REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
ZYRA E SHTYPIT

Tiranë, 09.07.2020

NJOFTIM PËR MEDIAN

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Z. Duncan Norman, është takuar të enjten datë 09.07.2020 në Gjykatën e Lartë, me disa nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në emër të të gjithë anëtarëve të këshillit, Zj. Vitore Tusha ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për asistencën e deritanishme të dhënë nga Britania e Madhe në mjaft sektorë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.

Zj. Tusha e njohu ambasadorin Norman me problematikat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë këtyre viteve të krijimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe theksoi angazhimin maksimal të anëtarëve të tij, si gjatë vitit 2019, kur ky këshill vendosi themelet e një procesi shumë të rëndësishëm kushtetues, atë të përzgjedhjes së anëtarëve të parë në Gjykatën Kushtetuese. Procesi për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit ligjor, dhe për këtë arsye, bazuar edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, KED 2020 ka marrë të gjitha masat për përfshirjen e tyre në aktet rregullatore të KED.

Gjatë takimit Ambasadori Norman u shpreh se reforma në drejtësi është një moment shumë i rëndësishem për Shqipërinë, proces i cili duhet të çohet deri në fund. Ambasadori britanik theksoi se KED për nga natyra e vet ka patur gjithmonë vëmendjen e ndërkombëtarëve, duke shprehur me këtë rast mbështetjen e tij publike dhe personale në ndihmë të këtij këshilli.

Z. Norman vlerësoi angazhimin i këshillit për të reflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, në mënyrë që procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese të ndodhë sa më parë.

Njëkohësisht gjatë takimit Ambasadori Norman shprehu vullnetin për vijimin e asistencës së Britanisë së Madhe në drejtim të organeve të drejtësisë në Shqipëri, në çdo kohë.

Item 1
 
Item 2

 

Zyra e Shtypit
Tel/Fax:04227806
http://www.gjykataelarte.gov.al

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte