• 1
    Sallë gjyqi
  • 2
    Salla e Mbledhjeve te gjyqtareve
  • 3
    Gjykata e Lartë
  • 4
    Salla e Kolegjeve te Bashkuara

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 23.06.2021

NJOFTIM PËR MEDIAN

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, SH.T.Z. Luigi Soreca, ishte të mërkurën në Gjykatën e Lartë për të zhvilluar një takim pune me Zëvendëskryetarin e kësaj gjykate Z. Sokol Sadushi.

Gjatë takimit u diskutua mbi aktivitetin e deritanishëm të gjykatës, sfidat më të cilat ajo përballet vazhdimisht, si edhe punën e kryer nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, në drejtim të uljes së numrit të çështjeve të prapambetura, zbatimit të kërkesave kushtetuese e ndryshimeve të fundit procedurale ligjore për përmirësimin e situatës në këtë institucion, me qëllim krijimin e një klime besimi tek qytetarët.

Në këtë kuadër Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, falenderoi Ambasadorin e BE për ndihmën e pakursyer në drejtim të masave të marra për ndryshimet ligjore, të cilat kanë ndikuar që tani në procesin e shqyrtimit efektiv të dosjeve gjyqësore. Z. Sadushi u shpreh se tashmë Gjykata e Lartë, pas një viti, është më e vetëdijshme në atë se çfarë i nevojitet asaj, dhe të gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate janë sot më besimplotë për të arritur rezultatet e pritshme. Sigurisht ardhja e gjyqtarëve të rinj, për të plotësuar më tej trupën gjyqësore është e domosdoshme për të rritur eficencën e Gjykatës së Lartë e cila paralelisht do të bëjë të mundur edhe përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, kjo gjykatë shpalli pak kohë më parë edhe nisjen e procedurave për tre vendet vakantë në Gjykatën Kushtetuese, për të bërë të mundur vijimin e këtij procesi të rëndësishëm pa vonesa dhe në kohë.

Nga ana e tij Ambasadori i BE-së Z. Luigi Soreca, vlerësoi maksimalisht punën e kryer deri tani nga Gjykata e Lartë duke e quajtur atë një hap madhështor që ka hedhur kjo gjykatë dhe anëtarët e saj. Sipas Z. Soreca, puna e bërë nga Gjykata me çështjet e prapambetura është parë me vlerësim nga komuniteti ndërkombëtar. Duke përmenduar ndryshimet e fundit procedurale ligjore, ambasadori Soreca vlerësoi faktin së ato janë një ndihmë konkrete për mbarëvajtjen e procesit të shqyrtimit të çështjeve në gjykatë, e cila në këtë mënyrë bëhët edhe më eficente në punën e saj. Funksionimi normal i Gjykatës së Lartë, me ardhjen edhe të anëtarëve të saj të rinj, sjell padyshim edhe plotësimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.

Z. Soreca e siguroi Z. Sadushi se mbështetja e Delegacionit të Bashkimit Evropian do të vijojë të jetë e pranishme dhe e shpeshtë në të ardhmen, pasi BE ka një plan dhe program të qartë e të dedikuar për institucionet e pavarura të drejtësisë.

 
 

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte