linkun: http://gjykataelarte.gov.al/web/36_00_2022_179_8186.doc.
4. Një vit nga ndryshimet ligjore dhe formati i rekursit
Ka kaluar më pak se një vit nga ndryshimet e tre ligjeve procedurale të gjykimit, respektivisht Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, ligjit nr. 49/2012 “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, dhe roli i Gjykatës së Lartë në sistemin gjyqësor u rikonceptua, duke forcuar midis të tjerave natyrën e saj “si një gjykatë ligji”.
Si rezultat i këtyre ndryshimeve ligjore kemi tashmë një riorganizim të veprimtarisë gjyqësore të Gjykatës, sa i takon shqyrtimit të çështjeve dhe një përmirësimin të dukshëm të saj, në drejtim të përshpejtimit të gjykimeve, gjykimit racional të proceseve, evadimit të çështjeve, si dhe rritjes së vendimmarrjeve me të cilat është vendosur njësimi i praktikës gjyqësore.
Gjithashtu, rezulton se, me ndryshimet ligjore është mundësuar një filtrim më i mirë i çështjeve gjyqësore që duhet të gjykohen nga Gjykata e Lartë, që në fakt mbartin rëndësi të veçantë për sigurimin, zhvillimin dhe njësimin e praktikës gjyqësore.
Po kështu, ndryshimet kanë disiplinuar më mirë mjetin procedural të ankimit në këtë Gjykatë “Rekursin”, duke saktësuar dhe unifikuar shkaqet për rekurs, rastet kur ai mund të përdoret, dokumentacionin që duhet bashkëlidhur tij, si dhe elementët formalë të tij. Në këtë kuadër, me qëllim shmangien e rekurseve abuzive, atyre haptazi të pabazuar dhe atyre që nuk paraqesin ndonjë rëndësi për praktikën gjyqësore, ndryshimet ligjore reflektuan në brendi të tyre paraqitjen e rekursit nga pala rekursuese sipas formatit të konceptuar dhe miratuar nga Gjykata e Lartë. Ky format/model rekursi i është vendosur në dispozicion publikut përmes faqes zyrtare dhe është lehtësisht i aksesueshëm e i përdorshëm nga kushdo. Për t`a përdorur atë vizito linkun: /web/format_rekursi_5207.doc.
Megjithëse ndryshimet ligjore kanë sjellë thjeshtim dhe përmirësim të veprimtarisë gjyqësore të Gjykatës së Lartë, me keqardhje nuk mund të thuhet e njëjta gjë përsa i përket përdorimit të formatit të rekursit të miratuar. Pothuajse gjatë gjithë punës së tyre të përditshme, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, trupat gjykuese ndeshen me rekurse të depozituara jo sipas formatit të miratuar nga Gjykata e Lartë. Për më tepër, evidentohet se, një pjesë e mirë dhe e madhe e tyre nuk përmbajnë as shkaqet për rekurs sipas ligjeve procedurale në fuqi. Kjo gjë ka sjellë mbingarkesë sasiore të Gjykatës, duke mos i dhënë mundësinë asaj që të angazhohet sa duhet me çështje të zhvillimit dhe njësimit të praktikës gjyqësore.
Për sa më lart, do të inkurajonim përmes këtij buletini informativ elektronik përdorimin e modelit të miratuar të rekursit nga Gjykata e Lartë.
5. Pasqyrimi i aktiviteteve të Gjykatës së Lartë (takime, vizita zyrtare, konferenca)
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë z. Sokol Sadushi dhe Kryetari i Kolegjit Penal z. Ilir Panda janë takuar në datën 22.02.2022 me Ministrin Kroat të Drejtësisë dhe Administratës Publike z. Ivan Malenica, si dhe delegacionin që e shoqëronte. Të dyja palët garantuan bashkëpunimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies së mirë midis dy Gjykatave të Larta. Ministri Kroat i Drejtësisë dhe Administratës Publike z. Ivan Malenica ofroi mbështetjen e tij, për të bërë të mundur shfrytëzimin e programeve të ndryshme në ndihmë të gjyqësorit shqiptar, duke konfirmuar zhvillimin e vizitave zyrtare apo studimore të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me homologet e tyre kroatë.
Ndër të tjera aktivitete, vlen për t`u theksuar pagesa e kuotizacionit në vlerën prej 2,000 eurosh për AHJUCAF (Shoqatën e Gjykatave të Larta të vendeve Frankofone), ku Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë është anëtare prej disa vitesh. Me pagesën përkatëse, Gjykata shpreh interesin për të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillojë kjo organizatë gjatë vitit 2022.
Vijon bashkëpunimi i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë në Rrjetin e Gjykatave të Larta (Supreme Court Network), si një mekanizëm nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, për shkëmbimin e jurisprudencës dhe informacionit. Përmes këtij bashkëpunimi, Gjykata njihet me interpretimin krahasimor të gjykatave të tjera homologe dhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në datën 31.01.2022 Gjykata e Lartë publikoi njoftimin për rihapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në përfundim të mandatit të gjyqtarit z. Fatmir Hoxha. Në datën 04.03.2022 rezultoi që të kenë shprehur interesin pesë (5) kandidatë, znj. Brunilda Kadi, znj. Elsa Miha, znj. Holta Zaçaj, znj. Juliana Latifi dhe z. Sandër Beci.
Po kështu, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në prani të gjithë gjyqtarëve në detyrë, ka miratuar rregulloren e mbledhjes së posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 24 shkurt 2022. Rregullorja i hapi rrugën zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e martë më datë 15.03.2022, ora 13:00. Nga votimi në mbledhje, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh z. Sandër Beci.
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare dhe seminaret si vijon:
1) Më 20 janar 2022 – Ceremonia solemne e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe seminari i IV gjyqësor me temë: “Mekanizmat disiplinorë të zbatueshme për gjyqtarët”;
2) Më 25 shkurt 2022 – Seminari online i V i Rrjetit të Gjykatave të Larta të krijuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut me temë “GJEDNJ dhe të drejtat e fëmijës” (mbështetur nga drejtoria e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, Këshilli i Evropës).
6. Raporti vjetor i Gjykatës së Lartë
Në datën 4 mars 2022, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë paraqiti raportin vjetor për veprimtarinë e saj gjatë vitit 2021. Thelbi i këtij raporti ishte pasqyrimi i ecurisë së vendimmarrjes gjatë një viti mjaft dinamik sa i takon plotësimit të përbërjes së Gjykatës me gjyqtarë, këshilltarë ligjorë dhe staf ndihmës. Raporti vjetor përmban statistika, vendimet më të rëndësishme, të dhëna prej Gjykatës përgjatë vitit 2021, përmbledhje të veprimtarive administrative të strukturave organizative të Gjykatës, etj. Për më tepër informacion, vizito linkun:http://www.gjykataelarte.gov.al
7. Statistika
Në një vështrim të përgjithshëm të funksionimit të Gjykatës, rezultojnë këto statistika:
Vendime të dhëna nga Gjykata për periudhën tetor-dhjetor 2021
371 Kolegji Administrativ
342 Kolegji Civil
402 Kolegji Penal
Vendime të dhëna nga Gjykata për muajin janar 2022
109 Kolegji Administrativ
97 Kolegji Civil
154 Kolegji Penal
8. Pyetje të shpeshta të qytetarëve, për të cilat përgjigjet mund të gjenden në buletin
Në faqen e Gjykatës së Lartë është krijuar një rubrikë informative, e titulluar “Programi i transparencës”, në të cilën jepen informacione të shumta, lidhur me strukturën, organikën dhe klasifikimin në Gjykatën e Lartë, formularin e deklarimit, regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve, koordinatorin për të drejtën e informimit, informacione të ndryshme, si dhe vendimet e botimin e tyre. Kjo rubrikë përmban gjithashtu, mënyrën e komunikimit me Gjykatën e Lartë, administrimin e çështjeve në Gjykatën e Lartë, ndihmë mbi përdorimin e faqes zyrtare të Gjykatës së Lartë, buxhetin dhe tenderat, statistikat, kuadrin ligjor, mekanizmat kontrollues, informacionet/dokumentat që kërkohen më shpesh. Këto informacione mund të aksesohen lehtësisht në linkun: /web/Programi_i_Transparences_2781_1.php.
Vlen të evidentohet se, korrespondenca më e shpeshtë është nëpërmjet shërbimit postar dhe pyetjet më të shpeshta janë në lidhje me: fazën e dosjes, vendimin e marrë në dhomë këshillimi, disponueshmërinë e vendimit të plotë të zbardhur, etj. Ndërkohë, kërkesat me postë elektronike janë gjithmonë në rritje dhe kërkesat që paraqiten në programin e transparencës, në faqen e Gjykatës së Lartë, janë të bazuara në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
9.Vizitat në Gjykatën e Lartë (Gjykata e hapur/Open court)
Gjykata e Lartë mundëson pjesëmarrjen e çdo të interesuari (si qytetar, studiues, praktikant i së drejtës, student apo nxënës shkolle) në seanca gjyqësore apo që të vizitojë institucionin në çdo moment, duke zgjeruar aksesin në gjykatë dhe afruar veprimtarinë e saj të përditshme me publikun. Ky akses mundësohet përmes aplikimit të thjeshtë elektronik, duke plotësuar modulet (Emër, mbiemër, e-mail dhe përmbajtjen e mesazhit/arsyet e vizitës). Si rezultat i “gjykatës së hapur” (Open Court) vizitat kanë qenë të shumta dhe në fund të muajit mars 2022 është planifikuar për t`u zhvilluar një tjetër nga studentët e Universitetit Jopublik “Kolegji Universitar “Qiriazi”. Apliko duke vizituar linkun: /web/Akreditim_9953_1.php.
Kontakto Gjykatën:
Tel.: +355 4 2257304;
Fax: +355 (4) 228837;
E-Mail: supremecourt@gjykataelarte.gov.al;
Adresa postare: Rruga: "Ibrahim Rugova", nr. 20, 1001, Tiranë, Shqipëri