DREJTORIA E MARRËDHËNIEVE ME PUBLIKUN (MEDIAN) DHE ME JASHTË
Tiranë, 17.05.2022
Anëtarët e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë morën pjesë në konferencën e përbashkët me temë: “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës: Përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”. Ky aktivitet u organizua me nismën e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Znj. Gresa Caka-Nimani, dhe mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), në datat 17-18 maj 2022, në Prishtinë, Kosovë.
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Sokol Sadushi, duke vlerësuar edhe pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë aktivitet të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë Z. Reinhard Gaier, theksoi se kjo konferencë është një mundësi shumë e mirë shkëmbimi profesional mes gjykatave kushtetuese dhe atyre të larta. Identifikimi i sfidave e praktikave më të mira, ndërveprimi dhe ndarja e kompetencave ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe të rregullt, është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e shteteve me demokraci të re, si Shqipëria dhe Kosova.
Në ditën e parë të punimeve Z. Sadushi prezantoi për pjesëmarrësit prespektivën e Gjykatës së Lartë në lidhje me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të zakonshme për interpretimin kushtetues të ligjeve. Më tej, u trajtua edhe praktika e Gjykatës së Lartë në lidhje me interpretimin dhe zbatimin qartazi të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, nga këndvështrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme, duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së. Kjo temë u prezantua në sesionin e dytë të ditës së parë nga anëtari i Gjykatës së Lartë, z. Sandër Simoni.
Në ditën e dytë të punimeve të konferencës, Kryetari i Kolegjit Penal, z. Ilir Panda përcolli prespektivën e Gjykatës së Lartë, në lidhje me fushën e kompetencës së Gjykatave Kushtetuese dhe Gjykatave Supreme mbi konsolidimin e jurisprudencës vendore në dritën e vendimeve të GJEDNJ-së.
Në sesionin e pasdites së ditës së dytë, anëtari i Gjykatës së Lartë z. Asim Vokshi prezantoi praktikën e Gjykatës së Lartë në lidhje me rolin e gjykatave të rregullta në zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin për shkeljet e të drejtave të njeriut, me fokus gjykimin brenda një afati të arsyeshëm.
Në përfundim të konferencës, drejtuesit e Gjykatave Kushtetuese dhe të Gjykatave të Larta të Shqipërisë dhe të Kosovës ndanë të njëjtin mendim se aktivitete të tilla i shërbejnë komunikimit më të mirë institucional për tejkalimin e divergjencave midis juridiksioneve përkatëse.
Për kontakt: Ida Vodica Laska Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun (Median) dhe me Jashtë Email: ida.vodica@gjykataelarte.gov.al www.gjykataelarte.gov.al