Administrimi i çështjeve në Gjykatën e Lartë

Në momentin e ardhjes në Gjykatën e Lartë, çdo çështje gjyqësore regjistrohet në regjistrat përkatës dhe me plotësimin e të dhënave të nevojshme për efekt të regjistrimit (informacione mbi palët, natyrën dhe objektin e çështjes, historikun e saj, vendimet e mëparshme të dhëna nga gjykatat, etj.) sistemi i elektronik i administrimit të çështjeve i vendos çështjes automatikisht një numër identifikues dhe njëkohësisht realizon procedurën e shortit elektronik duke caktuar, në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme, gjyqtarin relator të çështjes.

Ky short është elektronik dhe nuk mund të bëhen modifikime apo ndërhyrje në të, po ashtu nuk mund të parashikohet paraprakisht gjyqtari të cilit do t’i bjerë për shqyrtim një çështje e caktuar.

Në rastin kur gjyqtari relator heq dorë nga gjykimi i çështjes dhe kjo është miratuar sipas ligjit, ose kur kolegji përkatës vendos përjashtimin e tij nga gjykimi i çështjes, realizohet përsëri procedura e shortit elektronik dhe caktohet gjyqtari i ri relator i asaj çështjeje.

Çështja gjyqësore shqyrtohet nga kolegji përkatës në dhomën e këshillimit, i cili vlerëson nëse rekursi i paraqitur ka apo jo shkaqe ligjore nga ato të parashikuara nga ligji.

Në rastin kur kolegji vlerëson se rekursi nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuar nga ligji, vendos mospranimin e rekursit. Ky vendim dhe dosja gjyqësore, i dërgohen për tu administruar gjykatës nga e cila kishte ardhur pas kryerjes së procedurave përkatëse nga sekretaria gjyqësore.

Në rastin kur kolegji vlerëson se ka shkaqe ligjore nga ato të parashikuara nga ligji, çështja kalon për shqyrtim në seancë gjyqësore.

Në seancë gjyqësore çështja shqyrtohet nga kolegji përkatës, përbërja e të cilit caktohet në mënyrë periodike sipas dispozitave në fuqi dhe që është i njohur publikisht. Në përbërje të kolegjit, në cilësinë e relatorit, bën pjesë gjyqtari i cili mban këtë cilësi që nga momenti i caktimit me short me ardhjen e dosjes gjyqësore për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2014 Gjykata e Larte